Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian: S’ka datë për heqjen e vizave

12:32 / E martë, 17 Prill 2018

 

Përkundër se zyrtarët e lartë të institucioneve në Kosovë po shprehen se vizat do të hiqen deri në fundin e vitit, Bashkimim Evropian nuk ka ndonjë afat kohor për këtë çështje.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se për liberalizimin e vizave nuk ka ndonjë datë të caktuar.

“Nuk ka ndonjë afat kohor se kur do të zgjidhet çështja e vizave. Natyrisht unë shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Sholtes ka kërkuar punë edhe më të madhe sa i përket luftimit të korrupsionit, duke theksuar se ky është një proces i vazhdueshëm.

Ai gjithashtu ka thënë se pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk do të mund ta bllokojnë heqjen e vizave për Kosovën nëse plotësohen kushtet.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

Lajmi.net: Z.Sholtes si një nga kushtet për liberalizimin e vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa jeni optimist që Kosova do ta përmbushë këtë kriter?

Igor Sholtes: Unë mendoj se ka ende shumë hapsirë për përmirësime, dhe punë shtesë që duhet të bëhet në këtë fushë. Natyrisht që është bërë një hap përpara, por siç është theskuar disa herë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një proces i vazhdueshëm, i cili nuk duhet të ndalet edhe pas liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lajmi.net: A munden pesë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta pengojnë liberalizimin e vizave?

Igor Sholtes: Disa prej atyre pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, mund të jenë më të zëshme se tjerat. Për heqjen e vizave kërkohet një shumicë e cilësuar në Këshillin Evropian, kjo do të thotë se jo të gjitha shtetet anëtare duhet të votojnë pro liberalizimit. Është e rëndësishme për institucionet evropiane të shohin se kur plotësohen kushtet, dhe pastaj të vendosin për heqjen e vizave menjëherë. Si raportues i përhershëm për Kosovën, do të ndjek aktivisht aktivitetet dhe progresin e bërë nga komisioni përgjegjës në Parlamentin Evropian.

Lajmi.net: Kur do të zgjidhet çështja e vizave për Kosovën? A mund të na tregoni ndonjë afat kohor?

Igor Sholtes: Nuk ka ndonjë afat se kur do të liberalizohen vizat për Kosovën. Natyrisht unë shpresoj se kjo do të ndodhë sa më shpejt që është e mundur, dhe në kohën e duhur. Megjithatë, duhet të marrim parasysh se të dyja institucionet evropiane, Këshilli dhe Parlamenti duhet ta miratojnë atë.

Lajmi.net: Çka do të sygjeroni në Parlamentin Evropian lidhur me çështjen e vizave për Kosovën?

Igor Sholtes: Ne kemi rregulla dhe procedura shumë të qarta në Parlamentin Evropian, dhe sapo të arrihet marrëveshja politike, procesi i liberalizimit të vizave do të fillojë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400