Rrëfimi i kosovarit që i humbi të gjitha nga droga

15:16 / E martë, 03 Korrik 2018

Ajo është një shtëpi e boshatisur në qendër të qytetit. Por, për dikë është bërë strehë gjatë orëve të mbrëmjes. Pa problem, aty mund të hyjë e të dalë kush të dojë. Brenda kësaj shtëpie mund të gjeni gjilpëra, shiringa e kuti të substancave të ndryshme narkotike, të cilat janë përdorur nga përdoruesit e tyre.

 

Në Kosovë, numri i përdoruesve të substancave të ndryshme narkotike është shumë i madh. Por, para se droga t’i bëjë të varur krejtësisht, shumë prej tyre mundohen të largohen prej saj.

Shumë vite më parë, ai kishte qenë në Kroaci si ushtar për 4 vjet me radhë. Gjatë tërë kësaj kohe ai ishte injektuar me një lloj droge pa dijeninë e tij.

Pas gjithë këtyre viteve, ai ishte kthyer në banesën e tij.

Mirëpo, mosmarrja e injeksionit kishte filluar t’ia shfaqte disa probleme shëndetësore. Pas kësaj, ai tregon se është kthyer në Kosovë te familja e tij për një kohë të shkurtër.
Varësia e substancave narkotike, që kishte marrë përmes injeksioneve, tani pas kthimit në vendlindje e kishte detyruar atë të fillojë përdorimin e metadonit. Punët me të cilat ishte marrë, e kishin bërë të shkonte në shtete të ndryshme. Ai thotë se në të gjitha këto vende kishte përdorur heroinë e kokainë.

 

 

 

Ky person thotë se ndonëse ka qenë përdorues i këtyre substancave narkotike, asnjëherë nuk ka bërë veprime të këqija dhe nuk ka përjetuar ndonjë krizë, pasi gjithmonë e kishte siguruar sasinë që i duhej. Ndonjëherë edhe kishte shitur.

Tash e 12 vjet ai është përpjekur të largohet prej përdorimit të çfarëdo lloj substance narkotike. Ky pëdorues i drogave tregon se përdorimi i substancave narkotike të bën të humbësh gjithë kontrollin dhe të përjetosh disa kriza. E për më shumë se 1 vit e gjysmë ai është bërë edhe pjesë e OJQ-së “Labirinti”. Tani ai është larguar nga përdorimi i substancave narkotike dhe në “Labirint” merr vetëm një sasi të metadonit.
Përkrahja familjare nuk i ka munguar. Tashmë ai bën një jetë normale, i rrethuar nga më të dashurit e tij.

Ndryshe, nga ky, një person tjetër ishte vetëm 15 vjeç kur kishte filluar të përdorë substanca narkotike.  E gjithë historia e tij fillon nga një lidhje e tij e dashurisë. Ai tregon se në atë kohë nuk kishte ditur se çfarë është heroina. Madje këtë nuk e kishte parë asnjëherë as në medie. Mirëpo, në krah të të dashurës së tij, edhe ky e kishte provuar dhe që nga ajo kohë nuk e ka ndërprerë asnjëherë.

Për një kohë të gjatë, familja e tij nuk kishte qenë në dijeni se djali i tyre është duke përdorur substanca narkotike. Derisa nga mbidoza ai kishte përfunduar në spital.
Përgjatë këtyre 27 vjetëve që ai jeton në efektin e drogës, ai thotë se disa herë ka provuar të largohet prej përdorimit, por pa sukses.

Si pasojë e kësaj, ai rrëfen se ka qenë 4 herë i martuar por është ndarë. Ai ka një djalë të vetëm, mirëpo nuk e njeh dashurinë e tij. Ai thotë se kohën është e pamundur ta kthejë, por shpreson të ketë një mrekulli.

Sipas tij, gjëja më e lehtë në Kosovë është të blihen substancat narkotike dhe që fatkeqësisht numri i përdoruesve po rritet edhe më shumë. Ajo që mbetet edhe më shqetësuese është se mosha e përdoruesve të substancave të ndryshme narkotike janë kryesisht të rinj rreth moshës 16-vjeçare.

Nasire Zatriqi është vetëm një nga nënat e cila është ballafaquar me problemin që djali i saj ishte përdorues i substancave narkotike. Situata në të cilën kishte kaluar djali i saj, nuk ishte aspak e lehtë për të.

“Ju kisha lut secilit veç e veç të gjithëve për një moment të paramendoni se kur shkoni shpi e keni në shpi fëmijën qe e keni të drogum i cili I lutet vetes me ja marr jetën, fëmijë I cili dy tri here ka poshtua prej overdozez ka poshtua edhe mendoni se ku keni me gjet atë fuqi mu marr edhe me fëmijët e tjerë që e pësojnë nga dogra”

Samire Braina, shefe e repartit të sëmundjeve të varësisë nga Klinika e Psikiatrisë, thotë se rreth 200 milionë persona përdorin drogë të paktën një herë në vit. Nga ky numër 25 milionë konsiderohen si të varur nga droga.

Sipas saj, në repartin e sëmundjeve të varësisë pranë Klinikës Psikiatrike, ofrohet trajtimi i personave abuzues të substancave psikoaktive. Por, kriter kryesor për trajtim është motivimi i tyre për t’u larguar nga droga.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400