Selimi thotë se marrëveshja për Demarkacionin ka vdekur: Qeveria s’ka si ta procedojë

15:31 / E mërkure, 11 Janar 2017

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e ka cilësuar si diçka të pritshme, që Qeveria e Kosovës nuk e futi në agjendën e saj legjislative për vitin 2017, marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

 Ai i ka thënë Gazetës Blic se kjo marrëveshje tashmë ka vdekur.“Qeveria nuk mund ta përfshijë në agjendën legjislative diçka që tashmë është shpallur e vdekur, siç është Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi” tha Selimi.

Ndër të tjera ai tha se Kosova ka shpëtuar nga humbja e 8300 hektarëve të territorit të Republikës së Kosovës.

“Kjo marrëveshje  është zhbërë me anë të protestave, me anë të reagimit opozitar  dhe në sajë të vendosmërisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj në këtë mënyrë qytetarët, opozita dhe në veçanti Lëvizja Vetëvendosje e ka shpëtuar Kosovën nga humbja e 8300 hektarëve të territorit të Republikës” përfundoi Selimi.

Ndryshe, me 25 gusht të vitit 2015, Kosova dhe Mali i Zi, patën nënshkruar në Vjenë marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes këtyre dy shteteve.

Kjo Marrëveshje ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Për ndalimin e ratifikimit të kësaj Marrëveshje, gjatë u organizuan protesta të shumta nga opozita, të cilat protesta cilësoheshin të dhunshme.

Mirëpo as brenda në Kuvend nuk ishte më mirë se jashtë, pasi seancat karakterizoheshin me debate të ashpra, arrestime e gaz lotsjellës.

Koalicioni qeverisës e kishte proceduar në shtator të vitit të kaluar për ratifikim në Kuvend këtë marrëveshje, mirëpo e kishte tërhequr për faktin se nuk i kishte votat e mjaftueshme. Megjithatë, i pari i Qeverisë, Isa Mustafa ka theksuar se shumë shpjet do të procedohet sërish kjo marrëveshje, ndonëse nuk ka dhënë afate.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400