Shkollat në veri nën ‘komandën’ e Ministrisë së Arsimit të Serbisë

14:51 / E martë, 17 Prill 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, në seancën e Kuvendit të Kosovës deklaroi se shkollat serbe në vend vazhdojnë të aplikojnë sistemin e Republikës së Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës.

Ai tha se këto shkolla vazhdojnë të mos raportojnë në MASHT.

Ndër të tjera Bytyçi duke iu përgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, tha se në dokumente bëhen përpjekje për integrime të komuniteteve, por sipas tij fatkeqësisht shkollat serbe ende mësojnë me sistemin e Serbisë.

“Deri më tani fatkeqësisht të gjitha shkollat që mësojnë në gjuhën serbe, vazhdojnë të aplikojnë sistemin e Republikës së Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës. Aktualisht çka ne kemi bërë është ngarkuar zëvendësministri, Bajrush Cezari për t’u marrë me çështjen e komuniteteve, veçanërisht me shkollat që nuk janë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovë. Ai është duke bërë një punë me terren, ka filluar nga pjesa jugore sepse edhe në pjesën jugore kemi shkolla që nuk janë të integruara në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës, për të parë se cila janë pengesat dhe mundësit që pastaj bashkë me partnerët ndërkombëtar të gjejmë mënyrën e integrimit në sistemin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, asnjë shkollë e cila mëson në gjuhën serbe nuk raporton në Ministrinë e Arsimit”, tha ai.

Anëtarja e Komisionit për Arsim, Arbërie Nagavci ka thënë për lajmi.net se planprogramet me të cilat mësojnë nxënësit në këto shkolla nxisin urejtje etnike.

“Sipas informatave që i kemi këto shkolla punojnë me planprogram të Serbisë madje përmbajtjet mësimore që i kanë për nxënësit, jo vetëm që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës por kanë edhe përmbajtje të pasakta dhe që nxisin urrejtjen etnike. Për këtë arsye edhe është ngritur nga ana e kryetrit të Komisionit për Arsim kjo çështje dhe besoj që do ta trajtojmë edhe në komision pasi që kjo gjendje po vazhdon e që ka shumë vite tashmë dhe është e papranueshme”, është shprehur ajo.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për lajmi.net ka thënë se ato shkolla janë nëvarësi të Ministrisë së Arsimit në Beograd.

“Edhe pse financohen nga Buxheti i Kosovës, shkollat serbe në Kosovë vazhdojnë të operojnë në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë. Në praktikë, kjo do të thot se ato janë në varësi të Ministrisë së Arsimit në Beograd, i zbatojnë programet mësimore të Serbisë, ndërsa nxënësit e këtyre shkollave pajisen me dëftesa të Serbisë. Në afat të gjatë, kjo sjell jostabilitet, sepse edukohen gjenerata të tëra të nxënësve, jo për t’u integruar në shoqërinë kosovare, por për të jetuar krejtësisht jashtë realitetit”, ka theksuar ai, transmeton lajmi.net.

Pupovci tha se një gjë e tillë është duhet të zgjidhet përmes negociatave.

“Problemi është i karakterit politik dhe jo arsimor. Serbia ka pasur sistem paralel në Kosovë në të gjitha fushat dhe arsimi vazhdon të jetë njëri prej sistemeve paralele që ende është i pranishëm. Nuk shoh mënyrë tjetër se si mund të zgjidhet ky problem, përveç përmes negociatave. Nga përvoja e viteve të nëntëdhjeta kemi mësuar se arsimi është çështje e ndjeshme, prandaj nuk duhet pritur se zgjidhja do të vjen lehtë dhe shpejtë”, deklaroi ai.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400