Shoqëria civile e përkrah protestën për shkarkimin e kryeprokurorit

11:50 / E mërkure, 29 Gusht 2018


Sot në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet protesta e dytë e thirrur nga shoqëria civile, për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi. Organizatat e shoqërisë civilë kanë dalë në përkrahje të protestës së organizuar nga qytetarët për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi.

Këto organizata kanë njoftuar se do të përkrahin protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, duke thënë se letra shpjeguese e ish-prokurorit special Elez Blakajt, sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit, përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve.

“Pas dorëheqjes së ish prokurorit special z. Elez Blakaj, ne si organizata të shoqërisë civile përkrahim plotësisht protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi. Letra shpjeguese e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve, që vijnë edhe nga vetë kryeprokurori i shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, organizatat e shoqërisë civile kanë thënë se ndërhyrjet e kryeprokurorit Lumezi për të shmangur përballjen e figurave të larta të politikës me procesin e drejtësisë janë alarmante për drejtësinë në Kosovë.

Po ashtu këto organizata shprehen se dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi do të rriste besimin e qytetarëve në drejtësinë e pavarur.

“Dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi, do të rriste besimin qytetarë në drejtësinë e pavarur, prandaj ne përkrahim protestën qytetare, dhe kërkojmë që përveç shkarkimit të tij të fillojë edhe procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë sikurse në të gjitha vendet e rajonit”, theksohet në njoftim.

Organizatat e shoqërisë civile që e përkrahin protestën janë: Demokraci Plus-  D+, Grupi për Studime Juridike dhe Politike- GLPS, Iniciativa për Progres- INPO, Instituti Columbus, Instituti D4D, Instituti Demokratik i Kosovës- KDI, Instituti GAP, Instituti I Kosovës për Drejtësi- IKD, Instituti INDEP, Instituti KIPRED, Lëvizja FOL, Organizata Çohu, Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim- ATRC, Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional- CLARD.

Kujtojmë se protesta e parë për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi është mbajtur me 22 gusht, protestë kjo e cila është thirrur nga shoqëria civile, pas dorëheqjes s ëish-prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar listat me veteranët e rrejshëm.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400