Si po merr jetë një lagje e re në kryeqytet?

10:43 / E diell, 14 Janar 2018

Balta dhe plehrat përpara pallateve deri pak muaj më parë i kanë lënë vend tashmë stolave dhe lulishteve të sistemuara duke sjellë një transformim të jetesës për të gjithë banorët e zonës së njohur si përroi i Gjerozës në kryeqytet.

Përpara nisjes së punimeve në këtë lagje, e cila është populluar  kryesisht vitet e fundit me banorë të ardhur nga qytete të tjera, kjo zonë ishte një nga më të degraduarat në periferi të kryeqytetit pranë teleferikut, duke rrezikuar që të kthehej edhe në një vatër të përhapjes së sëmundjeve infektive për të vegjlit që luanin aty.

Punonjësit e kompanisë që po merret me punimet po punojnë me detajet e fundit të projektit duke e kthyer në një hapësirë model për qytetarët.

Rrugët lidhëse me aksin kryesor kanë lehtësuar komunikimin e banorëve me pjesën tjetër të Tiranës për të marrë shërbimet e nevojshme.

Ndonëse nuk ka përfunduar ende, investimi i cili po ecën me ritme të shpejta ka dhënë një impakt pozitiv duke rritur vlerën e pronës së qytetarëve. Gjithashtu, katet e para dhe të dyta të cilat ishin jashtë funksionit si pasojë e erës së keqe që vinte nga mungesa e kanalizimeve dhe plehrat mes pallateve, kanë filluar të marrin jetë dhe të gjenerojnë të ardhura për pronarët e tyre.

Për fëmijët po instalohen module të ndryshme lojërash, ndërsa për të moshuarit stola si dhe ndriçim për të kaluar orët e pasdites në gjelbërimin që ka nisur të rrethojë pallatet e tyre.

Prej dy vitesh, krahas përmirësimit të infrastrukturës në rrugët apo veprat e rëndësishme publike, Bashkia e Tiranës është fokusuar në rehabilitimin e blloqeve të pallateve nëpër lagje.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400