Si po zbulohen familjet që mashtrojnë për ndihmat sociale

15:51 / E enjte, 14 Qershor 2018

Në Kosovë, ku papunësia arrin në 40 për qind, gati 26 mijë familje marrin ndihma sociale. Për Gazetën Express, në ministrinë e Mirëqenies Sociale tregojnë se a ka manipulime për të marrë ndihmat nga shteti dhe si i zbulojnë këto raste.

Shpeshherë kemi dëgjuar raste kur është thënë se personat e vdekur nuk janë hequr nga listat e pensioneve, por Musa Demiri, Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për Express se të gjithë personat, nga momenti kur lajmërohen si të vdekur, zyrtarët  e Skemës së Ndihmës Sociale nëpër QPS i largojnë nga përbërja e familjes dhe nga ndihma sociale, shkruan GazetaExpress.

Në pyetjen se a ka persona që mundohen të manipulojnë për të marrë ndihma sociale nga shteti, dhe çfarë masazh merren për këta njerëz, Demiri ka thënë se ka tentativa të tilla, por ka mekanizma që identifikojnë këto raste, dhe ato familje largohen automatikisht nga ndihma sociale.

“Ka raste kur përballemi me tentativa të tilla por në lidhje me këtë, ekzistojnë mekanizma institucional qoftë në nivelin lokal apo qendror që identifikojnë këto raste (zyrtarët e Skemës së Ndihmës Sociale nëpër  Qendra për Punë Sociale, Njësia e Kontrollit dhe Mbikëqyrjes në DPSF/MPMS, Njësia e Auditorit të Brendshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit).

Në rast se një familje identifikohet se është duke shfrytëzuar ndihmën sociale jashtë kritereve ligjore, atëherë ajo familje automatikisht largohet nga ndihma sociale dhe iniciohen procedurat për kthimin e pagesave të ndihmës sociale, në harmoni me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Sipas akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale, ekzistojnë dy kategori të familjeve që marrin ndihma nga shteti. Në kategorinë e parë hyjnë familjet në të cilat të gjithë anëtarët e familjes janë të varur, dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar. Ndërsa në kategorinë e dytë hyjnë të gjitha familjet me një anëtar të punësuar dhe me të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç, apo që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç, shkruan Gazeta Express.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, deri në muajin maj të këtij viti, në regjistrin e shfrytëzuesve të Skemës së Ndihmës Sociale kanë qenë gjithsej 25.951 familje, me 105.881 anëtarë të familjes, në shumë mujore 2.777.245.00 €.

Ndërsa në vitin e kaluar, deri në muajin qershor, në regjistrin e shfrytëzuesve të Skemës së Ndihmës Sociale kanë qenë 26.246 familje, me 107.685 anëtarë të familjes, në shumë mujore prej 2,389,748.75 €.

Skema e ndihmës Sociale është një ndër format e mbrojtjes sociale dhe për qëllim ka sigurimin e një rrjeti të sigurisë sociale në kuadrin e gjerë të mbrojtjes sociale në Kosovë, në mënyrë që të lehtësohet varfëria me anë të ndihmave sociale për të varfrit dhe familjet në gjendje të nevojës sociale. SNS i ofron ndihmë financiare familjeve të përzgjedhshme në përputhje me kriteret e parapara me ligj, dhe në bazë të mjeteve të ndara për këtë qëllim nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400