Tahiri letër BE-së: Serbia po i sulmon objektet tona qeveritare në Mitrovicën veriore

14:33 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Pas sulmit të mbrëmshëm me bombë ndaj objektit të zyrave të Qeverisë në Mitrovicën veriore të inauguruara më 28 dhjetor 2016 nga ana e ministres për Dialog, Edita Tahiri, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit, ministrja Tahiri iu ka drejtuar menjëherë mbrëmë Bashkimit Evropian me një letër për të kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë për ndaljen e destruksioneve të Serbisë ndaj Kosovës.
Në letrën e ministres Tahiri thuhet:

Sonte pati një tjetër sulm me bombë kundër ndërtesës së Qeverisë në Mitrovicën veriore, ku ish-anëtarët e “mbrojtjes civile” janë të punësuar si shërbyes civil, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e “mbrojtjes civile” të datës 26 mars 2015 të nënshkruar nga të gjitha palët.

Unë rregullisht ju kam informuar juve, BE-në, për një seri zhvillimesh negative në javët e fundit, të cilat kanë për qëllim provokimin e ndonjë destabilizimi të situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

Për mendimin tim, duket se Serbia është duke u tërhequr nga dialogu dhe po i kthehet mendësisë së vjetër, ngase po shkon kundër marrëveshjeve që vet i ka nënshkruar, madje me bomba, mure, arrestime arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, etj.

Duke qenë se jemi duke u përgatitur  për ecjen tutje në zbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë, po pyetem a thua se çfarë mjete do të përdoren kundër saj?

Kërkoj nga BE-ja që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë tek pala serbe që të qëndroj në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përndryshe,  pasojat do të jenë të paparashikueshme.

Së fundi, madje edhe diskursi politik i Serbisë ka eskaluar nga niveli më i lartë, ndërkohë që Milorad Dodik është bërë një zëdhënës për skenarët e ndryshimit të kufijve.

Duke e pasur parasysh përkushtimin e BE-së jo vetëm për t’i stabilizuar rezultatet e arritura në dialog, por edhe për t’i përparuar ato më tutje për hir të paqes dhe marrëdhënieve ndër fqinjësorë në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, unë besoj se ju jeni duke punuar për përmirësime.

Jam në pritje të përgjigjes nga ju sa më shpejt që është e mundur.

Pas dërgimit të kësaj letre tek BE-ja, menjëherë mbrëmë pas sulmit me bombë ndaj zyrave të Qeverisë në veri, ministrja Edita Tahiri, deklaroi se përgjigja e BE-së ka qenë e menjëhershme dhe në të cilën ata kanë theksuar se BE-ja është e përqendruar seriozisht në këtë çështje dhe se zhvillimet negative duhet të ndalen.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400