Telekomi i Kosovës angazhon ish-avokatët e Blerim Devollit për t’u ankuar kundër tij

20:52 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Kompania e këshilluar nga Frank Wisner, “Patton Boggs” e fiton edhe një tender në Kosovë. Telekomi i Kosovës i ka bërë gati 159 mijë euro për këtë kompani.

Telekomi i Kosovës ka angazhuar kompaninë “Patton Boggs”, pjesë e së cilës është ish-diplomati Frank Wisner për t’iu kundërvënë vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, i cili është në favor të kompanisë “Devolli Group”.

Ndërmarrja publike, Telekomi i Kosovës ka vendosur të ankohet ndaj këtij vendimi pasi që këmbëngul se nuk kishte pasur shkelje të kontratës me operatorin Z-Mobile.

Kompania “Patton Boggs” do të bëjë përgatitjen e ankesës ndaj vendimit, nëpërmjet së cilës synohet të parandalohet ndëshkimi prej 30 milionësh eurosh i Telekomit të Kosovës.

Bazuar në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kompania amerikane do të paguhet në vlerë prej 159 mijë eurosh për kryerjen e këtij shërbimi.

KRPP ka publikuar sot njoftimin për tenderin e emërtuar “Shërbime Legale në Përgatitjen e Padisë në Gjykatën Kompetente të Britanisë së Madhe”.

Kontrata parashihet të jetë në kohëzgjatje një vjeçare. Bazuar në njoftim, në garë ishte vetëm një konkurrent i përgjegjshëm, kompania amerikane “Patton Boggs”.

E njëjta kompani para tri vjetësh kishte mbrojtur Blerim Devollin në rastin gjyqësor kundër tij, vëllait të tij Shkëlqimit, zyrtarit të kompanisë Ismet Bojkut, ish-drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxhës dhe kryetarit të bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalajt.

Kompania “Patton Boggs”, më 13 korrik të vitit 2013, kishte njoftuar se po mbronte vëllezërit Devollit ndaj të cilëve ishte ngritur aktakuzë nga një prokuror i EULEX-it për dëmtim të PTK-së, në rastin e nënshkrimit të kontratës për operimin e Z-Mobile.

Përveç ofrimit të shërbimeve legale për Blerim Devollin, kompania “Patton Boggs”, ka lidhur një sërë kontratash me Qeverinë e Kosovës. Deri më tash ka lidhur dy kontrata për ofrimin e shërbimeve të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në interes të Qeverisë e Kosovës. Kontratat kanë për qëllim afirmimin politik të Kosovës në SHBA si dhe nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës e ka angazhuar këtë kompani për të ofruar shërbime legale në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington. Në këtë gjykatë Kosova është paditur nga kompania gjermane “Axos”, e cila kërkon qindra miliona euro dëmshpërblim për shkak të pezullimit të procesit të privatizimit të PTK-së.

Arsim Bilalli zëdhënës i Telekomit të Kosovës në një përgjigje për Insajderin tha se kjo kontratë i referohet angazhimit të një ekspertize eksterne ligjore, “ e cila do të mbrojë pozicionet e korporatës sonë në Gjykatën kompetente në Londër, kundër vendimit final të Arbitrazhit Ndërkombëtar, sipas rregullave ICC”.

“Kjo strategji e jona është rrjedhojë e një vlerësimi intern se vendimi i Arbirtrazhit Ndërkombëtar, përmban një mori shkeljesh formale/ligjore dhe në të njëjtën kohë shpreh konstatim të gabuar të gjendjes materiale të rastit në fjalë”, tha Bilalli.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400