Thaçi: Në momentet më të vështira, Fadil Vokrri i qëndroi besnik Kosovës

13:15 / E diell, 10 Qershor 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, ka shkruar disa fjalë prekëse për personalitetin e kryetarit të FFK-së.

Përmes Facebookut, Thaçi shkruan se Vokrri edhe në momentet më të rënda i mbeti besnik Kosovës. Ai shton se shënimet kryesore në karrierën e  Vokrrit ishin anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ky është postimi i plotë i Thaçit në Facebook:

“Kam takuar shumë personalitete që bartnin epitetin e legjendës në fushën ku kishin kontribuar, në Kosovë dhe jashtë saj. Por, edhe ndër këta dallohej Fadil Vokrri. E njoha para tri dekadash, nga tribunat e fushave të futbollit ku impresionoheshim me mjeshtëritë e tij me topin, në vitet e tij të arta si futbollist. Çdo familje shqiptare jetonte me emrin e tij. Fëmijët jetonin me ëndrrën që të bëheshin “Fadila”. Bota vraponte ta merrte për ekipet e veta, jashtë Prishtinës. Por, edhe në momentet më të rënda, më të vështira, i mbeti besnik Kosovës. Golat e tij ishin gëzimi ynë sportiv dhe krenaria jonë kombëtare. Daljet e tij të rralla huq në fushë ishin dëshpërim për të gjithë ne. Fadili vazhdoi të shënonte për Kosovën edhe jashtë fushës. Shënimet e tij kryesore ishin anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA. Do t’i jemi përherë mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për Kosovën.”

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400