Thaçi në Samitin e Sofjes: Jemi gati për vizat dhe dialogun me Serbinë

13:13 / E enjte, 17 Maj 2018

Sot në Sofje ka nisur punimet Samiti i i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në samit fjalën e ka marrë edhe Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Si dhe e gatshme për liberazlizimin e vizave.

Thaçi ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, tha ai, transmeton Gazeta Express.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo përfshinë strategjinë e muajit shkurt të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin tonë përmes nismave të shumta, në mesin e tyre edhe Procesi i Berlinit, agjenda e ndërlidhjes dhe Plani shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe forume të tjera që synojnë t’i afrojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën dhe më pranë Bashkimit Evropian.

“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, ka thënë presidenti Thaçi.

 

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400