Thaçi përgëzon institucionet e drejtësisë për plotësimin e kritereve për vizat

17:33 / E enjte, 19 Korrik 2018

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, të cilët i ka falënderuar për kontributin e dhënë në plotësimin e plotë të kritereve për liberalizimin e vizave.

“Të gjitha institucionet, të drejtësisë, të rendit e ligjit, kanë punuar me përkushtimin dhe profesionalizmin më të lartë për të plotësuar të gjitha kriteret që kishte vënë BE-ja si kushte për liberalizim të vizave”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “institucionet e Kosovës, qytetarët e Kosovës, janë mirënjohës për këtë angazhim”.

Komisioneri i BE-së për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos, të mërkurën, më 18 korrik, në një konferencë të përbashkët me presidentin Thaçi në Bruksel, u shpreh se Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, duke i hapur rrugë miratimit të vendimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi pohoi se ky vendim është sukses i reformave dhe i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të plotësuar të gjitha kushtet dhe e cilësoi si vendim meritor.

Në këtë takim ishin prezentë Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, si dhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit theksuan se përkushtimi i tyre për të forcuar sundimin e ligjit do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të perspektivës evropiane.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400