Thaçi “shkel”, Haradinajn, del triumfues rreth demarkacionit!

09:53 / E shtunë, 17 Shkurt 2018

 

InfoPress / Yllnorë Shala

 

Qeveria e Kosovës thashmë e ka proceduar në kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, mirëpo, dhe votimi i saj pritet të ndodh nesër rreth orës 18:00. Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një aneks-marrveshje me anë të së cilës synohet të arrihet zgjidhja e çështjes së demarkacionit.

Kjo u bë e ditur nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili tha se kjo është një deklaratë të përbashkët të tij dhe homologout malazes Filip Vujanoviqin me anë të së cilës, të dy nënshkruesit e saj i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit të arritur në gusht të 2015-s.

“Kjo deklaratë bënë thirrje për përmbylljen e kësaj marrëveshje dhe më pas, përmes grupeve punuese do të rishikohet ajo”, ka thënë Presidenti Thaçi duke shtuar se pas ratifikimit, grupet punuese prej dy shteteve do t’i shqyrtojnë çështjet e kontestuara.

“Trupi i përbashkët punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Qakorrit dhe kullës së Zhlebit”, thuhet në këtë deklaratë.

Mundësia për rishikimin e këtyre sektorëve e ka lumturuar Kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili e kundërshtonte vazhdimisht Marrëveshjen e Demarkacionit. Me këtë aneks-marrëveshje sipas tij, do të përmbyllet tashmë çështjen e demarkacionit.

“Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, ka shkruar Haradinaj.

Mirëpo, kjo aneks-marrëveshje nuk ka ndryshuar qëndrimet e opozitës. Partitë e opozitare vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme rreth demarkacionit. Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratës së prezantuar nga Presidenti Thaçi, duke e cilësuar atë si mashtrim. I pari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, në një konferencë për media tha se, kjo deklaratë nuk është dashur të nënshkruhet pa dijeninë, diskutimin dhe njoftimin e institucioneve të Kosovës. Ai ka përmendur disa prej arsyeve pse për Vetëvendosjen kjo deklaratë është e papranueshme.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, kjo deklaratë e Thaçit me homologun malazes është e papranueshme e padrejtë dhe mashtruese. Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e Vjenës në gusht të 2015, janë 205 mijë nënshkrime të peticionit që e kundërshtojnë këtë marrëveshje, janë demonstratat më të mëdha të pasluftës në Kosovë janë mbajtur kundër kësaj marrëveshje, rezultatet e komisionit shtetërorë të drejtuar nga komisioni i profesorit Bulliqit janë shpërfillë nga kjo deklaratë”, ka vazhduar Kurti.

Ndërsa, LDK-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj karshi Marrëveshjes së Demarkacioni. Kryetari i grupit parlamanetar të kësaj partie Avdullah Hoti, ka thënë se dihet që subjekti i tij politik e mbështet marrëveshjen e gushtit për demarkacionin.

E njohësit e çështjeve politike në vend shprehen skeptik për sa i përket arritjes së votave të mjaftueshme për ratifikimin e demarkacionit, përkundër kësaj që ata e mirëprisin arritjen e kësaj aneks-marrëveshjeje.

Politologu Ramush Tahiri, edhe pse e sheh me sy pozitiv deklaratën e përbashkët të të dyja shteteve, ai nuk beson se Demarkacioni do të mund të ratifikohet në Kuvend.

“Është deklaratë e mirëpritur në frymën e bashkëpunimit fqinjësor ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, dy shtete sovrane e të pavarura, që dëshirojnë të zgjidhin çështjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet të dyja vendeve sipas parimeve të mirënjohura. Mbetet të shihet se a do ta përkrahë Kuvendi i Kosovës Presidentin Hashim Thaçi, që është edhe nënshkrues i marrëveshjes si Ministër i Jashtëm e tash një lloj garantuesi si President. Nuk besoj se Kuvendi i ka votat e dy të tretave të deputetëve, sepse nuk ka ndryshuar pikëpamja e partive të cilat me argumentin e bërjes keq të demarkacionit erdhën në pushtet”, ka deklaruar për Gazetën Infopress Tahiri.

E sipas analistit Imer Mushkolaj, kjo aneks-marrëveshje mund të jetë zgjidhje e çështjes së demarkacionit që është bllokuar për më shumë se dy vite

“Kjo duket të jetë zgjidhja e vetme për të dalë nga bllokada. Deklarata shpreh vullnetin e mirë të të dyja palëve, por, përtej kësaj, duhet të detajohet procesi i zgjidhjes së çështjeve të kontestuara, të përcaktohet afati kohor, si dhe metodologjia”, ka thënë Mushkolaj.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400