Ukë Rugova deklarohet i pafajshëm

11:36 / E mërkure, 11 Janar 2017

Në gjykimin për dhënien e paligjshme të vizave italiane shengen Ukë Rugova u deklarua i pafajshëm.

 Në seancën fillestare të gjykimit të 20 personave për lëshimin kundërligjor të vizave italiane shenjen në këmbim të pagesës, Ukë Rugova u deklarua i pafajshëm.Aktakuza ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve nuk u lexua, por u konsiderua e tillë.

Të pafajshëm përveç Ukë Rugovës u deklaruan edhe 19 të akuzuarit tjerë.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Në gjykimin e Ukë Rugovës dhe 19 personave tjerë të akuzuar për lëshimin e paligjshëm të vizave italiane shengen në këmbim të përfitimit material është duke u zhvilluar seanca fillestare.

Kthimi në fillim i këtij gjykimi, ndodhi pasi gjyqtari Vladimir Micula i kërkoi prokurorit Allen Cansik konkretizimin e veprimeve të të akuzuarve.

Këtë konkretizimim e kishte kërkuar gjyqtari tjetër i EULEX-it Victor Partal i cili e kreu misionin, ndërsa gjykimi i Rugovës dhe të tjerëve iu nda pastaj Vladimir Miculës.

Prokurori Allen Cansik në dhjetor të vitit të kaluar ndryshoi aktakuzën ndaj Rugovës dhe grupit të cilit prokuroria pretendon se ai e udhëhoqi, duke e zvogëluar për disa muaj periudhën kohore në të cilën të akuzuarit sipas organit të ndjekjes kryen veprimet e tyre të paligjshme.

Në seancën e sotme, si edhe në seancat e kaluara mungoi e akuzuara Liridona Beqiri dhe avokatët Isa Salihu e Fitim Vokshi, por gjyqtari Vladimir Micula nuk e shtyu seancën për shkak të këtyre mungesave.

Micula tha se për Liridona Beqirin por edhe dy të akuzuarit tjerë Hasan Shaqirin e Haxhi Islamin seanca fillestare do të mbahet më 18 janar, ndërsa nuk e veçoi procedurën ndaj tyre me arsyetimin se askund në Kodin Penal të Kosovës nuk shkruan se seanca fillestare ndaj të gjithë të akuzuarve të një procesi duhet të mbahet të njëjtën ditë.

Në seancë, avokati Afrim Salihu tha se aktakuza është ngritur pa u respektuar afati i hetimeve.

Sipas Salihut, afati i hetimeve prej dy vjet e gjashtë muajsh për këta të akuzuar ka kaluar që 25 ditë.

Gjyqtari Micula tha se e kupton atë që dëshiron ta thotë avokati Salihu, por i sugjeroi atij që këto që po i thotë për aktakuzën t’i shfrytëzojë në kohën kur zhvillohet seanca e kundërshtimit të aktakuzës.

Seanca fillestare ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve ishte zhvilluar më 30 korrik 2016, ndërsa të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm dhe avokatët kishin kundërshtuar aktakuzën e prokurorit Cansick.

Por në dhjetor prokurori ndryshoi aktakuzën dhe gjykimi u  kthye në pikën zero.

Sipas aktakuzës, Ukë Rugova ka krijuar organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar aktivitetet e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimit material duke furnizuar individë me Viza Shengen të BE-së nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga 31 korriku 2012 deri më 5 shkurt 2014 Ukë Rugova ka udhëhequr grupin kriminal në marrjen e 556 vizave italiane shengen nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400