Ushtria e Kosovës në koordinim me NATO-n

08:56 / E mërkure, 15 Nëntor 2017

 

Drejtuesit e institucioneve më të larta shtetërore pohojnë se Kosova shumë shpejt do ta themelojë ushtrinë e saj në partneritet me NATO-n.

Në konferencën rajonale të sigurisë, me temën “NATO-ja dhe Ballkani Perëndimor, dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, liderët e institucioneve të Kosovës shtruan çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Ndërkaq, përfaqësuesit e NATO-s ritheksuan rëndësinë që ka ruajtja e paqes në Ballkan për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se rruga dhe koha deri te transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrinë e ardhshme nuk është e largët, shkruan tutje “Zëri”.

“Ne synojmë të bëhemi anëtar më të drejta të plota të Aleancës Veriatlantike. Ne krenohemi me Forcat e Sigurisë së Kosovës, një organizatë që është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Falënderojmë po ashtu KFOR-in për punën profesionale që është duke bërë në këtë partneritet me FSK-në”, ka thënë Veseli.

“Natyrisht, presim që shumë shpejt ta bëjmë edhe transformimin përfundimtar të Forcës se Sigurisë së Kosovës në ushtri të ardhshme. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është e sigurt është se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet në partneritet me NATO-n në ditët në vijim”, theksoi Veseli.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova si partnere e kësaj organizate e meriton ta ketë ushtrinë e saj.

Kësisoj, ajo do të mundë ta ndihmojë NATO-n në procesin e saj drejt sigurisë rajonale.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400