Vdekja e rojes së pallatit, rrëfimi prekës i djalit: E gjeta babain të ngrirë nga i ftohti

09:16 / E martë, 10 Janar 2017

 

Një 52-vjeçar humbi jetën si pasojë e temperaturave të ulëta.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në Golem të Lushnjës. Sipas të dhënave të Policisë, viktima është shtetasi Bashkim Çepa, i cili punonte si rojë në një pallat.

Për t’u bërë ballë temperaturave që shënonin disa gradë nën zero, ai ka ndezur në një ambient të mbyllur në katin e parë të pallatit një zjarr për t’u ngrohur. Por si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje, shkaktuar jo vetëm nga acari por edhe nga tymi i zjarrit, ai ka pasur probleme me zemrën.

Për shkak se ai vuante prej 4 vitesh nga problemet e zemrës, asfiksia e tymit ka qenë vdekjeprurëse.

Në orët e para të mëngjesit, atë e ka kërkuar në telefon i biri dhe babai. Pasi nuk u është përgjigjur, ata i kanë shkuar në vendin ku bënte roje. Aty i biri e ka gjetur të atin gati pa ndjenja dhe thuajse të ngrirë.

Ai e ka çuar menjëherë në spital, por mjekët kanë konstatuar se 52- vjeçari nuk kishte shenja jete. Burime të spitalit konfirmuan se Çepa kishte ndezur një zjarr për t’u ngrohur në këto ditë të ftohta dimri, teksa ishte në orarin e punës, por është asfiksuar nga tymi çka e tregojnë mushkëritë e bllokuara.

Më pas, gjatë natës, gjendja është përkeqësuar edhe si pasojë e ngricës dhe 52-vjeçari nuk ka arritur dot t’ia dalë në kushtet kur ka qenë i vetëm, pa asnjëri afër që të mund ta ndihmonte dhe ta niste në kohë në spital.

Për ngjarjen është sinjalizuar edhe Policia e Lushnjës, e cila mbërriti në vend dhe nisi hetimet.Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, në trupin e viktimës nuk ka pasur shenja dhune dhe vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Bashkim Çepa ishte baba i tre fëmijëve.

Prej tri vitesh punonte si roje në një pallat në Golem. Edhe më herët për të mbajtur familjen ka punuar si roje në parkingje të ndryshme. Familja Çepa e kishte të vetmen pagesë me të cilën ushqeheshin anëtarët e saj. Ky është rasti i tretë që i ftohti shënon viktima në Shqipëri. Një ditë më parë u shënua një tjetër viktimë në Sarandë dhe më herët edhe një endacak në Durrës.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400