Vetëm dy nënkryetare komunash në gjithë Kosovën

21:22 / E shtunë, 13 Janar 2018

 

Nga 38 komuna sa ka Kosova, 25 nga to i kanë emëruar nënkryetarët, prej tyre vetëm dy janë gra.

Suhareka dhe Zubin Potoku janë dy komunat që postin e nënkryetarit ua kanë besuar grave, raporton KTV.

Megjithatë, shoqëria civile nuk është e kënaqur me këtë përfaqësim, duke thënë që problemi qëndron te partitë politike, pasi ato politikat e brendshme nuk i kanë të orientuara kah barazia gjinore.

Roberta Osmani nga “Demokraci Plus” thotë se duhet të ketë numër më të madh të përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, jo pse kjo u garantohet me ligj, porse , sipas saj, gratë e kanë dëshmuar që mund të marrin përgjegjësi si në nivel lokal edhe në atë qendror.

Deputetja nga radhët e PDK’së, Xhevahire Izmaku, e cila para 10 vjetëve ka qenë nënkryetare në Komunën e Vushtrrisë, thotë se përvoja në nivelin lokal është shumë e rëndësishme, sidomos për gratë, por që, sipas saj, te ne ende politika po konsiderohet si një arenë e fuqisë.

Izmaku thotë se ka ende nevojë për trajnim për demokraci të brendshme te partitë politike.

Edhe nga Nisma për Kosovën thonë që nuk janë të kënaqur me përfaqësimin e grave në vendimmarrje.

Në disa komuna, gratë kanë arritur të zgjidhen kryesuese të kuvendeve Komunale sikurse në Ferizaj dhe Skenderaj.

Në mandatin e tashëm të Kuvendit të Kosovës, gratë përfaqësohen me 30 për qind, respektivisht nga gjithsej 120 deputetë, 38 janë gra.

Numër i ulët i grave është edhe në ekzekutiv, ku nga 21 ministri, vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400