Vetëvendosje: AAK po e vazhdon traditën e PDK’së për rrënimin përfundimtar të Telekomit

11:53 / E shtunë, 23 Qershor 2018

Lëvizja Vetëvendosje, e ka akuzuar AAK’në se po e vazhdon traditën e PDK’së duke emëruar në krye të ndërmarrjeve publike persona partiakë. Kjo parti, duke kujtuar emërimin e Gent Begollit në krye të Telekomit nga Ramush Haradinaj, konsideron se kjo dëshmon aleancën për kapjen e shtetit të Kosovës.

 

Postimi i plotë i VV’së:

Aleanca për kapjen e shtetit të Kosovës
Në kohën kur vetë qeveria pranon se Telekomi i Kosovës është duke u përballuar në një situatë të vështirë financiare që ka ardhur para së gjithash për shkak të menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje, Bordi i kësaj kompanie ka emëruar në krye ¬të kësaj kompanie Gent Begollin, një zyrtar të AAK-së, pa asnjë eksperiencë në fushën e telekomunikacionit dhe të menaxhimit.
Kuvendi i Kosovës, në disa diskutime në lidhje me Telekomin, ka kërkuar që Qeveria të ndërmarë masa për nxerjen nga kriza të kësaj kompanie. Emërimi i Begollit tregon se ky pushtet është duke e bërë saktësisht të kundërtën, pra, po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja, e cila për vite me radhë përdori këtë kompani për qëllime politike, elektorale e korruptive.
Është pikërisht kjo qasje e ndjekur gjatë nga partitë e pushtetit, që ka sjellur kompaninë më fitimrurëse në Kosovë buzë falimentimit, praktikë kjo që është përcjellur edhe në kompani të tjera publike, të cilat pasi janë zhvlerësuar tejmase, u janë dhënë grupeve të interesit të lidhura me pushtetin nëpërmjet privatizimeve abuzive.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka folur e shkruar shumë mbi qasjen e pushtetit që e ka sjellur Telekomin dhe kompani tjera publike në prag të kolapsit, herë me qëllim dhe herë për shkak se thjesht nuk ka pasur dije e përgatitje profesionale.
Kur një drejtor menaxhues emërohet në një kompani publike pa pasur ekspertizën e duhur, ai e di se është aty duke iu falenderuar partive në pushtet, dhe, kur kjo ndodhë, vendimet e tij do të jenë të orientuara më shumë drejt shpagimit të borxheve ndaj politikës sesa drejt zhvillimit të kompanisë.
Tekekomi i Kosovës, përkatësisht ish-PTK, është ngritur me mund e sakrifica nga profesionistët vendor në dekadën e parë pas luftës, kurse është shkatërruar nga partitë politike në dekadën e dytë të tij.
Gjatë një numri të madh të diskutimeve publike dhe të brendshme, VETËVENDOSJE! ka paraqitur një plan të përgjithshëm për nxerrjen e PTK-së nga kriza, me masa konkrete e të detajizuara për zhvillimin e kësaj kompanie, e cila ka qenë bartëse e sektorit më të fitimprurës të kësaj epoke, telekomunikacionit.
Përkundër faktit se kjo kompani në vazhdimësi është dëmtuar nga politika e korruptuar, në një ambient tërësisht zhvatës të krijuar nga bordet krejtësisht politike, si rezultat i ekspertizës së krijuar në fillimet e saj, kjo kompani u ngrit deri në masën sa në vitin 2009 pagoi dividendë prej 200 milionësh për Buxhetin e Kosovës. Mirëpo, politika e korruptuar dhe e papërgjegjshme, pati pasoja të rënda për këtë kompani dhe sot ajo përballohet me rrezikun e falimentimit.
Emërimi i Begollit në krye të kësaj kompanie rrezikon të jetë një goditje finale ndaj një biznesi publik që në botën bashkëkohore konsiderohet të jetë tregu më fitimprurës dhe me ndikim të madh në zhvillim në sektorët tjerë të ekonomisë. Falimentimi i Telekomit mund të jetë i pashmangshëm nëse ne nuk i dalim në rrugë korrupsionit të instaluar në këtë sektor nga të partitë politike që deri sot patën pushtet.
Goditje e rëndë ndaj kompanisë më të madhe publike, Telekomit, përveç se nëpërmjet korrupsionit, ka ndodhur edhe me bartjen e ndikimit industrial, i cili anti-ligjor e kundër parimeve të OECD-së, e që ka ardhur para së gjithash nga PDK-ja, por që është përcjellur edhe nga AAK-ja, LDK-ja dhe të gjitha partitë që deri sot kanë pasur pushtet. Njerëz me interesa në sektorin privat të telekomunikacionit kanë pasur kompetenca vendimmarrëse në Telekom. Këta njerëz gjatë marrjes së vendimeve, i kanë pasur primare interesat private dhe kanë lansuar e zbatuar politika që kanë dëmtuar Telekomin, për interesa të bizneseve private të lidhura me partitë politike. Qysh moti, VETËVENDOSJE!, profesionistë dhe ekspertë të ndershëm vendas si dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile kanë alarmuar opinionin publik dhe institucionet kosovare, përfshirë këtu edhe organin më të lartë të vendit, Kuvendin.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dhënë zgjidhjen për të dalur nga kriza, por qeveria është duke u sjellur me shpërfillje mbi këto propozime. Pasojat do të jenë shumë të rënda.
Ne konsiderojmë se falimentimi eventual i Telekomit do të ketë pasoja të shumta për ekonominë e Kosovës: jo vetëm për faktin se do të hedhë në rrugë mijëra punëtorë, por se do të ndikojë negativisht në sjelljen e teknologjisë për sektorët tjerë të ekonomisë, për nxitjen e inovacionit, dhe madje edhe për sigurinë kibernetike të vendit.
Me fjalë të tjera, ne nuk përballohemi vetëm me zhbërjen e një kompanie publike, por jemi në prag të shkatërrimit të një lokomotive të zhvillimit në ekonominë moderne të vendit. Shkatërrimi i kësaj kompanie do të pamundësojë prospektet e Kosovës që të ndërtojë një ekonomi funksionale, do të thellojë varfërinë e do ta rrisë papunësinë. Kjo duhet të shqetësojë gjithkënd dhe jo vetëm politikën.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400