Viktima në Korçë baba i 2 fëmijëve, pas divorcit s`kishte banesë (Foto)

08:18 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Zbardhen detaje të dhimbshme nga jeta e prerë në mes nga i ftohti ekstrem për 60- vjeçarin në Korçë, duke e çuar kështu në 4 numrin e personave që humbën jetën në këto ditë dimri, për shkak të motit me acar.

Viktima i identifikuar si shtetasi Ilia Lifo është gjetur i pajetë në një punishte të vjetër, të cilën e kishte përshtatur si banesë prej gati një viti.

60-vjeçari është gjetur rreth orës 10:00, në ambientet e braktisura të ish- Poligonit të bonifikimit, një zonë periferike dhe me shumë pak lëvizje. Sipas të dhënave, trupi është konstatuar nga disa të njohurit e tij, të cilët banonin në afërsi të kësaj zone, raporton “Panorama”.

Pasi kanë shkuar mëngjesin e së martës për ta thirrur, ata kanë hyrë brenda ku edhe e kanë gjetur atë të pajetë. Menjëherë sapo është lajmëruar, policia ka shkuar në vendngjarje dhe pasi ka rrethuar godinën e amortizuar ka nisur kryerjen e veprimeve. Ilia Lifo prej një viti banonte i vetëm.

Në gërmadhën e përshtatur si banesë kishte vetëm pak orendi shtëpiake, mes së cilave edhe një sobë për t’u ngrohur dhe një krah me dru, që ai i kishte mbledhur për t’i përdorur në këto ditë të acarta. 60- vjeçari Lifo ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë, një djalë të martuar dhe një vajzë.

Por ai jetonte i vetëm, larg fëmijëve të tij. Prej më se një viti, ai ishte strehuar në godinën e braktisur dhe nuk kishte kontakte me të afërmit e tij, ndërsa mësohet se konsumonte alkool, pavarësisht faktit se kishte edhe probleme shëndetësore.

Sipas burimeve nga policia, gjatë ekspertizës së kryer paraprakisht rezultoi se Lifo ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit. Ai vuante edhe nga diabeti, si dhe nga problemet kardiake, çka ka shtuar dyshimet se përdorimi i alkoolit mund ta ketë rënduar më shumë gjendjen e tij.

Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, çka të nxjerrë në konkluzionin se vdekja ka ardhur për shkak të temperaturave nën zero.

Fillimisht u mendua se 60- vjeçari ishte një endacak, por kjo u mohua nga përgjegjësja e qendrës sociale Korçë, Irena Bozdo. Sipas saj, Ilia Lifo trajtohej me kemp të plotë.

“Ne e njohim rastin në fjalë dhe personi nuk mund të quhet një endacak. 60- vjeçari trajtohej me pension invaliditeti, ka të afërm, dy fëmijë të rritur. Për aq sa ne e kemi trajtuar, di të them se ka qenë zgjedhja e tij të banojë tek ajo ngrehinë. Është një invalid pune, kishte probleme me zemrën. Trajtohet me pagesë nga sigurimet në masën 14.250 lekë dhe nga shërbimi social shtetëror paguhej me 3300 lekë (të rinj). Ishte i pastrehë dhe i përfshirë nga bashkia për bonusin e strehimit me subvencionim të qirasë. Lypës nuk ka qenë asnjëherë”, u shpreh ajo.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400