Vizitorët në Prizren ankohen për ngacmime seksuale

17:36 / E diell, 17 Qershor 2018

Erdiz Driza ka një bujtinë në Prizren, por që atij kohëve të fundit, shpesh po i ndodhë që mysafirët të kthehen të traumatizuar nga shëtitjet në këtë qytet.

Driza ka treguar rastet kur turistet e huaja janë ngacmuar seksualisht, madje edhe tentim për marrëdhënie seksuale. Ai thotë se ka raste kur përveç prekjeve, disa persona po ua tregojnë rrugën gabimisht turistëve, me qëllim që t’i ngacmojnë seksualisht.

“Tash është hera e tretë që po ndodhë një dukuri e tillë. Na jena mësu me ju fol, po ata të huajt nuk e marin shumë të rëndë. Mirëpo, kur po ndodhë me i prekë, është gjë shumë e keqe. Me i ndal në rrugë e me ju ngjitë, ose po jau tregojnë rrugën gabim e po i shtijnë në rrugë të tjera, e po tentojnë me i prekë”, ka thënë Driza.

Ai ka treguar se këto raste nuk po raportohen në Polici, për shkak se turistët nuk po dëshirojnë që kohën e tyre ta humbin duke u marrur me policë.

“Nuk po raportohen në Polici, për shkak se koha e tyre e qëndrimit në Prizren po është e vogël. Ata nuk po kanë dëshirë që për dy ditë që rrinë në Prizren, me u marrë me Polici. Për këtë edhe po përtojnë me i raportu”, tha ai për Insajderi.

Pronari i një lokali në Prizren, tregoi një rast, ku disa të rinjë e kishin plaçkitur një turist nga Japonia, dhe dëmi më i madh ishte vjedhja e pasaportës, për të cilën ai ishte dashur që të pres 10 ditë, deri në momentin kur i është sjellur pasaporta e re nga vendlindja e tij, Japonia.

“Ka ndodhur një plaqkitje, ku disa të rinj e kanë rrahë një japonez dhe ia kanë marrë qantën. Ky rast është paraqitur në Polici, por që nuk janë gjetur ende fajtorët. Ai turisti ka vuajtur për shkak se është dashur që të pres 10 ditë derisa ia kanë sjellë pasaportën nga Japonia, për arsye se ia kishin vjedhur”, ka thënë Driza.

Për të gjitha këto ngjarje nuk janë të njoftuar Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria Rajonale e Policisë.

I kontaktuar nga Insajderi, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se nuk ka informata për raste të tillë, duke kërkuar nga qytetarët, që të drejtohen në Polici, në momentin kur të hasin në këso ngacmimi.

“Nuk jemi të informuar për këso rastesh. Është Policia ajo që duhet ta dijë më mirë. Por, unë kërkoj nga të gjithë qytetarët, që në momentin kur të hasin në raste të tilla, t’i drejtohen Policisë, në mënyrë që ajo të merr masa dhe të ndalohen këto gjëra”, ka thënë Haskuka.

Edhe Zëdhënësi Rajonal i Policisë, Hazir Berisha, teksa ka folur për Insajderi, ka thënë se në Polici nuk janë raportuar raste të ngacmimeve seksuale në Prizren. Ai shtoi se Policia e Kosovës, në momentin kur të adresohet si problem do të marr masa ndaj të gjithë atyre që bëjnë këso veprimesh.

“Ne ende nuk kemi pasur raportime për raste të tilla. Por, në momentin kur të raportohen Policia jonë, edhe i posedon edhe do t’i vërë në funksion të gjitha mekanizmat e nevojshme për të ndërmarrë masa ndaj persona që bëjnë gjëra të tilla”, ka thënë Berisha.

Qytetari prizrenas, Erdiz Driza, ka shfaqur gjithashtu shqetësimin e tij, për atë se nëse vazhdohet me këso ngacmimesh seksuale, mund të shkaktohen dëme për turizmin e Kosovës.

“Kjo mund të ju shkaktojë probleme turizmit në Kosovë. Tani kur kemi hyrë në Nacionale Geography, nëse flitet për raste të tilla, atëherë bijmë në sy për të keq si shtet sa i përket turizmit”, ka thënë Driza.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400