Zbulohen fakte të “hasmërisë” së viteve 90-a të Xhavit Halitit me familjen e Arben Gashit (Dokument)

15:03 / E diell, 20 Maj 2018

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti dhe familja e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, nga Ruhoti i Pejës, kanë hasmëri të vjetra qysh nga vitet ‘90.

 Vëllai i Arben Gashit, Flamuri, përflitet se ka qenë një prej njerëzve që më së shumti i ka dëmtuar eksponentët e LPK-së në Tiranë, si bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë në kohën sa ky shërbim udhëhiqej nga Bashkim Gazideda.
 Në Tiranë, shumicën e kohës kishte vepruar edhe Xhavit Haliti, i cili ishte në krye të organizimeve të lëvizjes kombëtare atje.

Flamur Gashi, vëllai i deputetit Arben Gashi, i ishte bashkuar Partisë Demokratike dhe Sali Berishës në Shqipëri, duke u bërë një prej kosovarëve më të besueshëm të tij, të cilin e kishte emëruar pastaj edhe Ambasador të Shqipërisë në Bosnje e Hercegovinë, sapo kishte marrë shtetësinë e Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, si bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, në kohën e Gazidedës, domeni i veprimtarisë së vëllait të Arben Gashit thuhet se ishte vetëm survejimi i eksponentëve të LPK-së dhe veprimtarisë së tyre në Shqipëri.

Por, dyshimet e njerëzve të LPK-së ndaj familjes Gashi nga Ruhoti i Pejës ishin edhe më të mëdha.

Bazuar në dokumentet serbe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, autoritetet serbe kishin arritur të rekrutojnë një shqiptar nga Ruhoti i Pejës menjëherë pas demonstratave të vitit 1968, i cili ishte edhe vetë pjesë e organizimit të atyre demonstratave.

Ky i rekrutuar i autoriteteve serbe, përshkruhet si ish-mësues që më vonë kishte punuar edhe si referent për pranimin e punëtorëve në Organizatën Hidroekonomike të Pejës, të quajtur “Erozija”.

Infokusi ka siguruar një dokument ekskluziv të CRDB-së, i cili mban datën 6 maj 1999, ku përmendet lidhja operative e tyre nga fshati Ruhot i Pejës.

Gjatë periudhës 1991-1998, sipas informacioneve që posedon Infokusi, me direktiva të CRDB-së, mësohet se mbi 50-60 herë kishte shkuar “ilegalisht“ në Shqipëri përmes Liqenit të Tuzit, gjoja për të vizituar djalin e tij të madh, që në vitin 1991 kishte ikur në Shqipëri.

Linja informative e autoriteteve serbe „Lidhja Operative e Ruhotit“, thuhet se raportonte edhe për aktivitetin ilegal të eksponentëve të LPK-së në Shqipëri.

Kjo linjë vlerësohet se i kishte bërë dëme të mëdha çështjes kombëtare, sepse kryesisht aktiviteti për çlirim dhe luftë të armatosur në Kosovë organizohej në Shqipëri.

Si lidhje operative e shërbimit sekret jugosllav, “Lidhja Operative e Ruhotit” përshkruhet në shumë dosje serbe dhe në të gjitha kombinimet ato lidhen me dosjen e një ish-veprimtari, që kishin arritur ta rekrutojnë, të cilit Infokusi nuk i zbulon emrin meqë nuk ka arritur ta konfirmojë.

Sipas njerëzve të afërt me ngjarjet e atyre viteve, ky njeri duke pasur kontakte me atdhetarë të dëshmuar të ish-ilegales së Kosovës, në mënyrë permanente i kishte dëmtuar proceset në përgjithësi dhe individët në veçanti, përfshirë këtu edhe Xhavit Halitin dhe aktivitetin e tij organizativ në Shqipëri.

Përgjatë luftës 1998-1999, mësohet se ky njeri ishte marrë në pyetje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila edhe i kishte ndaluar atij veprimtarinë në zonat ku vepronte.

Si bashkëpunëtor i shërbimit serb, autoritetet serbe mësohet se i kishin dhënë atij edhe revole me leje sikurse policëve lokalë dhe njerëzve besnikë të tyre në Rrafshin e Dukagjinit.

Vlen të theksohet se në dosjen personale, ky njeri përshkruhet si i lindur në Mamuraz të Shqipërisë në vitin 1942, prej ku familja e tij menjëherë ishte shpërngulur nga Shqipëria në fshatin Ruhot të Pejës, ku edhe sot jetojnë./Infokusi.com

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400