Zgjatet telenovela e autobusëve të rinj prej Shpend Ahmetit (Dokument)

19:08 / E enjte, 12 Tetor 2017

 

Edhe dy muaj bëhet një vit që kur në Prishtinë kanë arritur autobusët e parë të shumëpërfolur për “Trafikun Urban”. Kjo kohë ishte parë edhe si zgjidhja e hendekut ndërinstitucionalë për t’i sjellë ata në Prishtinë. Por, me gjasë do të kalojë viti dhe nuk do të kompletohet e gjithë flota e tyre prej 51 sosh, për aq sa edhe është bërë pagesa në vlerë prej rreth 10 milionë eurove.

Kryetarit Shpend Ahmeti nuk po i dalin llogaritë për rregullimin e kompletë transportit publik siç kishte premtuar në zgjedhjet e vitit 2013, e aq më pak për sjelljen e 21 autobusëve të rinj në Prishtinë të cilët janë blerë më një kredi të marrë nga BERZH.

“Në pillë. Në qershor. Në fund të gushtit. Kah fillimi i tetorit, si të rinovohen komplet garazhet”, këto kanë qenë arsyetimet në kohë të ndryshme të kryetarit Ahmeti për vonesat e 21 autobusëve të rinj.

Edhe përkundër përimtimit të fundit të kryetarit Ahmeti që ata do të vinë në tetor, sipas dokumenteve zyrtare, autobusët e blerë nga kompania çeke “Iveco” nuk do të mund të vijnë para vitit të ardhshëm.

Kjo, për shkak se Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja komunale “Trafiku Urban” nuk i kanë paratë për të paguar TVSH-në dhe shpenzimet e sigurimit për ta.

Në buxhetin e vitit 2018 të Komunës së Prishtinës, i cili është miratuar para pakë javëve në Asamblenë komunale e të cilin e ka parë lajmi.net, është miratuar pozicioni për pagesën e TSVH-së për autobusët, që është në vlerë prej 800 mijë euro. Ai buxhet nuk mund të shpenzohet gjatë vitit 2017, ndërsa në buxhetin e vitit 2017 nuk është kërkuar asnjëherë nga Asambleja rishikimi i buxhetit për të ndarë mjetë për të kryer obligime për autobusë brenda vitit 2017.

“Kanë pas me u leshu garazhet, por as ato nuk u lëshuan as autobusët nuk kanë ardhur, nuk kamë informata”, tha për lajmi.net, Hafir Hamiti, sekretar në NP “Trafiku urban”. Ndërkohë, Kryshefi i Ndërmarrjes “Trafiku urban”, Halil Mustafa ka qenë i pakontaktueshëm.

Në një prononcim për media, kryetari Shpend Ahmeti kishte thënë se autobusët do të vinë pasi të kryhet i gjithë renovimi i garazheve të “Trafiku Urban”, ndërkaq punëkryesi i projektit ka tejkaluar të gjitha afatet e kontratës.

Kryshefi, Halil Mustafa kishte dhënë deklaratë për media ndryshe nga Ahmeti. “Nuk kanë ardhur ende ngase nuk i kemi paratë për të paguar TVSH-në për ta”, ka thënë ai.

Kryetari Shpend Ahmeti, para pakë ditëve, gjatë fushatës zgjedhore derisa po e shpaloste Planin e mobilitetit për Prishtinën tha se “shumë shpejtë pritët të vinë edhe autobusët e rinj, pasi që garazhet janë rinovuar, thuajse”. Ndërkohe, me 25 shtatorë ka publikuar një fotografi në rrjetin social “instagram”, ku tregon garazhet. “Garazhet e renovuara të Trafikut urban para përfundimit. Autobusët e rinj në garazhe të reja”, ka shkruar në përshkrim të fotografisë Ahmeti.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400