Zjarr, gaz, gurë, protesta dhe 80 votat pro Demarkacionit (FOTO)

00:10 / E enjte, 22 Mars 2018

 

Marrëveshja e gushtit të vitit 2015 për të shënuar vijën kufitare me Malin e Zi, ishte shkaku që në rrugët e Prishtinës plasi dhuna.

Protestat e janarit të vitit 2016 u manifestuan me hedhje gurësh, përleshje mes protestuesve dhe policëve, arrestime dhe hedhje të gazit lotsjellës, shkruan Indeksonline.

Këto protesta ishin organizuar nga opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Të tri partitë kishin rënë dakord të protestonin kundër Demarkacionit me shtetin fqinj me arsyetimin se po bëhej padrejtësi meqë kufiri ishte në Kullë e Çakorr, shkruan Indeksonline.

Deputetët opozitarë e kundërshtuan marrëveshjen edhe në Kuvend, ku hodhën gaz lotsjellës duke mos lejuar votimin e saj.

Po në vitin 2016, u sulmua me zollë edhe ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, për çka u akuzuan për terrorizëm 5 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi e Astrit Dehari. Aktivistët u morën në paraburgim, ku më 5 nëntor të të njëjtit vit, aktivisti Astrit Dehari vdiç në burgun e Prizrenit në rrethana akoma të paqarta. Për të është kërkuar hetim ndërkombëtarë, por që një i tillë nuk ka nisur akoma, shkruan Indeksonline. Ndërsa, aktivistët tjerë u liruan në shkurt të këtij viti me vendim të Gjykatës së Apelit.

Pas tri viteve, deputetët e Kuvendit të Kosovës arritën sot ta ratifikojnë marrëveshjen e Demarkacionit me 80 vota pro të cilat koalicioni qeverisës PDK-AAK-Nisma-AKR, arriti t`i siguronte me shumë vështirësi. Kjo për shkak të dilemave që deputetët kishin rreth çështjes se a do të humbte Kosova territor apo jo.
Atyre mendjen ua theu marrëveshja e nënshkruar mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij malazez, Filip Vujanoviq, sipas të cilës Demarkacioni do të rishikohej dhe nëse do të gjendet ndonjë gabim ajo do të përmirësohet pas ratifikimit.

Ishin sërish deputetët e Vetëvendosjes ata që e kundërshtonin votimin pro të një marrëveshje të tillë. Ata hodhën gaz lotsjellës për 4 herë radhazi, çka bëri që një numër i deputetëve të tyre të përjashtohen nga Kuvendi, shkruan Indeksonline.

Marrëveshja që u nënshkrua nga deputetët përmbanë marrëveshjen e vitit 2015, marrëveshjen e nënshkruar të të dy presidentëve, si dhe raportin e Komisionit të Shpejtim Bulliqit rreth Demarkacionit. Ky raport ishte prezantuar në Qeveri dhe ishte pranuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në marrëveshjen e votuar përdoret vetëm si pikë orientuese.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400