Basha: Opozita e bashkuar, platformë për zgjedhjet

14:56 / E mërkure, 11 Janar 2017

 

Partitë e opozitës me në krye Partinë Demokratike kanë publikuar këtë të mërkurë qëndrimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat, siç tha Lulzim Basha, duhet të vendosë vullneti qytetar dhe jo ai kriminal, siç e ka quajtur ai.

“Sot kemi mbajtur një takim të opozitës parlamentare, që vjen pas një koordinimi paraprak edhe me opozitën joparlamentare, dhe kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin tonë për zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi i unifikuar i opozitës është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por qytetarët. Nuk mund të vendosin varfëria dhe korrupsioni qeveritar, por vullneti i qytetarëve”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, zgjedhjet janë në rrezik për shkak të një sërë dukurish negative si krimi, korrupsioni, moszbatimit i ligjit të dekriminalizimit, narkotrafiku, si dhe shit-blerja e votës e amnistuar nga kryeministri Rama.

“Për këtë opozita ka paraqitur një platformë që prej 17majit dhe që atëtherë Rama vetëm ka sabotuar. Sot opozita është dakord për një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në thelb të saj qëndron ajo se zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët, por qytetarët”, ka thënë Basha.

Ai ka rikonfirmuar se pikat kyçe të kësaj platforme mbeten: “votimi elektronik, kufizimi i financimeve, kufizimi mediatik dhe aspekte të tjera”.

“E reja është se kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme për shqiptarët se kjo nuk ka dhe s’mund të ketë. Ndaj opozita do të kushtëzojë çdo lëvizje të mëtejshme me platformën për reformën zgjedhorë”, ka vijuar Basha.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai ka përshëndetur qëndrimin e LSI për të shkuar në zgjedhje me lista të hapura.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400