Britania do të bëjë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë

13:17 / E martë, 21 Gusht 2018

Ministri i ri britanik për Punë të Jashtme, Jeremy Hunt, pritet që në fjalimin e tij të parë t’i bëjë thirrje Bashkimit Evropian për rritje të sanksioneve kundër Rusisë, duke thënë se blloku duhet të qëndrojë “krah për krah” me Shtetet e bashkuara, të cilat e kanë goditur Moskën me sanksione të reja ekonomike këtë muaj.

Në një fjalim që diplomati britanik do ta mbajë një Institutin amerikan të Paqes në Uashington më 21 gusht, Hunt pritet të deklarojë se pasi Rusia ka helmuar ish-agjentin rus, Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia me agjent nervor në Angli muaj më parë, BE-ja duhet t’i bëjë më shumë presion Rusisë duke e detyruar që të respektojë rregullin ndërkombëtar, raporton Rel.

“Natyrisht, ne duhet të bashkëpunojmë me Moskën, mirëpo ne po ashtu duhet të jemi të hapur: Politika e Jashtme e Rusisë nën udhëheqësin e presidentit rus, Vladimir Putin e ka bërë botën një vend më të rrezikshëm”, pritet të thotë ai në fjalim, bazuar në disa pjesë të fjalimit të publikuara nga Zyra e Jashtme britanike.

Pa ndonjë hap tjetër, Hunt pritet të thotë se “kredibiliteti” i NATO-s do të dëmtohet.

Britania, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Rusinë për sulmin me agjent nervor, Noviçok që ka sëmurë Skripalët në muajin mars në Sallsbëri.

Rusia ka mohuar përfshirjen në sulme, teksa SHBA-ja duke cituar po këtë sulm ka vendosur sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat do të nisin së aplikuari nga 22 gushti.

Sanksionet e reja i ndalojnë Rusisë blerjen e mallrave të ndjeshëm të sektorit teknologjik që prodhohen në SHBA.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400