Clapper: Inteligjenca amerikane nuk iu dha mediave dokumentin për Trumpin

11:02 / E enjte, 12 Janar 2017

 

Një zyrtar i lartë i inteligjencës i ka thënë presidentit të zgjedhur, Donald Trump se agjencitë amerikane të inteligjencës nuk e kanë shkruar e as rrjedhur në media një dokument ku hidhen dyshime se operativët rusë kanë mbledhur “informacione komprometuese” për Trumpin.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper, ka thënë se ai ka biseduar me Trump më 11 janar, pasi është publikuar lajmi se Trump, derisa është informuar për sulmet kibernetike ruse, i është thënë se dyshohet që operativët e inteligjencës ruse kanë mbledhur informacione komprometuese personale dhe financiare rreth Trumpit.

“E nënvizova se ky dokument nuk është prodhim i komunitetit të inteligjencës amerikane dhe se nuk besoj që rrjedhja në media është bërë nga dikush brenda komunitetit”, ka thënë Clapper, duke shtuar se rrjedhjet e “dëmtojnë sigurinë kombëtare”.

Para së gjithash, ka thënë ai, agjencitë e inteligjencës nuk e kanë vlerësuar burimin e këtyre informacioneve si “të besueshëm”.

Sipas Associated Press, dosja përmbanë informacione të pa verifikuara rreth bashkëpunimit të afërt të rrethit të brendshëm të Trumpit me rusët sa i përket sulmeve kibernetike ndaj llogarive të demokratëve. Aty, duke u mbështetur në burime anonime, raportohet se ka edhe pretendime të paverifikuara për aktivitete seksuale të Trumpit.

Trump është zemëruar shumë nga raportimet e mediave rreth dosjes duke e quajtur “lajm të rremë”. Ai gjithashtu ka akuzuar agjencitë e inteligjencës se e kanë rrjedhur dokumentin në media.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400