Dy Koretë pritet t’i japin fund luftës zyrtarisht

20:36 / E martë, 17 Prill 2018

 

 

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut duket se po përgatiten për herë të parë për t’i dhënë zyrtarisht fund luftës mes dy vendeve, kur udhëheqësit respektivë, diktatori Kim Jong-un dhe presidenti Moon Jae-in të takohen gjatë javës së ardhshme.

Dy Koretë janë teknikisht ende në luftë, pasi konflikti i përgjakshëm korean i viteve 1950-’53 përfundoi me një “paqe” në vend të një “traktati paqeje”.

Media koreano-jugore raporton se dy palët kanë nisur t’i diskutojnë planet për një fund të përhershëm të gjendjes së luftës gjatë samitit mes Veriut e Jugut, duke cituar zyrtarë nga Seuli që kanë preferuar të ruajnë anonimatin.

Kim pritet të shkruajë historinë kur të takohet me presidentin Moon Jae-in në samitin që do të zhvillohet në territorin koreano-jugor më 27 prill. Ai do të jetë i pari udhëheqës i Koresë së Veriut që shkel në tokën koreano-jugore që prej viteve ’50.

Dy Koretë mund të diskutojnë gjithashtu edhe tërheqjen e një numri të konsiderueshëm të Forcave të Armatosura në zonën e fortifikuar rëndshëm të demilitarizimit mes dy fqinjëve, thuhet gjithashtu në media.

Kim Jong-un pritet gjithashtu të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump në maj apo fillim të qershorit, gjithnjë nëse do t’i besohet asaj çfarë ka shkruar kreu i Shtëpisë së Bardhë. Gjithsesi, zyrtarë të administratës amerikane janë ende skeptikë për përpjekjet e papritura që po bën diktatori antiamerikan, përcjell TCh.

Javën e kaluar, i nominuari për Sekretar Shteti dhe drejtor i CIA-s në detyrë, Mike Pompeo tha se Koreja e Veriut nuk duhet të presë “shpërblime” nga bisedimet, derisa të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm drejt dorëzimit të armëve bërthamore.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400