Erdogan: Marrëdhëniet me Gjermaninë do të normalizohen pas zgjedhjeve

00:33 / E diell, 13 Gusht 2017

 

 

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë pritet të normalizohen pas zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit në vendin evropian, deklaroi sot presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë fjalimit të tij në një forum biznesi.

Erdogani u shpreh se besonte që kritikat e Evropës ndaj Turqisë ishin pasojë e politikës së brendshme, duke sjellë në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit në Holandë, pak para të cilave disa ministra turq nuk u lejuan të bënin fushatë në qytetet holandeze, duke shkaktuar mosmarrëveshje serioze mes dy vendeve.

“Tani kemi konstatuar se e njëjta taktikë po ndiqet edhe nga Gjermania. Unë besoj se marrëdhëniet do të normalizohen pas zgjedhjeve në Gjermani”, citohet të ketë thënë Erdogan nga agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu gjatë një forumi biznesi në qytetin e Ispartas.

Tensionet me Gjermaninë janë më të hershme se cikli i zgjedhjeve të fundit, por ato arritën kulmin gjatë muajve të fundit, pas arrestimit të gazetarit gjerman Deniz Yucel dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, Peter Steudtner.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400