Havaji futet në panik pas një alarmi të rremë për raketë

23:41 / E shtunë, 13 Janar 2018

 

Zyrtarët e emergjencave në Havaji thanë të shtunën se alarmi për një kërcënim me raketë balistike ishte i rremë.

Në tekstin e alarmit thuhej se drejt Havajit po vinte një kërcënim dhe se nuk ishte fjala për ndonjë alarm stërvitor. Ndërkaq banorëve u kërkohej që të gjenin strehim për t’u mbrojtur.

Alarmi shkaktoi panik kur u shfaq në celularët e njerëzve të shtunën në mëngjes, por pak pas kësaj, autoritetet thanë se fjala ishte për një gabim.

Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në Havaji Richard Rapoza tha se nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi alarmin.

Senatori i Havajit Brian Schatz tha se alarmi i rremë për kërcënim me raketë erdhi si pasojë e një “gabimi njerëzor” dhe ishte “krejtësisht i pafalshëm”.

Senatori i bëri komentet në llogarinë e tij Twitter, pasi zyrtarët e menaxhimit të emergjencave konfirmuan gabimin. Schatz bëri thirrje për përgjegjshmëri dhe për krijimin një procesi alarmesh që të jetë i imunizuar nga gabimet. /VOA/

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400