Jacob Zuma jep dorëheqje si president i Afrikës së Jugut

22:45 / E mërkure, 14 Shkurt 2018

 

Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, të mërkurën, disa ditë pasi ka shpërfillur urdhrat nga partia qeverisëse e vendit, Kongresi Kombëtar Afrikan, për t’u larguar nga pushteti, dhe në prag të një votimi mosbesimi në parlamentin e vendit.
Nëpërmjet një adresimi televiziv para kombit, në mbrëmjen e së mërkurës, udhëheqësi 75-vjeçar ka thënë se është anëtar i disiplinuar i KKA’së, të cilës i ka dedikuar jetën e tij, raporton The Guardian.

“Nuk i tutem një mocioni mosbesimi apo shkarkimi… Unë do të vazhdoj t’i shërbej popullit të Afrikës së Jugut dhe KKA’së. Do t’ia dedikoj jetën time punës së vazhdueshme për zbatimin e politikave të organizatës sonë”, ka thënë Zuma.

“Nuk duhet të humben jetë për shkakun tim. KKA nuk është dashur të përçahet për shkakun tim. Prandaj, kam ardhur tek vendimi për të hequr dorë nga posti i presidentit të republikës, me efekt të menjëhershëm”, ka deklaruar ai.

Dorëheqja e tij i ka dhënë fund një dite të jashtëzakonshme në politikën afrikanojugore, e cila kishte nisur me një bastisje në agim ndaj një familje biznesmenësh, në qendër të akuzave të fundit për korrupsion ndaj Zumas.

Ndërkaq, pasdite, zyrtarët e KKA’së njoftuan se do ta mbështesnin një mocion mosbesimi të një partie opozitare në parlament, të enjten.

Më vonë, pasdite, Zuma dha një intervistë të ashpër, për ta justifikuar refuzimin e tij për t’iu bindur urdhrave të partisë së tij për të dhënë dorëheqje.

Por, fjalimi i tij në mbrëmje ishte më i butë. Presidenti falënderoi KKA’në dhe afrikanojugorët për privilegjin që ia dhanë atij për t’iu shërbyer në nivelin më të lartë të jetës publike.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400