May mohon se Britania sulmoi Sirinë me urdhër të Trumpit

18:57 / E hëne, 16 Prill 2018

 

 

Kryeministrja britanike ka mbrojtur ndërhyrjen ushtarake në Siri. Në një raportim në Parlament, Theresa May ka deklaruar se në vendimin e saj kishte marrë parasysh interesat kombëtare të Britanisë dhe jo kërkesën e presidentit Donald Trump.

Kryeministrja britanike ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar kishte të gjitha të drejtat morale dhe legjitime për t’iu bashkuar sulmit të aleatëve në Siri.

Në një fjalim të mbajtur të hënën në Parlament, Theresa May tha se, provat për përfshirjen e regjimit të Assad në sulmin me armë kimike në Duma ishin më se të qarta dhe se vuajtjeve të popullsisë vendase i duhej dhënë fund.

May bëri me dije se Britania e Madhe kishte provuar të gjitha kanalet diplomatike, por në fund, me keqardhje, vendosi se nuk kishte alternativë tjetër përveç sulmeve të koordinuara kundër objektivave të caktuar.

Në reagimin e tyre, partitë e opozitës argumentuan se kryeministrja duhet të ishte konsultuar me ta para se të ndërmerrte ndonjë veprim.

Por, sipas BBC, sa i takon aspektit ligjor, shefes së qeverisë nuk i nevojitet konsultimi me Parlamentin përpara se të vendosë kryerjen e një aksioni ushtarak, edhe pse praktika ndiqet që prej vitit 2003, kur nisi pushtimi i Irakut.

Në fjalimin e saj, May theksoi se ishte në interesin kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar për të vepruar dhe jo sepse një gjë të tillë e kishte kërkuar presidenti Trump.

Ajo shtoi se sulmet e Perëndimit ishin gjëja e duhur për t’u bërë, pasi siç tha, përdorimi i armëve kimike nuk mund të kthehet në praktikë normale as në Siri dhe as kudo tjetër.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400