NATO po bëhet e padobishme

15:07 / E martë, 15 Maj 2018

NATO-ja, e kthyer në një trup pa jetë, mori goditjen e fundit nga presidenti Trump, në momentin që ky i fundit u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Revista e njohur “Foreign Policy”, në një shkrim të fundit, e cilëson të padobishme NATO-n, parë në dritën e zhvillimeve të fundit të politikës ndërkombëtare. “Aleanca e Atlantikut, e krijuar për t’i bërë kundërpeshë Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, nisi rënien me mbarimin e Luftës së Ftohtë. Më shumë se nevojat strategjike, ajo që e mbajti gjallë në 3 dekadat e fundit kanë qenë vlerat e rendit liberal të pasluftës”, thuhet në shkrim.

Për “Foreign Policy”, NATO-ja, e kthyer në një trup pa jetë, mori goditjen e fundit nga presidenti Trump, në momentin që ky i fundit u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Por më shumë sesa për Amerikën, pikëpyetja është më e madhe në rastin e Europës. “Ajo duhet të ndërtojë një “shtëpi” të re”, thonë politikanë dhe ish-diplomatë për revistën.
Por nuk është Trump-i problemi i kontinentit të vjetër. “Në fakt, Europa pushoi së qeni qendra gjeostrategjike në botë kur kërcënimi sovjetik u zhduk. Krizat humanitare të dekadës së ardhshme përforcuan vlerat e përbashkëta të kombeve perëndimore, por sulmet e 11 shtatorit i çuan SHBA-të drejt një fokusi tjetër: Lindja e Mesme. “Ndonëse Barack Obama rivendosi besimin e përbashkët në multilateralizmin dhe institucionet që George W. Bush kishte anashkaluar, interesat e tij shtriheshin më shumë në Paqësor. Ai dëshironte të distancohej nga gropa e mërzitshme e botës arabe në Azi. Obama donte që Shtetet e Bashkuara të përballeshin për të ardhmen, e jo për të kaluarën”, analizon revista.

François Delattre, ambasador i Francës në OKB, thotë se e sheh vendimin për Iranin si “ilustrimi më i mirë i momentit xheksonian që SHBA-të po kalojnë: momenti uni-izolacionist”. Ai e sheh tërheqjen e SHBA-ve si diçka që do të zgjasë. “Mosangazhimi ka nisur para se Trump të merrte pushtetin dhe kam frikë se do të vijojë edhe pas mandatit të tij”, thotë ai.

Në aspektin gjeostrategjik, Europa është ajo që preket direkt nga kriza në Lindjen e Mesme dhe jo Amerika. Valët me mijëra emigrantë azilkërkues në vitin 2015 nuk kanë pasur vetëm kosto financiare. Ato shkaktuan rritjen e ksenofobisë dhe ndikuan te elitat europiane.

Duke iu referuar ekspertëve, “Foreign Policy” argumenton se Europa do të jetë më e pavarur nga SHBA-të në aspektin e politikave të jashtme. “Gjatë viteve të fundit, kanë qenë SHBA-të ato që kanë ushtruar ndikim për rritjen e shpenzimeve ushtarake. Megjithatë, një politikë e jashtme e pavarur është çështje tjetër. Europa tashmë po ndjek rrugën e vet për çështje si marrëveshja klimatike apo Irani, tregtia mund të jetë çështja e radhës. Meqenëse administrata Trump nuk ka më interes të shërbejë si një ndërmjetës midis izraelitëve dhe palestinezëve, një shpërthim i ri i dhunës mund ta vendosë Evropën në rolin që Amerika ka pasur tradicionalisht. Shtetet e Bashkuara nuk janë më të shqetësuara si dikur për të drejtat e njeriut, Europa është ende”, thuhet në shkrim.

Sipas ekspertëve, kontinenti i vjetër duhet të ndjekë interesat e veta, të mbështetet të vlerat e veta, kur ato konvergojnë me të SHBA-ve apo qoftë edhe të Kinës dhe vendeve të Gjirit Persik.

Diplomatë karriere thonë se grupi EU3 (Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe), të cilat punuan së bashku në rastin e marrëveshjes me Iranin, mund të shërbejnë si bërthamë e një diplomacie të re europiane.

Në fund të shkrimit citohet një diplomat i njohur europian, që preferon të mbetet anonim. “Nuk besoj se SHBA-të e vrasin ndopak mendjen për Perëndimin. Kur u flet SHBA-ve për marrëdhëniet euro-amerikane, dukesh njeriu më qesharak në botë. Askush në administratën amerikane nuk e vret më mendjen për këtë”, thotë ai.

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400