Putin dhe Merkel bisedojnë për situatën në Siri

14:57 / E martë, 17 Prill 2018

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë biseduar për situatën në Siri dhe për projektin kundërthënës të një tubacioni të gazit në Baltik, ka njoftuar Kremlini.

Gjatë bisedës telefonike, Putin ka kritikuar sulmet ajrore të kryera javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca në Siri, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kremlini.

Ai i ka thënë Merkelit se sulmet ishin “akt i agresionit” dhe kanë shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Më 14 prill, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë goditur objektet e Qeverisë siriane, pas një sulmi të dyshuar kimik në Duma, ku u vranë dhjetëra persona.

Sipas Kremlinit, Putin dhe Merkel kanë theksuar rëndësinë e “një hetimi objektiv” mbi sulmin e dyshuar kimik nga inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Rusia pretendon se nuk ka ndodhur asnjë sulm me armë kimike, por nuk ka ofruar të dhëna për këto pretendime.

Dy liderët po ashtu kanë biseduar për projektin “Rrjedha Veriore 2”, një tubacion i gazit, që kalon nga Rusia përmes Detit Baltik për në Gjermani.

Kritikët kanë thënë se ky tubacion i gazit do të rrisë varshmërinë e Evropës nga Rusia për energji.

Shtetet e Bashkuara, Polonia dhe vendet Baltike kundërshtojnë këtë projekt. /rel/

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400