Teologu mysliman akuzohet për ngacmime seksuale

21:11 / E martë, 14 Nëntor 2017

 

 

Akuzat për ngacmim seksual ndaj një akademiku të njohur islamik kanë tronditur shumë myslimanë të Evropës, duke shkaktuar reagime të ndryshme në komunitetin e larmishëm mysliman, ndonëse shumë i tremben një reagimi të ashpër dhe të gjerë ndaj kësaj ngjarjeje të pakëndshme.

Teologu i lindur në Zvicër, Tariq Ramadan, pezulloi leksionet në Universitetin e Oksfordit javën e kaluar, pas akuzave për përdhunim dhe ngacmim seksual të ngritura nga dy gra franceze dhe akuzave të ngjashme në Zvicër. Në një deklaratë, universiteti tha se ky vendim ishte i përbashkët. Tariq Ramadani nuk i pranon akuzat.

Teksa disa analistë thonë se ylli i Ramadanit ka qenë duke u shuar vitet e fundit, ndikimi i akuzave ka qenë i jashtëzakonshëm. Veçanërisht në vendet frengjishtfolëse, teologu 55 vjeçar frymëzoi një brez të tërë myslimanësh të rinj që të besonin se Islami ishte një fe e qytetëruar në një Europë dukshëm laike. Ndryshe nga shumë klerikë fetarë, ai foli në frengjisht dhe jo në arabisht gjatë takimeve dhe simpoziumeve që zakonisht kishin shumë pjesëmarrës.

“Mendoj se kjo çështje do të sjellë ndryshime të mëdha”, tha Alexandre Piettre, specialist i Islamit në “Ecole Pratique des Hautes Etudes”, në Paris. “Ai fliste për integrimin, pa të cilin krijohen hapësira për radikalizëm politik dhe ata që nuk integrohen në perëndim, por bëjnë thirrje për një rikthim në vendet mysliman, madje dhe xhihad të armatosur”.

Tariq Ramadani është nipi i themeluesit të Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, Hassan el-Banna. Ai ka qenë gjithmonë një figurë e polarizuar. Kritikët thonë se ai ka luajtur një lojë të dyfishtë, duke fshehur Islamin Politik pas retorikës së bashkimit. Atij i ishte ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së presidentit Bush, një masë që u hoq gjatë asaj të presidentit Obama.

Diskutimet më të shumta rreth tij janë bërë në Francë, ku rreth pesë milionë myslimanë përbëjnë komunitetin islamik më të madh në Europën Perëndimore.

Në muajin prill, autoritetet franceze e dëbuan vëllain e madh të Ramadanit predikuesin Hani Ramadan, me pretendimin se ai përbënte rrezik për sigurinë publike. Predikuesi shkaktoi gjithashtu shumë zemëratë në vitin 2002 pas publikimit të një artikulli në të përditshmen franceze Le Monde, ku mbështeste vrasjen me gurë të grave që kryenin tradhti bashkëshortore, ndërkohë që vëllai i tij e dënonte këtë praktikë.

E përditshmja franceze konservative Le Figaro ngriti javën e kaluar pyetjen: “Tariq Ramadan: lojë e dyfishtë apo personalitet i dyfishtë?”, duke ngritur njëkohësisht pyetjen nëse “predikuesi karizmatik ishte gjithashtu edhe një “gjuajtës seksual”.

Këto akuza për sulme seksuale vijnë në një moment kur në gjithë botën viktimat e këtyre sulmeve po flasin, të nxitura nga skandali Harvey Weinstein-it, i cili nisi në Shtetet e Bashkuara. Muajin e kaluar aktivistja franceze Henda Ayari denoncoi në polici Ramadanin se e kishte përdhunuar brutalisht në një dhomë hoteli në vitin 2012. Pas saj, një tjetër grua franceze pretendon t’i ketë ndodhur diçka e ngjashme, sipas njoftimeve në media. Prokurorët francezë po shqyrtojnë akuzat.

Ndërkohë në Zvicrën fqinje, një gazetë gjenoveze njoftoi se katër vajza të reja pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie seksuale me Ramadanin kur ishin ende minorene dhe ai ishte mësues në shkollën e tyre. Të paktën tre nga këto incidente thuhet se nuk ishin me miratimin e vajzave. Media njoftoi edhe për një tjetër akuzë për përdhunim në Belgjikë.

Ndërkohë, i diplomuari në Universitetin e Oksfordit, Aymenn Jawad Al-Tamimi postoi një blog ku një mikesha e tij myslimane amerikane tregonte me hollësi një ngacmim seksual nga Ramadani në vitin 2013. Historia e saj përputhej me atë të dy grave të tjera franceze: një ndërveprim me Ramadanin si fillim në rrjetet sociale ku diskutohej për çështje fetare, më pas një takim në një dhomë hoteli, pasi ai thoshte se nuk dëshironte ta shikonin në publik.

“Për mendimi tim, problemi nuk qëndron në bindjet e tij politike”, tha Al-Tamimi, i cili punon për një organizatë me bindje të kundërta ndaj Ramadanit, por që thekson se nuk është pjesë e këtij debati. “Për mua problemi qëndron te përdorimi i të qenit personazh i njohur publik për përfitime seksuale”.

Ramadani i ka mohuar kategorikisht këto akuza dhe i ka paditur këto gra për shpifje.

Në një postim në Facebook ditën e shtunë, ai tha se ishte i qetë dhe se “kishte besim te drejtësia”. Për vite me radhë, ai ka bërë thirrje për gjakftohtësi, dialog dhe për një mendje të hapur dhe shkruante më tej në postim se “këto janë vlerat për të cilat kemi më tepër nevojë në ditët e sotshme”.

Stafi i Charlie Hebdo, gazetës satirike franceze, e cila ishte pre e një sulmi terrorist në 2015-ën, është kërcënuar me vdekje pas publikimit në kopertinë të një karikature të Ramadanit. Ndërkohë, ish kryeministri Manuel Valls e dënoi teologun në një postim në Twitter, duke thënë se ai “e kishte denoncuar jetën e dyfishtë të Tariq Ramadanit” për vite me radhë.

Të tjerë mendojnë se akuzat ndaj Ramadanit janë një kurth zionist, hebre ose shfaqje e një vale racizmi, teksa një grup feministesh myslimane u rreshtuan në krahun e viktimave të teologut të njohur në një deklaratë botuar në të përditshmen Le Monde.

“Të qenit mysliman nuk përbën ndonjë përjashtim kur bëhet fjalë për abuzimet seksuale”, shkruan studiuesja Fatima Khemilat.

Këto dhe të tjera reagime të ngjashme nga ana e vet myslimanëve “shënojnë linjat e krisjes në komunitetin mysliman të cilat do të forcohet më shumë në të ardhmen”, parashikon analisti Piettre, “Përfshirë të gjithë ata që janë shqetësuar nga kjo që ndodhi me Tariq Ramadanin si dhe ata që besojnë se kjo është e pamundur”.

Në intervista të ndryshme, myslimanë të shquar janë shprehur se janë në pritje që drejtësia franceze të bëjë detyrën përpara se ata të thonë fjalën e tyre.

Imami nga Bordoja, Tareq Oubrou, refuzoi një kërkesë për intervistë me justifikimin se vazhdojnë hetimet. “Kjo çështje është shumë e rëndë për personin në fjalë dhe atë që ai përfaqëson”, tha ai përmes një mesazhi.

Por M’hammed Henniche nga UAM 93, një aleancë e myslimanëve francezë në rajonin e Seine-Saint-Denis në rrethinat e Parisit tha se akuzat e ngritura kundër Ramadanit do të forconin qëndrimet dhe ndjenjat negative karshi myslimanëve.

“Kushdo që është kundër Tariq Ramadanit do të thotë se kjo është prova se islami nuk është një fe paqësore, por barbare, që i trajton femrat si objekte”, tha ai.

Kurse Abdallah Zekrit, pjestar i Këshillit Francez të Besimit Mysliman, nuk ndjen keqardhje për Ramadanin, por ama kritikon reagimet e forta.

“Tariq Ramadan është personalitet sepse media e bëri të tillë”, tha ai. “Mua nuk më ka pëlqyer kurrë, por ai nuk është dënuar nga gjykata, kështu që respektoj supozimin për pafajësi”.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400