Trump me Sirinë, si Bush me Irakun

22:58 / E diell, 15 Prill 2018

 

 

Pas rrebeshit të raketave që hodhi mbi Siri, Donald Trump iu drejtua platformës së tij të preferuar të komunikimit, ku pasi falenderoi Britaninë e Madhe dhe Francën për pjesëmarrjen në operacion, përdori fjalët “Misioni u përmbush!”.

Por, nga e gjithë cicërima e postuar nga Presidenti amerikan në rrjetin social Twitter, disa prej mediave janë ndalur gjatë pikërisht tek “Misioni u përmbush”.

Nuk është hera e parë që një President i Shteteve të Bashkuara përdor këtë togfjalësh për të përshkruar suksesin e një operacioni ushtarak, të ndërmarrë nga forcat amerikane vitet e fundit në misione që nuk kanë qenë të paktë.

Disa media kanë ironizuar deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë me anë të një fotoje ku shfaqet ish-Presidenti George W. Bush, pas të cilit qëndron e varur me shkronja të mëdha një parrullë me mbishkrimin “Misioni u përmbush!”.

Ndryshe nga operacioni rrufe i urdhëruar nga Donald Trump, misioni i Bush ishte më kompleks. Bëhej fjalë për luftën në Irak dhe rrëzimin e Saddam Hussein, që Perëndimi e akuzoi fort për prodhimin e armëve kimike, akuzë që asnjëherë nuk u vërtetua më pas në terren.

E gjitha kjo, bashkë edhe me pretendimet e palës siriane dhe Rusisë se nga 103 raketat e lëshuara, 71 u rrëzuan nga sistemet mbrojtëse ka nxitur një sërë mediash që të vënë në pikëpyetje suksesin e vërtetë të këtij misioni rrufe të SHBA, Britanisë dhe Francës.

Por, vetë Donald Trump këmbëngul se misioni ishte i suksesshëm dhe e arriti objektivin e tij dhe të gjitha lajmet që vënë në mëdyshje këtë, i quan “lajme të rreme”. Përpos kësaj, Trump zotohet që të godasë sërish Assadin nëse do të përdorë armët kimike kundër popullit të vet.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400