Trump takon Stoltenberg: Gjermania të shtojë kontributet për NATO-n

08:54 / E premte, 18 Maj 2018

Presidenti Donald Trump u takua në Uashington me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, ndërsa ekzistojnë konflikte mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë në Aleancën më të rëndësishme të Perëndimit.

 Pas takimit, ata mbajtën një konferencë shtypi, ku midis të tjerash theksuan rëndësinë e fuqizimit të Aleancës përmes bashkëpunimit dhe rritjes së kontributeve financiare nga vendet anëtare.

Zoti Trump tha se Aleanca është fuqizuar në saje të rritjes gjatë vitit të fundit të kontributeve financiare. Por ai shtoi se ka ende vende, siç është Gjermania, që duhet t’i shtojnë kontributet për Aleancën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se në saje të bashkëpunimit mes vendeve anëtare dhe fuqizimit të Aleancës, gjatë vitit të fundit janë shënuar suksese në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Trump e falenderoi zotin Stoltenberg për presionin ndaj vendeve anëtare të NATO-s për të rritur buxhetin e tyre për mbrojtjen.

Javën e kaluar zoti Trump u rezistoi udhëheqësve europianë, duke u tërhequr nga marrëveshja ndërkombëtare që synonte kufizimin e programit bërthamor të Iranit. Tre vende europiane – nënshkruese të marrëveshjes: Britania, Franca dhe Gjermania, po vazhdojnë ta mbështesin marrëveshjen, edhe pse Trump ka thënë se ajo nuk ka bërë asgjë për t’i parandaluar provat me raketa balistike të Iranit, apo ndërhyrjet e Teheranit në Lindjen e Mesme.

“Ne jemi duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje praktike për marrëveshjen me Iranin. Jemi duke biseduar për të gjetur zgjidhje që ta ruajmë marrëveshjen”, – tha këtë javë kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini.

Veç kësaj, Trump ka vendosur tarifa ndaj importeve të huaja të aluminit dhe çelikut, përfshirë nga vendet europiane, megjithëse më vonë ai e përjashtoi deri më 1 qershor nga tarifat, organizatën 28-vendëshe.

Në fillimet e presidencës së tij, Trump ishte kritik i hapur NATO-s. Ai thonte se vendet anëtare të Aleancës Perëndimore të formuar kundër agresionit rus në fund të Luftës së Dytë Botërore, nuk e kishin përmbushur kuotën e caktuar prej 2 për qindësh të prodhimit të tyre të përgjithshëm ekonomik, për shpenzimet e mbrojtjes.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400