Kimete Berisha të dorëhequrve: Vetëvendosja u shkund nga morrat

15:48 / E premte, 09 Mars 2018

Publicistja Kimete Berisha ka kometuar dorëheqejet e fundit në Vetëvendosje duke i konsideruar personat që kanë hequr dorë nga postet e tyre si individ që nuk kanë ditur të japin arsye se pse e kanë bërë këtë gjë.

Ajo në një farë mënyre personat në fjalë i ka quajtur si persona jo të aftë për të kryer punen e tyre prandaj edhe kanë ardhur deri tek dorëheqja.

“Dorëheqja është akt i paaftësisë fizike, mendore, profesionale, shpirtërore etj. për ta kryer një punë, e kur thua se po jap dorëheqje i detyruar nga linçimi, atëherë rastin duhet ta paraqesësh në polici, sepse linçimi është i ndaluar me ligj.”

Dorëheqje qesharake!

Askush nuk diti të tregojë se pse po jep dorëheqje nga Vetëvendosja.

Të gjithë të dorëhequrit po paraqiten si viktima të linçimit, pa e specifikuar kush qenkan ata hundlesha që edhe ju kanë ‘rrahë’ edhe nuk ju lënë me qajt.

Dorëheqja është akt i paaftësisë fizike, mendore, profesionale, shpirtërore etj. për ta kryer një punë, e kur thua se po jap dorëheqje i detyruar nga linçimi, atëherë rastin duhet ta paraqesësh në polici, sepse linçimi është i ndaluar me ligj.
Ta vrasësh dikë moralisht apo ta varësh në litar pa i bërë ‘gjyq’ është krim.

Nëse i quan linçim përgojimin dhe komentet negative në rrjetet sociale, atëherë ku janë ato ‘linçime’ qe ne nuk po i shohim.
Kush janë ato fantazma që po i linçojnë udhëheqësit e Vetëvendosjes, pa lënë asnjë gjurmë qe shihet me sy e preket me dorë.

Linçimi lë pasoja të mëdha te viktima, rrezik që viktimat bien në depresion, izolohen nga shoqëria, e humbasin besimin në njerëz dhe në veten, dhe psikologjia bile e parasheh që njeriu i linçuar nga trauma post-linçim në fund të fundit shumë kollaj mund të çojë edhe dorë kundër vetes.

Ndërsa Ju, po dilni nga ‘çelitë’ e Vetëvendosjes vullnetarisht; burgun e keni të hapur, s’keni nevojë ta thyeni asnjë derë për të dalë jashtë; po dilni me faqe të kuqe si molla; shëndoshë e mirë; të qetë e të relaksuar.

Veç autorëve të linçimit s’po ia përmendi emrin, se bëhet fjalë për një lloj ‘linçimi’ misterioz, që nuk dini me përshkru.

Nami nuk bëhet kurrë, edhe sikur të shuhet komplet Vetëvendosja, lëre më që dalin 10-të veta a pak më shumë prej saj.

Kujt i prishë punë që për shembull doli sot nga Vetëvendosja Driton Çaushi!
Atij i ka pasur hije të kërkojë falje që ka dështuar në vendlindjen e tij, në Gjakovë, e jo të shpikë armiq fantazma që nuk e kanë lënë të bëhet i madh në ‘katundin’ e tij.
A ka gjë më turp si mashkull që je të thuash se ‘dikujt i ka ardh mërzi që kam pi kafe me Shqipen, prandaj po dalë prej Vetëvendosjes’!

Dorëheqje ‘industriale’, të organizuara, qesharake dhe serike (mendja e tyre me bë filma me dorëheqje, si në seriale turke, çdo ditë nga një, bëhet hataja’.

Jo mor çfarë!

Kur dorëheqjet bëhen me shumicë, ato dorëheqje janë të organizuara dhe blihen në aksham pazar.
Dorëheqja e sinqertë kushton shtrenjë. Kur s’je në gjendje ta arsyetosh dorëheqjen dhe linçuesin ta thërrasësh me emër, ti pastaj shihesh me sy të lirë që je veç një mashtrues ordiner që nuk të ha puna.

Kur Edita Tahiri u largua nga LDK-ja, ka pas thënë ‘Nuk munda ta duroj diktaturën e Ibrahim Rugovës’. Rugova ishte i gjallë dhe për Editën ishte diktator.

Njësoj Luljeta Pula (a ju kujtohet), e dhjetëra shkrimtarë e artistë që u larguan në mënyrë demonstrative nga LDK sherri i Rugovës, e tipizuan për së gjalli si diktator i vrazhdtë e mendjemadh që nuk u fliste as këshilltarëve të tij, të cilët prisnin me vite me bisedu me të, para syve e kishin e nuk i pranonte në bisedë.

Problemi është se Albin Kurtin nuk e krijuan grupi i atyre që po ikin; as Vetëvendosje nuk e krijoi Albin Kurtin, por Albin Kurti e krijoi Vetëvendosjen, prandaj s’ka se si ta shkatërrojnë njeriun që e krijoi veten dhe Lëvizjen, e nuk u ngrit në shpinë të askujt.

Quajeni ‘babë’, quajeni me cinizëm si Rugovën ‘president historik’, quajeni ‘diktator’ e linçues, quajeni si të doni, por s’mund ta dëmtoni hiç, aspak, sepse fjala është për individualitete që nuk i keni krijuar ju, që nuk krijohen nga shpifja, nga paraja, nga mëshira apo forca e muskujve e alltijave, janë individualitete që nuk varen nga dashuria e askujt; që nuk e lypsin respektin mëshirë; që nuk varen nga besnikëria e të tjerëve…thjesht janë mendje që ua tregojnë të tjerëve rrugën…
Thjesht, nuk janë krijuar për t’ua bërë juve ‘follow’.
Por, ju atyre.

Këta që u larguan nga Vetëvendosja kanë llogaritur se do ta shkatërrojnë Albin Kurtin me themel dhe do t’ia dalin ta përzënë nga shtëpia e tij, nga partia që e ka ‘ndërtuar’ vetë.

Por, Vetëvendosja u shkund nga morrat. Se, morra mund të ngjiten edhe në kokën më brilante.
Do të ishte e frikshme sikur Vetëvendosje do të ishte e përkryer, pa probleme njerëzore e politike.

Në opinion i dëgjon shumë veta që thonë se të ikurit janë njerëz të shitur dhe se në Vetëvendosje ka hyrë paraja e madhe.
Por, megjithatë ka urrejtje dhe mllef në sytë e të gjithë të ikurve.
Nuk e durojnë karizmën dhe individualitetin e Albin Kurtit, sepse ai nuk është si ‘ata’.
Albin Kurti edhe në mesin e njerëzve është ‘vetëm’, ‘i vetëm’.
S’ke çka bën, të tillë janë disa njerëz, hijerëndë, të jashtëzakonshëm, vetëmjaftues dhe iluminues, që nëse s’i do shumë, i urren shumë.

Mbasi jeni kaq ‘dikushi’ bëhuni bashkë e provojeni veten ‘sa peshoni’.
Të gjithëve do t’ju ndjek hija e Albin Kurtit, sikurse LDK-në që ende e mbanë në këmbë hija e Rugovës së vdekur.

Ata që krijojnë parti, lëvizje, vjersha, poezi, në përgjithësi, krijuesit, ata këtë fat e kanë…të shkëlqejnë dhe të ta tregojnë rrugë edhe pas vdekjes.

P.S. Dardan Mulliqaj e ka pas nxjerr dhunshëm në protesta nga vetura një zyrtar të lartë të PDK-së dhe nuk ka hëngër burg për këtë ‘krim’. E shihni pra, edhe Dardani është ‘i fortë’ në njëfarë mënyre!

Nejse, kryesorja të gjithë jeni larguar pa ferrë në këmbë nga Vetëvendosja, faqekuq si molla e me barka sa sana. Kaq shumë zullum që ju kanë bërë, ‘ato’ fantazmat.

Më mirë shkoni aty ku ndjeheni ‘të mëdhenj’!

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400