Alarmi i Berishës për trafikim me fëmijë në kufirin Kosovë – Shqipëri, flasin Policia dhe Prokuroria

11:58 / E enjte, 12 Tetor 2017

 

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, para pak ditësh publikoi një mesazh në Facebook, ku thuhet se nëpërmjet pikës kufitare Kosovë – Shqipëri në Kukës, po trafikohen fëmijë me qëllim që të dërgohen në vende të treta për t’ua marrë organet. Berisha ka kërkuar hetime të menjëhershme, pasi, sipas tij, informata që ka publikuar i është dërguar nga një polic shqiptar.

Gazeta Express ka pyetur Policinë dhe Prokurorinë rreth pohimeve të Berishës.

Pak ditë më parë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka publikuar një postim tronditës, për trafikim me fëmijë në kufirin Kosovë – Shqipëri.

Kësaj here, informacioni Berishës i ishte dërguar nga një “polic digjital”, i cili ka thënë se fëmijët po trafikohen për t’u dërguar në vendet e treta për t’ua marrë organet.

Ka mjaftuar kjo informatë e pranuar nga rrjetet sociale, që Berisha të japë alarmin dhe të kërkojë urgjentisht fillimin e hetimeve, pasi thuhet deri më tani se ishin trafikuar nëntë fëmijë.

“Zoti Berisha jam nje polic ne kufirin e kukesit problemi qendron ketu Mund te pshtoni shume jete femijesh,ne doganen e shiperis dhe kosoves po bejne trafikin e femijeve nen mosh 18 vjeq e posht po i trafikojne ne kosove per ti qitur pre andej jasht ne nje vend tjeter per ti marur organet e trupit”, thuhej në mesazhin që kishte marrë Berisha nga polici.

Kjo, sipas tij, por kryhej duke falsifikuar certifikatat e lindjes, me të cilat fëmijët kalojnë kufirin. Bashkë me certifikatat, trafikantët u japin edhe një shumë ta parave kufitarëve për t’u lejuar kalimi i kufirit.

“Procedura qe po kryejne jane fallsfikimi i qartifikates duke i lejuar me kaluar me qartifikate duke futur nga 20 mije lek te vjetra neper qartifikate duke ja kaluar atyneve qe rrijne te gabinat aty ne kufi”.

Meqë diçka e tillë u publikua nga një figurë e lartë shtetërore e Shqipërisë, Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Flamur Sefaj, për të mësuar nëse janë në dijeni për këto pohime të Berishës.

Në zyrën e ministrit të Brendshëm nuk kanë komentuar deklaratën e “policit kufitar” nga Shqipëria, duke sugjeruar që për këtë “t’i drejtohemi zyrës për informim të Policisë së Kosovës”.

Policia e Kosovës thonë se janë në dijeni për atë që ka thënë ish-kryeministri Berisha.

Gazeta Express ka folur me Bajram Krasniqin, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës, por ai nuk ka komentuar asgjë më shumë.

“Po, e kemi këtë informatë, por nuk mund të themi asgjë”, ka thënë Krasniqi.

Joformalisht, një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës i ka thënë Gazetës Express se postimi i Sali Berishës mund të konsiderohet që mund të ketë pasur qëllime politike.

Sipas këtij zyrtari, Policia e Kosovës nuk mund të bazohet në deklaratën e një politikani, pa pasur dëshmi të ndonjë të trafikuari apo të ndonjë të implikuari në këtë çështje.

Ndërsa, në përgjigjen që i ka kthyer Prokuroria e Shtetit Gazetës Express, thuhet se nuk ka asnjë rast lidhur me këtë temë, ndërsa Prokurori i Shtetit përcjell me kujdes çdo deklaratë nga e cila supozohet se ka raste kriminale.

“Prokurori i Shtetit i përcjell me vëmendje të gjitha shkrimet apo deklaratat që bëhen lidhur me supozimet se është kryer ndonjë vepër penale”, thuhet në vijim

 

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400