Gani Geci shpalosë detaje të pathëna për rrethimin e Adem Jasharit: Telefonata e parë është bërë në 5 të mëngjesit me numër 303 prej…

15:14 / E mërkure, 07 Mars 2018

Ish ushtari i UÇK-së, Gani Geci, përmes një postimi në facebook, ka shpalosur detaje të pathëna më parë ër rrethimin që iu bë Komandanti legjendar, Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz.

“Në mëngjes, herët, Shani Gecin e kanë thirrur në telefonin e tij me numër 303 prej Skënderajt, sepse aty përcillej situata, dhe e kanë lajmëruar se kishte lëvizje të mëdha të policisë dhe ushtrisë. Thirrja është bërë rreth orës 5 në mëngjes dhe i thojnë se fshati i tyre po rrethohej, pasi kishin parë në kodrën e Skënderajit policinë, këmbësorinë e snajperistat duke zënë pozicionet në mëngjes”, ka shkruar Geci, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i tij i plotë:

PËR HAJËR NA QOFTË LUFTA, O DAJË!

Në mëngjes, herët, Shani Gecin e kanë thirrur në telefonin e tij me numër 303 prej Skënderajt, sepse aty përcillej situata, dhe e kanë lajmëruar se kishte lëvizje të mëdha të policisë dhe ushtrisë. Thirrja është bërë rreth orës 5 në mëngjes dhe i thojnë se fshati i tyre po rrethohej, pasi kishin parë në kodrën e Skënderajit policinë, këmbësorinë e snajperistat duke zënë pozicionet në mëngjes.

Fshati po rrethohej.

Shaniu, sipas sinjalit të alarmit me tri të shtëna pushke alarmon gjithë fshatin. Pastaj i telefonon Adem Jasharit:

– Nipash, për Zotin jemi rrethuar! Fshati jonë është rrethuar! Ademi përgjigjet:

– Për hajër na qoftë lufta, o dajë!, dhe nuk vazhdoi më bisedën, duke menduar se rrethimi është bërë për fshatin tonë, Llaushën, por ishte e kundërta, e tërë kjo përgatitje ishte bërë për fshatin Prekaz e jo për Llaushë, këtu u bë rrethimi, si muri, me qëllim që askush të mos mund t’i dilte në ndihmë Ademit nga ana e luftëtarëve të Llaushës.

Dolëm në pozicione. Atë mëngjes u vra Miftar Rreci, një trim i rrallë dhe besnik i madh, i fshatit Llaushë, me automatik në dorë, duke shkuar të vezhgojë tek shtylla e rrjetit të lartë elektrik, në kodër. Një natë më parë e kishte blerë automatikun. Miftari është plagosur, por meqë nuk kemi patur mundësi t’ia ndalnim gjakderdhjen, ai vdiq. Tërë natën ka qëndruar pranë tij gruaja e tij, e cila nuk kishte si t’i ndihmonte. Aty kanë qenë edhe vëllai i Miftarit dhe vëllai im Hagjiu, të cilët kanë ndejtur poashtu tërë natën. Atë e kanë varrosur pas dy ditëve, natën, vëllezërit e Miftarit e disa kusherinjë.

Ishte vështirë të merrnin pjesë njerëzit, sepse varrezat, te Xhamia, ishin shumë afër snajperistëve serbë, që i kishin zënë pozicionet mbi kodrat e Llaushës. Shaniu mundohet edhe njëherë t’i telefonjë Ademit për t’i thënë se policia po shkonte në Prekaz, pasi dikush e lajmëroi Shaniun nga Skënderajt, por në atë moment janë këputur lidhjet.

I tërë fshati kishte dalë në pozicione, siç i kishim të paraparë, te xhamia e fshatit Llaushë dhe te Malet e Deviçit, në pjesën tjetër, në anën e djathtë të fshatit. Me vete e kishim të vetmin pushko-mitraloz, 12.7, armën më të fortë, të vetmen që posedonte e tërë Drenica. Mirëpo kishim vetëm 370 copa fishekë. Kishim edhe dy murtaja 500 dhe një 150, me nga katër predha, dymbëdhjetë predha komplet, po ashtu edhe 35 apo 36 kallashnikovë secili me nga 50 apo 60 fishekë, njëqind më së shumti.

Armatimi ynë ka qenë aq i dobët sa që nuk mund të krahasohej me armët e armikut. Megjithatë ne jemi përpjekur. Filloi paniku, sepse deri atëherë ne nuk kishim menduar se armiku do të bëjë luftë me topa as me tanke. Ata i përdorën për herë të parë mjetet e rënda të blinduara, me minahedhësa dhe me topa.

Nuk dinim se çfarë të bënim. Dëgjonim zhurmën nga ana tjetër e kodrës, por nuk i shihnim. Baci Lilë e kishte marrë të vetmën snajperkë që e kishim dhe tha se do të dilte nga pjesa tjetër e fabrikës së tullave, nga ku mund të shihte më shumë. Ka dalë dhe i ka parë përgjatë rrugës Skënderaj – Polac duke i parkuar tanket e autobusët plotë polic të njësive speciale. Aty i ka gjuajtur, dhe i ka vrarë dy polic.

Shumë kohë më parë i kishte premtuar Ademit:

– Pasha Emnin e Zotit, o nipash, ndoshta unë pas teje gjithnjë nuk do të kem mundësi të rri, por, në qoftë se ndodh, pa e shprazur një plumb për ty nuk do ta lë!

Pastaj është kthyer. E pa mitralozin që kishim, pastaj i ka thënë Jetullahut:

– Jetullah lërma mua se e kam sot njetë t’i bâj nja dy argat për Ademin, e të tjerat, sa të jetë kismet!

Jetullahu i tregoi se nuk kishim shumë fishekë e se me ata që kishim do të luftonim e vdisnim të gjithë së bashku. Pastaj ka shkuar në lagjen e Vojvodaj, tash i thonë lagja Selmanaj, ka marrë një kalë me një qerre, mbi të e ka vënë mitralozin, e ka lidhur me armaturë për ta transportuar, sepse i kishte 95 apo 100 kilogramë. Kur e vendosëm në vendin e caktuar, kemi gjuajtur mbi shkie, ai me mitroloz e unë me snajper. Dikur serbët e hetuan pozicionin tonë e Baci Lilë më tha që të mos rrinim të dy bashkë. I thashë:
– Në qoftë shkruar për të vdekur le të vdesim bashkë!

Televizioni serb, ka lajmëruar se në atë vend janë vrarë katër e plagosur tre policë, pra në pjesën e Llaushës. A mund të ketë pasur më shumë, ne nuk e dimë. Objekti ynë kanë qenë autobusi dhe kamionat. Policia ka ikur nga aty, ka ndryshuar pozicione, ka rënë më poshtë buzë lumit Klina. Aty i kemi harxhuar rreth 170 copa fishekë, na kanë mbetur edhe 150-200 copa.

Unë i kam parë atë ditë dhe të nesërmen duke u rënë shtëpive të Ademit me gjyle topi dhe s’kemi pasur asnjë mundësi të bëjmë diçka më tepër. Llausha ka qenë komplet e rrethuar deri në Polac, andej kah qymyri i Polacit ka pasur këmbsori sikur duaj talle, kanë qenë të shtrirë edhe nga tetë orë në lavër pa lëvizur hiç. Të nesërmen ka vazhduar me të njëjtin intensitet, e ne kemi dalë të vëzhgojmë nga kodra, nuk kishim më me çka të gjuanim, nuk kishim armë për t’u lënë shenjë.
Edhe të nesërmen e kemi gjuajtur Fabrikën e Municionit.

Na erdhi lajmi se pas dy ditë e netë luftimeve, të pandërprera, Jasharajt ishin vrarë.

Trupat e tyre i mori policia e shkijeve, të cilat i solli pas disa ditëve pranë servisit të Lah Tushillës, me ç’rast u kishin thënë qyetetarëve në qoftë se nuk i marrin për t’i shtirë në dhé, do t’i fusnin ata me eskavator.

Në varrim kishte ardhur, duke kaluar pengesa të mëdha edhe atdhetari i shquar i çështjes kombëtare profesor Zekirja Cana. Kishte ardhur gjithashtu edhe fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. Aty kishin ardhur edhe Shaban Shala, me një numër të vogël të qytetarëve të Skënderajt.

Ka shumë spekullime rreth kësaj pyetje, por unë mendoj se nga ai rrethim ka qenë e vështirë të dilej gjallë. Edhe sot shihet vrima ku e ka goditur gjylja e topit shtëpinë e Adem Jasharit, të gjithë ata që nuk kanë luftuar, që nuk kanë patur mundësi të luftojnë, gratë dhe fëmitë kanë qëndruar në një vend, e një gjyle topi ka patur mundësi t’i vrasë edhe dhjetë vetë përnjëherësh. Ndërsa Osmani e Ademi e ata të tjerët kanë luftuar deri sa kanë patur municion, i cili sigurisht u ka munguar.

Për këtë mangësi duhet të mbajë dikush përgjegjësi. Ky është problemi kryesor, se po të kishin pasur armatim, gjërat do të kishin ndryshuar shumë.

Ata luftuan, qëndruan dhe dhanë jetën duke hyrë në përjetësi.

Ai ka qenë një vendim që familja Jasharaj e kishte marrë prej vitesh, madhështia e qëndresës së tyre do ta nderojë kombin shqiptar në shekuj. Ndërsa ata që kanë dashur ta izolonin, ta linin të paarmatosur kanë për të dhënë llogari sot ose nesër.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400