Kurti: Nga dy milionë qytetarë, vetëm Thaçit po i ngutet ratifikimi i Demarkacionit

09:32 / E martë, 13 Mars 2018

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se nga çështja e demarkacionit Kosova ka pasur dy zhvillime pozitive dhe ka dy rreziqe për gabim në hapa. Sipas tij presidentit Hashim Thaçi po i ngutet që krimin dhe tradhtinë e vet ta ratifikojë sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka deklaruar se Murat Meha, ish-kryetari i Komisionit shtetëror për përcaktimin e vijës kufitare, ia ka humbur Kosovës 8200 hektarë.

“Murat Meha ka kryesuar Komisionin e Kosovës për shënjim e mirëmbajtje të kufirit, pra për saktësim të kufirit, për demarkacion (në gjuhën malazeze ‘obilježavanje i održavanje’). Milan Paunoviq ka kryesuar Komisionin e Malit të Zi për përcaktim dhe vendosje të kufirit, pra për kufizim me Kosovën, për delimitim (në gjuhën malazeze ‘razgraničenje i utvrđivanje’). Meha ka përfunduar te misioni i Paunoviqit dhe Kosova i ka humbur 8.200 hektarë: Meha ka pranuar që ne ta dëshmojmë me libra kadastralë dhe vetëm me to që toka e jonë është territor yni, d.m.th. aty ku ne s’kemi ‘letra’ (edhe nëse as Mali i Zi s’i ka ato) ajo i takon Malit të Zi!”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Sipas Kurtit, deklarata e dy presidentëve Hashim Thaçit të Kosovës dhe Filip Vujanoviq të Malit të Zi, është mashtrim.

Kurti thotë se zhvillimet pozitive që duhen përdorur janë gatishmëria e Malit të Zi për të biseduar dhe se Hashim Thaçi ka pranuar gabimin e tij për dëmtim të Kosovës.

“+1. Ndonëse Deklarata Thaçi-Vujanoviq me përmbajtjen e saj nuk e korrigjon marrëveshjen e Vjenës së 26 gushtit 2015, me formën e saj ajo shpreh gatishmërinë e Malit të Zi për të biseduar. Ndryshe nga qëndrimi i mëhershëm malazez se ‘demarkacioni’ është çështje e brendshme e Kosovës dhe e mbyllur për Malin e Zi. +2. Ndonëse Deklarata Thaçi-Vujanoviq me formën e saj vetëm sa konfirmon ndryshimin e kufirit, në përmbajtjen e saj ajo shpërfaq pranimin e Thaçit se ai me nënshkrimin në Vjenë ka gabuar dhe ka dëmtuar Kosovën. Ndryshe nga insistimi i tij i mëhershëm se ‘demarkacioni’ i Komisionit Meha nuk na humbte asnjë centimetër”, ka shkruar ai.

Kurti po ashtu ka thënë se për Kosovën ekzistojnë rreziqet që të ketë korrigjime minimale disa metërshe, por jo edhe të kilometrave. Sipas tij, problem është edhe lufta ndaj korrupsionit si kushti tjetër për liberalizim vizash.

“-1. Ndonëse flitet për korrigjime eventuale të shënjimit të kufirit nga Trupi i Përbashkët Punues, këto janë korrigjime potenciale vetëm të shënjimit të kufirit tashmë të ndryshuar e që pritet të ratifikohet, e jo kthim të kufirit në Çakor e Zhlep. Pra, korrigjime minimale prej dhjetëra metrave me rastin e saktësimit të kufirit të ndryshuar e jo korrigjim prej disa kilometrave të kufirit të ndryshuar. Rrjedhimisht, nuk ka kuptim ratifikimi i kufirit të ndryshuar e pastaj korrigjim eventual me rastin e shënjimit të tij. Duhet korrigjuar delimitimi i bërë gabimisht e pastaj të ratifikohet demarkacioni. -2. Ndonëse ratifikimi i ‘demarkacionit’ është shtuar si kusht për liberalizimin e vizave, ai nuk është kushti i vetëm i mbetur. Kosova duhet ta luftojë suksesshëm krimin e korrupsionin me vendime të fundme gjykatash, gjë që do të merr bukur shumë kohë. Andaj, le ta plotësojmë këtë kushtin tjetër dhe në përmbyllje të tij, psh. në të njëjtën javë diku në dhjetor, e ratifikojmë edhe ‘demarkacionin’. Për më tepër, pse të mos e plotësojmë njëherë kriterin për të cilin kemi konsensus nacional, pra luftimin e krimit e korrupsionit, e mandej atë të ratifikimit të ‘demarkacionit’, për të cilin jemi të ndarë, apo jo?”, ka shkruar ai më tej.

Si konkludim Kurti ka nxjerrë se:

1) Mali i Zi ka pranuar të bisedojë;

2) Presidenti Thaçi ka pranuar gabimin;

3) Liberalizimi i vizave nuk bëhet pa rezultate konkrete kundër krimit e korrupsionit.

“Atëherë, pse të nxitohemi paarsyeshëm ne afër dy milionë qytetarë të Kosovës? Vetëm një qytetari po i ngutet me arsye: Presidentit Thaçi, i cili do që krimin e tradhtinë e tij ta ratifikojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar në fund ai.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400