“Përgjigje për letrën e poetes Gentiana Minga”

12:08 / E shtunë, 17 Shkurt 2018


Shkrimtari i njohur Zeja Cela përmes një posimi në rrjetin social Facebook ka shkruar një përgjigje për letrën e poetes Gentiana Minga.

“Ja që, përveçse çfarë zotëron si çështje, në letrën tënde bujare kam gjetur edhe lajme. Ti përmend tre libra, antologjinë, përrallat, si dhe “Princin e buzëqeshjes”. Një poete që mban në dorë tre libra njëherësh, një grua e punësuar diku, një zonjë shtëpie”, fillon përgjigja e Celës për poeten Minga.

Ky është postimi i plotë i shkrimitarit Cela:

PËRGJIGJE PËR LETRËN E POETES

E dashtuna Gentiana Minga!

Ja që, përveçse çfarë zotëron si çështje, në letrën tënde bujare kam gjetur edhe lajme. Ti përmend tre libra, antologjinë, përrallat, si dhe “Princin e buzëqeshjes”. Një poete që mban në dorë tre libra njëherësh, një grua e punësuar diku, një zonjë shtëpie. Sa gëzohem për marrëdhënien tënde me librin, duke menduar se sa të shumtë janë ata, të cilët e kanë harruar përfundimisht peshën e tij dhe aromën e veçantë tipografike!
E kuptoj, për arsye modestie pjesëmarrjen tënde në antologjinë kontribuese për IOM (Insititutin Onkologjik të Marchigiano) e ke përmendur shkarazi, madje si duke u “mbështetur” tek unë. Por tashmë ta kam thënë, kur kam lexuar librin tënd të botuar atje, poezitë e tua në gjuhën italiane, ashtu si edhe poemat e tua, më kanë pëlqyer paharrueshëm, njëlloj si në shqipe. Megjithatë, të jesh modest është mirë. Dhe modestia vlen më shumë, sidomos kur e ke shfaqur talentin.
Sa për librin me Fiabe Albanesi, atë që ka përkthyer Dritani në italishte, nuk po ndalem edhe për shkak të delikatesës, me të cilën ti e ke përmendur: “Po e lexoj me kënaqësi e kam ndër mend ca gjëra të bukura, por druaj t’i them para kohe.” E di si më ka ardhur ky lajm? Grafullues më ka ardhur, si ajo Farfalla që ti i pate kushtuar Dritanit të ndritshëm.
Tash po kaloj te çeshtja bazë, ajo e shqetësimit.
E shtrenjta Genta, i shtrenjti Tiku, unë ju shpreh gjithë mirënjohjen time për kujdesin, butësinë, mirëdashjen, mendimin e thellë ndaj meje. Qofshi ju me mua dhe qofsha unë me ju, ndërsa Zoti na paftë dhe na dëgjoftë!
Kaq e blindur është ajo letër, sa edhe po të dua, prej vërtetësisë së saj nuk kam ku t’ju kap për të kundërtën. Arsyetimit tuaj, me gjasë, i ka ndihmuar edhe njohja jona nëpërmjet korrespondencës së hershme. Por, ma merr mendja, një gjë nuk e dini. Nuk e dini se unë jam një humbës i madh dixhital. Duhet ta kem pësuar pesë a gjashtë herë deri tashti. Por sidomos një herë në mënyrë të pakthyeshme. Ime bijë, Frau Riva, pasi nuk ia doli dot në Austri, e dërgoi hardiskun tim deri në Londër, në një agjenci të specializuar, por nuk u arrit të shpëtoheshin materilet, “truri” kishte vdekur si aparat. Ja përse unë nuk mbaj më Internet në shtëpi. Madje, me shaka, kompjuterin tim e quaj makinë shkrimi. Por është elektronike, e gatshme, e shpejtë, e bindur, e sigurt. Pra, mbretëreshë dhe skllave njëherësh. Unë jo vetëm tregimet, por edhe romanet në fillim i shkruaj me dorë. Veçse pastaj, kur i kaloj në kompjuter, sërish punoj gjithë ajam. Midis qindramijëra fjalëve asgjë nuk ma jep lehtësinë e ndryshimeve, korrigjimeve e kontrolleve milimetrike, sa kjo shpikje gjeniale.
Përse e përmenda? Se ma kujtove vetë, poete e dashtun, kur thua: “Shpesh, e interesuar për mendimin tuaj kritik, edhe unë joshem që t’ju dërgoj diçka nga krijimtaria ime për të ma lexuar. Por fakti që do shpenzoni kohë pë leximin, pastaj do të uleni për të më kthyer përgjigje, më stopon menjëherë.” Kështu pra, ti nuk më mbron vetëm në nivelin e fjalëve, ti më ruan edhe me veprime. Sepse unë për të gjitha komentet dhe për të gjitha përgjigjet e mia (nuk numërohen tashmë), përdor vetëm telefonin. Ah, ky zakoni im i vjetër, pikasja me vështrim të parë! Vjet në verë, kur e bleva në Itali, më mjaftoi në çast marrëdhënia që krijoi me syrin dhe dorën time, pa menduar për ekranin e vogël. Po ku ta dija atëherë se ky shkrimtari juaj, murgu i vetëmbyllur në qelinë e tij, do të hapte pas ca javësh faqe në Facebook?! Sot e kësaj dite, unë po atë telefon përdor edhe kur publikoj reflektime të shkurtëra, edhe kur lexoj të tjerët, edhe kur jap përgjigje për komentet. Ndërsa tregimet, duke i pasur të gatshme nga librat, i postoj në një lokal me shërbim Interneti.
Por ju, me të drejtë, mund të thoni se ende nuk e kam dhënë përgjigjen për çështjen (po vazhdoj ta quaj kështu). Në njëfarë kuptimi, disa versione janë shtruar me shumicë nga klikimet, vlerësimet e komentet rreth letrës tënde. Dhe me çfarë energjie, me çfarë dashunie, me çfarë sinqeriteti e bekimi janë shprehur!
Megjithatë, përgjigjen time po e jap nëpërmjet një kujtimi. Është një episod që ju e njihni, e keni lexuar në librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Kur Dritani përktheu Susanna Tamaron-n, shestuam së bashku rreth titullit të atij romani. Në origjinal është: “Và dove ti porta il cuore”. E përkthyer në shqip fjalë për fjalë: “Shko ku të çon zemra”. Mua se si ma prishte qejfin ajo “ku”, më jepte herë përfytyrimin e asaj vizës në shifrat me thysa, herë vetë imazhin e një zemre të thyer. Kur vajtëm tek botuesja “Çabej”, Tan Çela i tha në distancë:
“Brikena, Zijai e ka gjetur ndryshe titullin.”
“E si?”, pyeti kureshtare ajo.
“Thuaji zemrës Po”
“E gëzoftë!”, qe miratimi i menjëhershëm.
Kam përshtypjen se me kaq e dhashë përgjigjen. Nuk është e papritur që, në të ardhmen, të kem një roman më pak. Por edhe zemrës nuk qenka e lehtë t’i vihet kapak. Me gjasë, vjen një kohë që shkrimtari nuk i përket më vetëm vetes, vetëm Letërsisë, por edhe Miqësisë, çka nënkupton lexuesit e tij. Lum kush e ka këtë fat!
E shtrenjta Genta, i shtrenjti Tiku! Nuk po jua dërgoj me postë elektronike, i bindur se do ta shihni në faqen time. Dhe do ta gjeni të nënshkruar besnikërisht prej atij, që dëshiron të mbetet përgjithnjë juaji, Zija Çela.
p.s: Harrova një ndjesë për miqtë. Unë do të vazhdoj t’i ndjek me vëmendje të gjitha klikimet, do të vazhdoj t’u përgjigjem të gjitha komenteve, por për arsye pune e shëndeti, me lejen tuaj përgjigjet do të jenë më të shpërndara në kohë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400