Shkruan ish-ushtari i “vogël” i një komandanti të madh të UÇK-së: Një rast i humbur dhe pasojat e tij

13:19 / E mërkure, 14 Shkurt 2018

 

Sami Ahmeti

Po e filloj me një thënie të të madhit Ukshin Hoti. Ai në veprën e tij monumentale “Filozofia Politike e Çështjes shqiptare”, ndër tjera thoshte: “Pa dje dhe sot, nuk nënkuptohet nesër”. Pra, konteksti historik i ngjarjeve në të kaluarën, i paraprinë vetvetiu edhe të ardhmës me shumë të panjohura që mund të dalin gjatë rrugës.

Në ketë kuptim, Kosova në dhjetë (10) vjetorin e saj si shtet i pavarur, do të duhej të kishte më shumë motiv për të festuar, po të kishte shfrytëzuar rastin që e kishte në fund të nëntorit 2012. Ky rast ishte në dorën e atij që sot është kryeministër i Kosovës, z.Ramush Haradinaj.

Kthimi i tij i dytë në atdhe si triumfalist nga Gjykata e Hagës, i gëzoi pa masë shumicën e qytetarëve të Kosovës, përfshi edhe mua si ish-ushtar i tij në Zonën e Dukagjinit. Por si duket, i vetmi që nuk ishte fort i gëzuar, ishte vet z.R.Haradinaj.

Ndoshta i gëzuar po, por jo shumë i kënaqur. Dhe ketë mungesë kënaqësie, ai përpiqej ta kompenzonte duke u bërë kryeministër. Në fakt, Kosova e kishte një kryeministër, H.Thaqin( mund t’ketë ndodhë që gjatë hartimit të “Kushtetutës” të jenë bërë “gabime” që nuk e kanë paraparë t’i kishim ‘dy kryeministra’). Por mjerisht e kishim vetëm një, edhe ai shumë makiavelist i përbetuar, ku të gjitha t’i jap, por pushtetin kurrsesi. Duke e shfrytëzuar ketë pushtet me te gjitha mekanizmat e tij, ai (Hashimi) gjeti rastin e volitshëm për ta bërë edhe një viktimë politike të radhës (më pare i kishte viktimizuar politikisht dy presidentë: Fatmir Sejdiun dhe Behxhet Pacollin) duke ia shtruar tepihin e kuq Ramushit, e duke mos ia lëshuar karrigen e ‘bardhë’ Haradinajt.

Ndërkaq, z.Haradinaj, në vend se të rreshtohej përkrah opozitës së vetme të asaj kohe-Lëvizjes Vetëvendosje, ai këmbëngulte në postin e kryeministrit edhe pse atëhere nuk kishte garë zgjedhore. Kjo ide e tij e gabuar, ishte një rastë i mirë manovre për Thaqin, jo pse ai kishte ndonjë aftësi intelektuale me shkru libra apo me hartu ndonjë plan afatgjatë për shtetin e së ardhmes, por sepse ishte një mjeshtër i madh i mashtrimit dhe një promotor perfekt i korrupsionit . Duke e shfrytëzuar ketë mjeshtri, ai të ngjan më tepër si një sulmues i keq në fushën e lojës së futbollit, që kur ta zënë ndonjë mbrojtës të papërgatitur, që nuk dinë t’i afrojë këmbët mirë, ai ta driblon topin n’mes të dyjave dhe pastaj qeshet me kundërshtarët politikë. Ky ka qenë në vazhdimësi arti i tij i të bërit politikë.

Mirëpo, unë, që pata fatin të jem njëri nga ish- ushtarët e ‘vegjël’të një komandanti të madh e të zotin, që na printe në beteja të ashpra të luftës në Dukagjin, si z.Ramush Haradinaj, kurrë nuk kam besuar se ai do të driblohet me aq lehtësi nga një “komandant” tjetër i madh (po larg vijave të frontit, ketë e ka pohuar edhe vet) por i Rognerit, siq ishte ish-kryeministri, z.Hashim Thaçi.

Kjo u dëshmua edhe nga paraqitja publike e ish- zv.kryeministrit, Hashimit Thaçi në media,me d.t 17 shkurt 2016. Ai si i tmerruar pas një proteste masovike, thuajse më e madhja ndonjëherë në Kosovën e pas luftës dhe më paqësorja (gjë që atij nuk i kovenonte të ishte e tillë), dhe pasiqë i kishte humbur nervat tha:”U pritëm, po kësaj radhe jo me kafe, pak më ndryshe, dhe ju ikët me bisht nën shale si qyqarë”. Por nuk ishte ky tërbimi i vetem i ish-kryeministrit. Zgjedhja e tij si president, nuk u realizua me aq lehtësi. Ai dha urdhër për shtetrrethim dhe largim të tendave me forcë nga policia, si dhe vendosjen e snajperistëve mbi objektin qeveritar, në rastë nevojë edhe për të vrarë qytetarët e pakënaqur që me udhëheqjen e tij të mbrapshtë, i bëri të ndihen të tillë. Edhe brenda Kuvendit ku po priste rezulatin e votimit nga deputetët, ai nuk arriti të bëhej president në raundin e parë parlamentar, por u bë kryetar në raundin e dytë, duke e kërcënuar LDK-në dhe kryetarin e saj, Isa Mustafa, me “vetullat” e famshme prej “artisti’ e me shikimin shigjetë prej ‘gjarpëri”.

Megjithatë, kjo nuk ishte aspak befasi, pasiqë Ldk-ja, kurrë nuk u bë opozitë kundër pushtetit të Thaçit. Deputetët e kësaj partie, gjatë gjithë atij mandati, ishin të shterrur për nga idetë e të lodhur për nga mosha.

Ndoshta kjo ishte edhe arsyea kryesore se pse ata po silleshin si vëzhgues, e jo si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Ata nuk luanin, edhe pse ishin në fushë, por vetem e vëzhgonin Hashimin se sa gola ua shënonte. Bile në disa raste, Ldk-ja ishte bashkë me Hashimin. Ishin bashkë në Asociacion dhe Demarkacion. Të dy marrëveshjet u nënshkruan nga Isa Mustafa, kryeminister formal, dhe Hashim Thaçi, kryeminister real. Por kundër kujt..? Kundër Kosovës!

Duke i parë gjithë këto ngjarje, popullit nuk i mbeti shpresë tjetër përveç Lëvizjes Vetëvendosje!. Ajo tani po shihej si një dritare e vogël që rrezaton sado pak dritë. Natyrisht që edhe në VV mund t’ketë pasur gabime në hapa, por qëllimi dhe ideja ishin për një shtet që e duam. Lëvizja Vetëvendosje!,aktivistët e saj në rrugë, deputetët e saj brenda dhe jashtë Kuvendit, nuk vëzhgonin as nuk flenin, ata/o vepronin, protestonin dhe i luftonin me mish e me shpirtë të gjitha vendimet e padrejta të tandemit: Thaçi-Mustafa.

Pra, kjo Lëvizje politike, mbi të gjitha, ishte dhe është për barazi sociale si kërkesë e shumicës, përball monopolit e oligarkisë si dëshirë e pakicës. Kjo Lëvizje, mbi të gjitha, ishte dhe është për sundim të ligjit e jo për sundimtarë. Kjo Lëvizje, mbi të gjitha, ishte dhe është për demokraci e jo për autokraci. Përgjigjjen më të mirë e dha populli i Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit 2017. Atë ditë, vegjëlia i tha Lëvizjes:“ti na dhe shpresen, ne ta dhamë votën“. Kështu që Lëvizja Vetëvendosje i fitoj 32 mandante në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ky rezultat i jashtëzakonshëm e nxorri si partinë e parë në nivel vendi.

E, nese qenka kështu, atëhere kërkohet punë e angazhim nga të gjithë deputetët e zgjedhur nga populli, e jo ego politike për nevoja personale, klanore apo ditore. Ndasitë sjellin zhgënjim, e zhgënjimi është një llojë dëshpërimi. Ndarja të zvogëlon, bashkimi të rritë. Prandaj ky vend ka nevojë për rriten e Vetëvendosjes dhe jo zvogëlimin e saj. Sa më shumë që rritet VV-ja, aq më shumë rritet shpresa për shtet zhvillimor, shtet të së drejtës e shtet social. Sa më shumë që zvogëlohet Lëvizja Vetëvendosja!, aq më shumë rritet mundësia për kapje të shtetit, keqpërdorim të parasë publike dhe korrupsion të vazhdueshëm. Për këto arsye, duhet gjykuar me mendje të shëndoshë e me kokë të ftohtë, secili që mban një pozitë brenda strukturave të VV-së. Ketë duhet ta bëjnë edhe deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje!. Askush nuk i votoi dje, ata, që para zgjedhjeve silleshin si „ëngjuj“, e sot po thojnë: „e kërceva ujit….nuk më duhet më ATI“.

Mos harroni, shumë shpejtë ndoshta do të vjen koha me i hy përsëri garës tjetër të notit, por ju që dolët nga rreshti, vështirë do të dilni në breg. Koha do ta dëshmojë ketë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400