Simpatizantët E “Ushtarit Të Panjohur”, Pasues Të Atyre Që Adhuronin Millosheviçin Në Okupim

18:55 / E hëne, 13 Nëntor 2017

 

 

Shkruan: Fadil Kajtazi

Arti ka identitet vetëm kur përcjell mesazhe universale. Fletorja zyrtare e cila përcakton destinimin e përmendores (skulpturë) e thotë të kundërtën. Mesazhi është i qartë; kjo vepër arti madhëron aktin e masakrimit të popullatës gjilanase nga “Luftëtarët e ramë…” të cilët ishin pjesë e brigadës çetnike të shndërruar në partizane.

Sa i përket veprës si vepër, ajo është e realizuar mirë artistikisht, ka thellësinë, plastikën dhe karakterin. Me vepra të realizuara artistikisht në mënyrë brilante ka qenë e mbushur e gjithë Gjermania në kohën e Hitlerit. Gjithashtu, edhe diktatorët e vendeve të bllokut komunist i kanë kushtuar një vëmendje artit pamor, dhe pjesa më e madhe e vendeve të ish-bllokut komunist kanë qenë të mbushura me vepra, të cilat kanë pasqyruar realitetin e realizmit socialist.

Ç’është e vërtetë, (sipas botëkuptimit të këtyre që protestojnë për heqjen e kësaj përmendore) ato për vite të tëra krijuan identitetin e tyre në kohë dhe hapësirë, por fatkeqësisht ishin pjesë e përkujtimit-glorifikimit të një mendësie kriminale e pasqyruar përmes dorës së “artistëve”.

Është e vërtetë se edhe përmendorja e Car Llazarit, ka qenë vepër e realizuar artistikisht, e cila e ka zhvendosur nga mesjeta në shekullin XX një figurë. Gjithashtu, edhe “çezmja e Car Llazarit” ka qenë një monument që pati krijuar identitetin e vet, dhe përfundimisht edhe Millosheviqi si personalitet politik pati krijuar një identitet në kohën dhe hapësirën tonë jetësore, pasi përpos që mbushte nga një pjesë të hapësirës tonë të varfër mediatike, ai kishte edhe simpatizuesit e vet brenda shqiptarëve, siç ka kjo skulpturë-përmendore në Gjilan, për të cilën po çohet pluhur.

Për fatin e keq të tyre, ata u shporrën, dhe pavarësisht vështirësive që po kalon Kosova jonë, ajo do ta ndërtojë identitetin e ri të bazuar në vullnetin e shumicës se popullatës së saj, ku veprat artistike do të krijojnë identitet duke përqendruar mesazhin universal të lirisë për të cilin ky popull vuajti më së shumti.

Fotografia e Fadil Kajtazi

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400