Zyrtari LDK-së në Qeveri i reagon shumë ashpër kryeministrit serb për Ramush Haradinajn

11:54 / E premte, 06 Janar 2017

 

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e LDK-së, njëherit edhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, përmes një statusi në facebook ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën.

Ja postimi i plotë:

DREJTËSI KËRKONI NË SHTETIN TUAJ Z. VUÇIQ

Aleksandar Vuçiq: “Për mua do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”.

Franca si shtet ligjor z. Vuçiq, kishte vepruar plotësisht në përputhje me të drejtën atëherë kur kishte marrë vendim për përkrahjen e veprimeve ushtarake të NATO-s kundër shtetit më kriminal të pas-luftës së dyte botërore, pjesë e rëndësishme e të cilit ishit edhe ju vetë. Kërkimi i drejtësisë gjen strehë më së miri mu në Serbi, shtet i cili fatkeqësisht ende udhëhiqet nga ata të cilët përkrahën, planifikuan, por edhe ekzekutuan veprimet më kriminale në kontinentin evropian të pas Luftës së Dytë Botërore.

Normalizimi i marrëdhënieve në mes dy shteteve tona z. Vuçiq nuk bëhet me lojëra dinake bizantine në mes të Evropës siç është muri në Mitrovicën Veriore, “futja e hundëve” në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, siç ishte rasti i fundit me Listën Serbe, por as me mbajtjen në fuqi të urdhër-arresteve tashme anakronike. Ky normalizim kërkon një mendësi tjetër, mendësi evropiane, mendësi e cila juve ju ka munguar shumë dhe po ju mungon edhe më shumë, kërkon përkushtim, reflektim dhe sinqeritet, karakteristika këto të cilat qartazi i mungojnë kësaj nomenklature të politikanëve Serb.

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400