Besa Shqiptare E Lashtë Sa Fillesat E Librave Të Shenjtë! Besa Dhe Kanuni I Shpëtuan Shqiptarët Nga Asimilimi!

14:33 / E martë, 09 Janar 2018

 

Studiuesi Morina, kanuni i shqiptarëve rrjedh nga lashtësia, para shkrimeve homerike!
Siç e thekson edhe studiuesi Alia, është kanuni ai, që e ka shpëtuar popullin shqiptar nga nënshtrimi ndaj pushtetit të perandorisë osmane. Ky konstatim, është një premisë, që argumenton tezën tonë të lashtësisë së kodit kanunor, shumë më i hershëm se i kohës së mbretërimit të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut).
Shkruan: Idriz Morina
Një studim nga më të parët dhe njëkohësisht modern, dhe mbresëlënës sipas interpretimit që sjell studiuesi Lutfi Alia (Mh, PD), Pandi Frashëri autori i librit në italisht “La famiglia albanese, fonte di civiltà europea” (“Familja shqiptare, burim i qytetërimit europian” – përkthim i Lutfi Aliut), organizimin e familjes sipas kanunit e quan, organizim shtetëror në miniaturë.

“Pandi Frasheri e analizon familjen shqiptare me kompetenca juridike e në kontekstin historik dhe social, duke treguar e argumentuar, se familja shqiptare funksionon si një shtet në miniaturë dhe organizimi kushtetues i këtij minishteti është sa totalitar, po aq dhe republikan, demokratik, aristokratik dhe humanitar në të njëjtën kohë”, Alia, (Kanuni-kodi i së drejtës zakonore shqiptare, 2012).

Sipas studiuesit Alia, me të cilin nuk pajtohemi sa i përket vjetërsisë (moshës së kanunit), kanuni është vetë ‘fytyra’ e shqiptarëve. “Faktet dhe dokumentet historike dëshmojnë se gjatë pushtimit të gjatë e mizor turk (1479 – 1912), Kanuni i Lek Dukagjinit ishte akti i vetëm juridik i mbetur ende në fuqi, që funksiononte si një e “drejtë paralele”, madje mbizotëronte mbi ligjet e perandorisë Otomane, mbi Sheriatin (ligjet Islame) dhe mbi ligjet dhe të pushtuesve të tjerë që kishin invaduar trojet shqiptare. Kjo është një veçori historike, që e dallon popullin tonë nga vendet e tjera ballkanike, që i ishin nënshtruar tërësisht pushtetit turk”, Alia, (Kanuni – kodi i së drejtës zakonore shqiptare, 2012).

Siç e thekson më sipër edhe vetë Alia, është kanuni ai, që e ka shpëtuar popullin shqiptar nga nënshtrimi ndaj pushtetit të perandorisë osmane. Ky konstatim, është një premisë, që argumenton tezën tonë të lashtësisë së kodit kanunor, shumë më i hershëm se i kohës së mbretërimit të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Po të ishte ky kod i ri apo përafërsisht i kohës së Lekë Dukagjinit (shekulli i 15-të), atëherë ky kod do të ishte i pamjaftueshëm, që të përhapej, mësohej, zbatohej dhe përcillej brez pas brezi, jo vetëm paralelisht me kodet perandorake dhe fetare të sjellura nga osmanët, por edhe me kodet ekzistuese të mesjetës, si kodet bizantine.

Si mund të krijohej një kod gjithëshqiptar nga Lekë Dukagjini, në kohën që ky kishte në zotërim vetëm një pjesë të ngushtë të territorit shqiptar, Kanuni (2009, [1933]), nga Lezha në Prizren dhe ndoshta në Gjakovë, pra në një trekëndësh të ngushtë, ku Prizreni do të ishte nga të parat qytete që do të binte shpejt në duart e osmanëve. Po ashtu kundër kësaj teze është ekzistenca e kodit kanunor edhe në jug, i njohur madje në disa zona, e me disa emra si “Kanuni i Labërisë”, “Kanuni i Çamërisë” etj. Po ashtu kanuni njihet edhe me një emër, të vënë nga vetë populli, që e vetëpërcakton origjinën kohore: “Ligjet e lashta”. Po ashtu ka edhe një emër sinonimik dhe mbiemra që konotojnë lashtësinë, si “Ligji i vjetër”, “Ligjet e maleve”, “Kanuni i vjetër”. Po ashtu edhe emërtimi “Ligji i ligjeve”, që del specifik, konoton po ashtu vjetërsinë, sepse e vë në bazë, në themel të çdo ligji tjetër, marrë në nivel nacional, nuk mund të kishte asnjë ligj tjetër, as perandorak, e në nivel të jashtëm, as si ai i Hamurabit, nuk mund të ishte më i lashtë.

Një motiv tjetër është lashtësia e kanunit për t’ia prezantuar publikut të huaj, vlerat e trashëguara shqiptare.

Kanuni kishte disa lloj emërtimesh, që na i sjellë, Alia, (2012), quhej edhe me emra të përveçëm si “Kanun i Lekë Dukagjinit”, “Kanuni i maleve”, “Kanuni i Skënderbeut”, “Kanuni i Mirditës”, “Kanuni i Malësisë së Madhe”, “Kanuni i Labërisë”, “Kanuni i Papa Zhulit”, “Kanuni i Çamërisë” etj., si dhe me emrat si ata të përmendur më lart: “Ligji i vjetër”, “Ligjet e lashta”, “Ligjet e maleve”; “Ligji i ligjeve”, “Kanuni i vjetër” etj.

Pra, edhe në këtë rast, referimet në librat shkencor, shkollor dhe të tjerë, pavarësisht vlerësimeve që japin (pozitive, negative), se kanuni është krijuar në Mesjetë, dhe se kodifikuesi kryesor është Lekë Dukagjini, pavarësisht kontributit që mund të ketë dhënë, ai është shumë shekuj më i lashtë, nga sa kanë kaluar nga koha kur jetoi princi dukagjinas. Kështu librat dhe studimet e shumta shqiptare për kanunin, kryesisht konvergjojnë në kohën mesjetare, mbase të prirur që ta madhërojnë periudhën skenderbejane edhe me këtë kod, krijojnë një shkarje në komunikim, pasi përmbajnë pasaktësira edhe elementare në gjetjen e evidencave për referencat kohore.

Nuk ishte i shkruar, pra nuk kishte si të mësohej përnjëherë i gjithë kodi që të zbatohej nga Leka. Për tu mësuar përmendësh një kod, duhet shumë më tepër kohë, sepse mbamendja duhet të jetë e saktë, dhe vetëm koha e gjatë e kuvendimi nëpërmjet të folurit, e bën kujtesë kolektive, dhe si e tillë mund të mbijetonte në kohërat kur shkollat thuajse nuk ekzistonin, dhe ishin për një pakicë fare të vogël, kryesisht fetare dhe të pushtetit, veç asaj, shkolla shqipe fetare, daton në shekullin e 17-të, gati dy shekuj pas Lekës.

Pra, në kohën që s’kishte shkolla, nuk kishte as internet, nuk kishte as kush ti financonte mësuesit e Kanunit, në mënyrë që të fitonin në garën e pamëshirshme me kohën, që po rridhte në dobi të furishme për pushtuesit, që të arrinte të bëhej etnopsikologji dhe sjellje zakonore e sociale për shqiptarët. Ishte kohë e shkurtër, e pakët, dhe shumë e trazuar që kanuni të kodifikohej dhe përcillej në kohën e rezistencës së jashtëzakonshme të shqiptarëve nën Flamurin e Skënderbeut. Po ashtu Kanuni do të mbetej unik në zbatim si për shqiptarët e mbetur në kristianizëm, si për ata të konvertuar në islam. Kanuni nuk ka dualizëm, përjashto gjobat apo pajën, që janë të përshtatura për ti kryer në përputhje me besimin fetar!

Pra, ky unitet dhe premisat e shtruara më lart, sikurse do ta argumentojmë edhe në vijim, e vënë të padiskutueshme, vjetërsinë e kanunit, shumë më përtej kohës së jetës së Lekë Dukagjinit!

Në fakt kundërshtimi ynë për moshën e kanunit është se ne besojmë se ai është kod i një lashtësie, që me studime multidisiplinare mund ta nxjerrin, të një moshe fillestare, me rendin e parë zakonor njerëzor, si kodin e besës.

Besa- është fjala e dhënë, dhe si e tillë ajo është e shenjtë, sakrale, një mit dhe ashtu e barasvlershme, me vlerën që ia japin fjalës, librat e shenjtë, Bibla dhe Kurani – “Në fillim ishte fjala”, pra në fillim ishte “Besa”, e jo thjesht një fjalë e çfarëdoshme. Pa fjalën e dhënë nuk mund të organizohej asgjë, mbase as familja.

Ndërsa, një nga karakteristikat e vjetërsisë së kanunit, është Be-ja, pra dëshmimi për faktin, për ngjarjen dhe informacionin. Aq lart ishte e vendosur për nga rëndësia, sa që ajo ishte një instrument i larjes së gjaqeve, por edhe si shenjë për lidhjen e Besës. Në “Nye i Tetëdhjetetetët” që trajton Be-n thotë: “Beja lan gjaqe”, Kanuni (2009, [1933], Libri i 7-të, Nye i 88-të).

Dhe në hierarkinë e besueshmërisë dhe të rangimit në kanun, vendin kryesor, të parin dhe më të besueshmin e zë, ‘beja në gur’: “§.533. Beja mbë “gur” kah kanuja asht nder ma të randat e ma të mndershmet be, qi njef Shqyptari i Malevet”, Kanuni (2009, [1933], Libri i 7-të, nye i 89-të).

Nga të gjitha betë, më e vjetra dhe më e besueshmja ka ngelur e gurit, sepse vetëm shkëmbi është ai që u mbijeton kohërave, ndërsa i takon, organizimit të parë, themeltar njerëzor, momentit të ndërtimit të mjetit të punës, ndërtimit të armës së parë të fuqishme, momentit të vënies së gur themelit dhe fillimit të qytetërimit. Pra, ky lloj totemizmi, argumenton shenjat e lashtësisë mijëra e mijëra vjeçare, para se të kishte libra, dhe para çdo libri të shenjtë! Besimi në gur, e përjashton Zotin-monoteist, në besimin politeist, besimin në zotërat pellazgjik (apo helenik, sipas referimit të shkencës europiane).

Edhe studiuesi Shnajder, konfirmon lashtësinë e kanunit, por edhe të betimit në gur. “Shnajder … ndër të tjera pohon me këtë rast se shqiptarët nga fundi i shekullit të XIX betoheshin ende mbi gurët. “Të mos harrojmë se Roma, e kishte përshtatur këtë betim dikur, që padyshim e kishin sjellë etruskët, kjo degë e vjetër e pellazgëve perëndimorë”, (Mati, 2011, p.74).

Lashtësinë e kanunit e pranon edhe studiuesi i këtij kodi, Alia, (2012), i cili në këtë ese, edhe pse e quan, të rendit historik mesjetar, të Princit Leka III, ai vetë thekson se ky kod i takon lashtësisë pellazgjike duke u pajtuar me Pandi Frashërin. Madje, Alia (2012) kanunin e karakterizon si mitik – të fillesave të mendimit apo të njohjes njerëzore, pasi sipas tij, ai nuk përmbledhë vetëm kodifikimin e të drejtës, normave juridike, por të një dokumenti shumëfish më të rëndësishëm, që në komunizëm u prezantua si gogol, burim i të gjitha të këqijave tek shqiptarët.

Nga studiues të ndryshëm, që nga vet kodifikuesi i kanunit, që studiuesi Alia i referohet si ‘legjislator’ At Shtjefën Gjeqovit (2012), kanuni paraqet një vepër të jashtëzakonshme të shoqërisë njerëzore, të cilës ia dhuruan shqiptarët. Një identitet ky që është fare pak i njohur për publikun e huaj.

Sikur shqiptarët të mos ishin trashëgimtarë të tij të drejtpërdrejtë, nuk do të kishte mundur të mbijetonte kaq gjatë, si “kushtetutë’ e pa shkruar. Por, vetëm duke qenë krijues të asaj kulture dhe përshtatës me rrethanat e reja, ka mundur ti mbijetojë kohës.

Ky ndryshim në kohë (negativ dhe pozitiv), evoluim, evidentohet edhe në vetë kanunin, kur për të drejtën e gjakmarrjes, thuhet se sipas kanunit të vjetër, nuk kishin të drejtë hakmarrje ndaj askujt tjetër, përveç se ndaj vetë dorasit, sipas nenit “§898. Në kanu të vjetër të Malevet të Shqypnis vetem dorërasi bijtë në gjak, ase aj, i cilli tërhiqte, shkrepte e shprazte pushkën a çdo armë kundra nierit”, Kanuni (2009, [1933], Libri i 10-të nye i 105-të). Këtu gjejmë argumentin tjetër të lashtësisë së kanunit, dhe ndryshimin negativ të tij në kohë, si pasojë e ndryshimeve psikosociale në shoqëri.

Po ashtu bërja e Be-së është e përcaktuar se kur bëhet, përkatësisht këtu modelohen edhe funksionet e saj kryesore, në nenin §537:

“Per me u dlirë (pastruar) prej njij zhgarkimi (shlyrje të fajit-mëkatit);
Per me u lidhë me besë kundra hieksive e trathtive të vendit,
Per me ndejë gati me u ba ball kërcënimeve e rreziqeve të përbashkëta”, Kanuni (2009, [1933], Libri i 7-të, nye i 89-të).
Që të tria funksionet kanë karakter të komunikimit filtrues: të pastrimit të ndërgjegjes personale para të tjerëve; të bashkimit për ti dhënë fund vuajtjeve dhe tradhtive ndaj vendit (atdheut); dhe të mos dorëzohen para asnjë rreziku. Pra, nga tri funksionet, dy prej tyre janë në funksion atdhetarie dhe të kolektivitetit, kundër vuajtjeve dhe tradhtive të vendit, dhe po ashtu në funksion të së mirës së përbashkët, përballë kërcënimeve dhe rreziqeve të jashtme.

Nga tri funksionet e Be-së, rezulton se ajo është vetë Besa, pra betimi për besëlidhje,

i individit me shoqërinë, i anëtarëve të grupit me kolektivitetin dhe grupit me atdheun. Pra, Besa rezulton strumbullar i gjithë organizimit apo kodi referencial për Kanunin:

Besa = arketip i Kanunit

/ Vijon

Ps. Shkrimi nuk mund të botohet pa lejen e autorit apo të Gazetës Shqiptari.com

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2018 - Gazeta Infopress

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400