Katër vilajetet. Sikur t`ishin sot së bashku ?!

17:44 / E enjte, 18 Maj 2017

 

Shkruan: Fahri XHARRA

Na ishin një herë katër vilajete shqiptare nën Perandorinë Osmane. Edhe ata e dinin shumë mirë se kush jemi dhe sa jemi. Edhe eta e pranonin një të vërtetë që vet në të njëjtën kohë e mohonin . Mohimi i tyre shprehej në mënyra të ndryshme . Ne , në Portën e Lartë kishim vezir e kryevezir ; njërzë me peshë të madhe qoftë intelektuale qoftë me trimëri ushtarake. Por , jo ata ishin vetëm një bosht kurrizor që e barte peshën e kohës ( me qindra vjet ) të një kokeje të huaj. Këtu mëshihej krenaria me çmendurinë e pamundësisë individuale për të bërë diçka për vendin e vet . Ne pushtonim ose i udhëheqim të tjerët të pushtonin toka e shumë toka deri në Misirin e largët ; por leverdia ishte vetëm personale .
Ne fitonim tituj , por i mbanim vetëm për leverdi personale materiale dhe si dekor që peshonin vetëm në rrethin e ngushtë.
Pra ishim të ndarë në katër vilajete , me qëllim që të udhëhiqemi më lehtë nga Porta e Lartë . Pse jo në shtet në federatën e madhe perandorake osmane? Ata lartë që peshonin mbi kurrizin e Perandorisë e dinin përgjigjen . Ne , ishim të aftë vetëm të punojmë dhe të mbijetojmë . Asgjë më shumë.

-Vilajeti i Shkodrës si më i vogli ne sipërfaqe, por jo në pasuri dhe qytete, ishte me këto qendra të mëdha. Nga veriu në jugë Vilajeti i Shkodrës kishte këto qendra të mëdha urbane duke filluar nga Podgorica dhe nuk duhet harruar se banohej nga shumica shqiptare në ato vite, dhe kryeqytet i Malit të Zi… ishte Cetinja, ishte Tivari dhe Ulqini, Lezha, Kruja, Durrësi, Tirana dhe Kavaja.
-Vilajeti i Shkupit ose Kosovës, ishte me qëndrat urbane të mëdha si Prizreni dhe Shkupi, Gjakova, Peja, Mitrovica, Prishtina, Gjilan, Vranjë, Bujanovc, Preshevë, Tetovë, Dibër, por edhe Beran, Novi Pazar, Nish, Leskovc etj.
– Vilajeti i Manastirit ishte me Prilepin, Kërçovë, Kostur, Follorinë, Ohër, Korçë dhe deri në Elbasan.
-Vilajeti i Janinës kishte qëndra si Konica, Arta, Korfuzi, Gjirokastër, Berati, Vlora dhe patjetër edhe Preveza e famshme.
Ka edhe qendra të tjera urbane, por që në atë kohë nuk ishin me shumë banorë. Pa diskutim që në të gjithë këto qendra urbane, përqindja dërmuese e popullsisë ishte shqiptare dhe në ato vende kur kishte popullsi tjetër etnike normalisht që ajo përbënte një pakicë ,shumë pakicë .

Por , ne prodhonim dhe prodhonim kuadro të forta: imam, mejzin dhe kalibër tjetër të lartë të fesë.15492131_346232275747157_4989730023103692889_n

“Perandoria Osmane i kushtonte një rëndësi të madhe arsimimit në të gjitha shkallët, arsimit të ulët, arsimit të mesën dhe atij të lartë (sibjanet-mektebet-medresetë), numri i të cilave gjatë shek. XV arrinte në 60 shkolla fillore vetëm në vilajetin e Rumelisë (territorin osman në Ballkan), në Anadoll 154, në Amsja 200, në Erzurum 110, kur në të njëjtën periudhë kohore në Evropë nuk flitej fare për shkolla. Fëmijët hynin në shkollë 5-6 vjeç,niveli fillestar Mekteb-Sibjanet, zgjaste 4 vjet, në të cilin kryesisht mësohej osmanishtja, arabishtja dhe persishtja (jo të detyrueshme), mësohej leximi i Kur’anit, historia, retorika, dhe dije tjera fetare e jo fetare të nivelit fillestar. Ndërsa Medresetë përfaqësonin dy nivelet e tjera arsimore, ku Medrese e ulët nënkuptonte nivelin e mesëm të arsimit dhe Medrese e lartë ishte niveli i lartë arsimor, pra shkolla e lartë, me këtë emërtim njiheshin edhe universitetet në mbarë botën islame në këtë kohë. Në medresetë në varësi të llojit dhe nivelit që ishin mësohej: gramatikë e sintaksë e gjuhës arabe, logjikë, teologji (mësime të ndryshme fetare), retorikë, astronomi, gjeometri, letërsi, shkencat juridike islame, hadith. Të gjitha medresetë kishin bibliotekat e tyre të veçanta.[6] Me zhvillimin e qyteteve, të qendrave tregtare e kulturore, në shekujt XVII-XVIII, numri i shkollave islame jo vetëm që nuk ra, por përkundrazi u rrit, veçanërisht nga fundi i shek. XVII ato u shtuan shumë.[7] (Medresetë në trojet shqiptare gjatë sundimit osman , Dituria Islame )

Dhe …” Paralel me islamizimin masiv të trevave shqiptare, krahas të tjerave, u morën masa për organizimin e arsimit islam, pak a shumë sipas modelit mbarë osman. Shkollat islame u shtrinë gjerësisht në këto territore. Mejtebet, si shkollë fillore islame, kanë ekzistuar në çdo vendbanim të rëndësishëm mysliman. Zakonisht ka pasur në çdo qytet e fshat ku ka ekzistuar xhami.[8] Institucionet e para arsimore në trojet shqiptare datojnë gjatë shek. XV, ku në Shkup u ndërtuan dy medresetë e para, në vakëfet e njohura të dy komandantëve Is’hak Bej 1445 dhe Isa Bej 1469, më pas në Prizren po në shek. XV, në gjysmën e dytë të shek XVI në Pejë,[9] dhe gjatë shek. XVI pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni, etj., ka pasur medrese pasi shkolla fillore islame ka patur shumë. Shembuj të tillë gjejmë në Shkup, Manastir, Kumanovë, Shkodër, Elbasan, Prizren, Berat (5 medrese), Gjirokastër, Kavajë, Peqin, etj., ka patur dy apo më shumë medrese, dhe në kohën kur ka patur kaq medrese, Shkollat Fillore (Mejtebe) nuk diskutohet që kanë qenë në numër shumë më të madh.[10] Të dhënat më të shumta dhe më të sakta mbi gjendjen e qyteteve shqiptare na e jep kronikani i njohur Evlija Çelebiu, i cili gjatë shek. XVII, kur dhe ka jetuar ka vizituar pothuajse çdo qytet ku jetonin shqiptarët 1-2 apo më shumë herë, gjatë viteve 1660-62, na ka lënë të dhëna të bollshme për të skicuar qytetet e banuar nga shqiptarët gjatë kësaj periudhe kohore.”( Po, aty )

“Të dhënat e tregojnë qartë se si ka qenë ecuria e arsimit islam-osman në mbarë trevat shqiptare gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, ku rritja është e konsiderueshme në numër, nga rreth 45 medrese në fund të shek. XVII, në mbi 100 të tilla në fund të shek. XIX, nga 112 shkolla fillore bashkë me shkollat e Kur’anit, në mbi 700 shkolla fillore, rreth 40 shkolla ku mësohej Kur’ani përmendësh, rreth 90 shkolla turke (shkolla të tilla i kemi pas reformimit që u bë në arsimin osman gjatë shek XIX.” (Revista Drita Islame, Tetor 2013 )

Historia e jonë është fshehur , se ajo është dhe duhet ti jepet gjuha shqipe e të flasin shqip “Aktualisht në arkivat e Turqisë gjenden më shumë se 90 milionë dokumente të periudhës së Perandorisë Osmane. Çfarë do të thotë se procesi i identifikimit, seleksionimit, përkthimit e më pas shpërndarjes në vendet që ato përfshijnë, nuk është i lehtë. E megjithatë, mes këtij numri të jashtëzakonshëm dokumentesh, tahriret – siç quhen në Turqi regjistrat – janë dokumentet më të sakta dhe të plota për nga të dhënat që ofrojnë.

Por si përfundim të këtij shkrimi , ja se si e thotë Ismail Kadare : “Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!
Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.
Ishin dikur katër Vilajete shqiptare që më nuk janë dhe ishin vetëm për Osmanët dhe për pazarllëqet e tyre me të tjerët në dëmin tonë.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400