Kosovarët- Dardanët e mitit dhe historisë

06:06 / E diell, 11 Dhjetor 2016

Historia e Ilirisë nuk i mbulon aspak të gjitha trevat ku e gjeti historia etnin shqiptare. Bërthama historike e Ilirisë ishin Taulantët ndërsa krahina të tjera do lulëzonin e binin ndër kohë. Fise ilire-sipas Strabonit-  zgjateshin kundrejt maleve të Pindit dhe arrinin në Thesali ndërsa pjesa nga malet e Vetëtimës e  deri në Gjirin e Am-vra-kias thirreshin me emrin e Epirit.  Problemi më i madh i autorëve antik ka qënë gjithmonë nëntoka të cilën ata thuajse nuk e njihnin aspak. Kështu që brëndia e ilirëve, maqedonëve dhe dardanëve nuk është zbardhur aq sa duhet për shkak të përshkrimit të historisë me anë të rrugëve detare nga ana e antikitetit. Trevat shqipfolëse të nëntokës maqedone-ilire-dardane  duhet të studiohen  si pjesë e historisë sonë jo nën përgjithësimin e kot ‘ilirët’ por si treva maqedone dhe dardane të autoktoneve të vetëm në këto troje. Dardanët-kosovarët e sotëm- nuk mund të heqin dorë nga pasaporta e tyre autoktone që në historinë e vjetër, mes mitit, njihen si familjarë me Pellazgët –familja e Trojës- dhe përhapja e tyre ndërtoj atë që sot e quajmë ‘civilizimi europianë’ me anë të Enea Dardanidit. Kosovarët- Dardanët- në Trojë?  Po! A nuk ishin më të shumtët dhe në luftën e Cane-kalasë?  Rrënjët e tua tregojnë edhe shtatin tëndë në pafundesin e shekujve që vijnë…Altin Kocaqi

 

 

Dardanët në shek. IV p.e.sonë. (Versioni zyrtarë)

Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte bërë asokohe fuqia politike-ushtarake më e madhe në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.sonë ai sulmoi edhe shtetin ilir.

Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedon kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.

Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi të fuqishme. Dardania asokohe përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore, që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u nxitën, në radhë të parë, nga politika e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet miqësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në mënyrë të vazhdueshme dardanët.

Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.sonë “mbreti i dardanëve” kishte dërguar delegatë te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh në luftën kundër keltëve.

Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve, nëpër të cilën deshën të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin e invazionit të keltëve.

Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III p.e.sonë. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve, dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte një forcë politike-ushtarake e fuqishme. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i sundimtarit të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjët jugorë.

Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër: gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht kufijtë e saj në veri e në jug.

Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve maqedonë kundrejt fqinjëve të tyre iliro-veriorë dhe në mënyrë të veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët herëpashere janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë, dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.

Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë, luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedon për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonë u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.sonë, duke përfituar nga rasti që shteti ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir, “një pjesë e ilirëve, – shkruan Polibi, – ishin shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”.

Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise. Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që kalonte mbretëria maqedone sulmuan tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i Maqedonisë Demetri II.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2017 - Gazeta Infopress

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400