Kristo Frashëri: Dy standarde na çojnë në dy kombe, si serbët e kroatët

20:45 / E premte, 06 Janar 2017

 

(Shënimi yne Dy dialektet e një gjuhe në se shkruhen pa standart krijojnë dy gjuhë më vete ashtu si frëngjishtja dhe gjermanishtja që lindën nga e njëjta gjuhë me anë të një traktati që u shkruajt në dy dialekte: Traktati i Verdunit. Kjo është provë e gjallë ndaj dhe në këtë pikë unë e mbështes Prof. Dr. Kristo Frashërin. Nga ana tjetër një gjuhe shqipe me standart dhe e mbështetur në fjalët e huaja, për ata që e kanë lexuar Fjalorin me rreth 40 000 fjalë të gjuhës shqipe, po degradon. Gjuha shqipe duhet të zhvishet nga fjalët e huaja  dhe të pasurohet, me standart, me fjalët dialektore e nëndialektore të  saja. Ky është thelbi i së vërtetës në se vertete e duam dhe e mbrojmë gjuhën shqipe. Altin Kocaqi)

 

Shkruan Kristo Frashëri

Në lidhje me debatin që po zhvillohet rreth rishikimit të gjuhës sonë standarde, dua të them edhe unë dy fjalë. Ndonjë linguist mund të më thotë: ç’të duhet ty si historian të futësh hundët në gjuhësi? Unë përgjigjem: E keni gabim zoti gjuhëtar. Gjuha nuk është monopol vetëm i gjuhëtarëve. Ajo është pronë e të gjithë atyre që e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe. Nga kjo pikëpamje, zhvillimi i saj më intereson drejtpërdrejt – madje më tepër mua që po shkruaj përditë, sesa atyre që nuk merren me shkrime, por vetëm me biseda. E dyta, mos harroni se dhe gjuha ka historinë e saj. Për këtë arsye, historiani nuk mund të rrijë spektator dhe të zbatojë sugjerimet e disa gjuhëtarëve, të cilët me diplomë janë gjuhëtarë, por me arsyetim janë, siç thoshte Atë Gjergj Fishta, “shkarpaxhinj”.

 

Unë di nga historia se çdo gjuhë standarde është ndërtuar mbi themelet e një idiome dialektore, e cila ka pasur fatin e madh të nxirrte nga gjiri i saj në fillim një shkrimtar të shkëlqyer e pastaj një varg shkrimtarësh të shquar. Këtë të drejtë gjuha standarde e ka fituar me dekret popullor dhe jo me firmën e ndonjë sovrani, i cili megjithatë ka meritë kur e ka pranuar vendimin e elitës intelektuale të kohës së vet.

 

Veç kësaj, gjuha standarde nuk ka jetuar e mbyllur në kafaz brenda vetvetes. Ajo ka marrë nga dialektet e tjera, por edhe nga gjuhët e huaja, fjalë dhe shprehje me të cilat është pasuruar vazhdimisht. Por, kurrsesi nuk ka marrë nga dialektet e tjera kategori gramatikore. Nuk përjashtohet mundësia që gjuha standarde ka huazuar ndonjë element gramatikor të idiomave të tjera, por vetëm kur ato i përshtaten strukturës gramatikore të idiomës bazë të standardit.

 

Me sa di unë, orvatjet që janë bërë në frëngjishten, italishten dhe greqishten për të huazuar kategori gramatikore të idiomave të tjera, nuk kanë pasur sukses. Madje, orvatjet e disa gjuhëtarëve francezë të shek. XVIII për të futur në gjuhën letrare frënge kategori gramatikore të idiomave të ndryshme, e revoltuan aq tepër filozofin e madh Volter (Valtaire), sa ai lëshoi shprehjen e njohur: “Mjaft, zotërinj gjuhëtarë, po e masakroni gjuhën tonë të bukur, frëngjishten!”

 

Ç’po ndodh me zanoren “ë”

Në të vërtetë, përpjekjet që po bëjnë disa gjuhëtarë shqiptarë, pavarësisht se ata janë të pajisur me tituj akademikë, për të futur në gjuhën standarde kategori gramatikore ose për të pranuar për të njëjtën fjalë dy trajta gramatikore vetëm me argumentin se ato janë pasuri e dialektit të tyre, janë shkencërisht të papranueshme. Është njësoj si ta deformosh, ta përdhunosh, nëse lejohet të përdorim termin e Volterit: ta masakrosh gjuhën standarde. Shkurt, do të thotë ta varrosësh gjuhën standarde. Në gjuhën standarde tashmë ka zënë vend koha e kryer “kam qenë” ose e pakryera “punoja”, kurse dashnorët e ndonjë dialekti mund të kërkojnë të përfshijnë në gjuhën standarde edhe trajtat “jam kenë”, “punojsha”. Kjo nuk shkon, mbasi gjuha standarde është standarde kur ka vetëm një formë gramatikore. Kur ka dy a më tepër forma gramatikore pa ndonjë dallim kuptimi, ajo nuk është më gjuhë standarde. Një dukuri të tillë, që filloi të shfaqej në gjuhën letrare turqishte gjatë shek. XIX Sami Frashëri e quajti pa ngurrim jo turqishte, por një “përshesh” të turqishtes.

 

Një dukuri e tillë po vihet re dhe në Këshillin Ndërakademik, anëtarët e të cilit me gjithë respektin që kam për ta si akademikë, përpiqen me dyzimet e tyre të kënaqin “edhe Lenën, edhe Prenën”, pra edhe toskërishten, edhe gegërishten: teatro – teatra, kuadro – kuadra. Nëse vazhdojmë kështu, do ta mbushim gramatikën shqipe me qindra, në mos edhe më tepër dyzime.

 

E njëjta gjë ndodh edhe me zanoren “ë”, të cilën për ta dalluar nga zanorja “e” e quajnë “e” e pazëshme. Meqenëse disa akademikë nuk e kanë në dialektin e krahinës së vet këtë “e” të pazëshme, kërkojnë që ta zhdukim edhe nga gjuha standarde, herë duke e zhdukur (në vend të “një kalë” të thuhet “një kal”), herë duke e zëvendësuar me zanoren “e” (jo “republikën”, por “republiken”).

 

Kjo do të thotë sipas tyre se gjuha standarde shqipe duhet të marrë si shembull për zanoren “e” të pazëshme të folmet ku nuk shqiptohet kjo zanore. Dakord, zotërinj akademikë! Por, përse të mos e përfillim të folmet që ruajnë trajtat e plota, d.m.th. ku kjo shqiptohet qartë edhe sot, siç është shqiptuar  dikur në mbarë shqipen? Ku do të na çojë ky lokalizëm? Në rast se Këshilli Ndërakademik me prirjen e tij të kompromisit për të kënaqur “edhe Lenën, edhe Prenën”, merr vendim që të lejojë përdorimin e të dyja trajtave, kur fjalët kanë në fillim, në mes ose në fund zanoren “e” të pazëshme, vaj halli ku do të vemi.

 

Standardin nuk e vendosi Enver Hoxha

Vijmë te çështja më kryesore: te përdorimi i paskajores gegërishte, e cila i shqetëson së tepërmi disa gjuhëtarë veriorë. Ata ankohen se me vendim të “Likurgut” shqiptar, me të cilin ata aludojnë padrejtësisht Enver Hoxhën, u nxor jashtë gegërishtja dhe se gegërishtja nuk e meritonte një fat të tillë. Para së gjithash ata harrojnë se gjuha standarde ndërtohet, sikurse u tha, mbi një dialekt. Nëse gegërishtja do të kishte shërbyer si bazë për gjuhën standarde, sigurisht që do të kishin mbetur të pakënaqur disa folës të toskërishtes. Në këtë rast ata shqiptarë gegë do të kishin mbetur të kënaqur dhe do të paditnin kolegët e pakënaqur toskë për nacionalizëm lokal. E dyta, gjuhën standarde nuk e krijoi Enver Hoxha. Ky është një spekulim që nuk u përshtatet gjuhëtarëve, sidomos akademikëve, të cilët përdorin argumente shkencore dhe jo insinuata politike.

 

Gjuhën standarde nuk e krijoi, por e vendosi Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972. Dihet se anëtarët e Kongresit të Drejtshkrimit nuk ishin të gjithë komunistë. Midis tyre kishte anëtarë të PPSH-së, por shumicën e përbënin dijetarë shqiptarë të paregjistruar në PPSH-në. Madje, midis tyre kishte dhe gjuhëtarë shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi të cilët ishin të pavarur nga Enver Hoxha. Vendimi për gjuhën standarde u pranua njëzëri nga gjithë delegatët. Vetëm nga kjo pikëpamje është e padrejtë të thuash se gjuha standarde u vendos nga Enver Hoxha. Kjo është një fyerje sidomos për disa nga figurat më dinjitoze të gjuhësisë shqiptare, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të asaj partie: prof. Aleksandër Xhuvani, prof. Kostaq Cipoja, prof. Eqrem Çabej, prof. Mahir Domi, prof. Aleks Buda etj. Po ashtu është fyerje edhe për gjuhëtarët e trojeve etnike që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët nuk vareshin nga Enver Hoxha, siç ishin prof. Idriz Ajeti, prof. Besim Bokshi, prof. Ali Aliu, prof. Rexhep Qosja, prof. Isa Bajqinska, prof. Remzi Nesimi, prof. Ismail Doda, prof. Sefedin Sulejmani, prof. Ahmet Kelmendi, pa lënë jashtë arbëreshin e Italisë Josif Ferrari.

 

Vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972

Gjuhëtarët që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972 e kanë sqaruar se gjuha standarde që miratoi ai kongres nuk u mbështet në asnjë nga të folmet e toskërishtes, as në të folmen e Dangëllisë apo të Devollit, as në të folmen e Labërisë apo të Çamërisë. Ajo u mbështet në toskërishten letrare, e cila kishte marrë rrugën për t’u shndërruar në një “koine” që në mes të shek. XIX, duke filluar me Kristoforidhin e me Mitkon, me Naimin apo Samiun, me Faikun apo Nolin, e mjaft pena të shquara. Gjuha standarde, e cila u miratua më 1972, nuk ishte identike pikë për pikë me asnjë nga të folmet e një krahine të toskërishtes. Ajo ishte një koine e toskërishtes, e cila ishte formuar gjatë 100-vjetëve nga pena të shquara të Shqipërisë së Jugut. Veç kësaj, koineja e toskërishtes nuk ishte mbyllur në guaskën e saj, por me krijimin e shtetit shqiptar kishte përvetësuar fjalë e mënyra të thëni nga gegërishtja, madje edhe nga gjuhë të huaja. Për më tepër, edhe pas Kongresit vazhdoi të pasurohej me ritme më të shpejta me fjalë dhe me shprehje të huazuara nga dialektet e gegërishtes, madje edhe me parashtresa apo me prapashtesa, të cilat u përshtaten ligjeve të gjuhës standarde.

 

Po të ngjallej Naim Frashëri dhe të lexonte tekstet shkollore të shkruara në gjuhën e sotme standarde, sigurisht që do të pohonte se gjuha e tyre nuk është as toskërisht, as gegërisht, por një idiomë e re, ndoshta një simbiozë e dy dialekteve, e cila herë takohet me rotacizmin e toskërishtes, për shembull, jo ranë, por rërë, herë afrohet me gegërishten për shembull, jo rërishte, por ranishte. Po ashtu, gjuha letrare e nxori jashtë radhëve të saj emrin toskërisht në trajtën mësonjës, të cilin e zëvendësoi me trajtën gegërishte mësues. Nuk është e çuditshme që ligji nuk i kënaq të gjithë. Për shembull, ligji që dënon hajdutët, nuk i kënaq hajdutët. Por edhe të pakënaqurit duhet të binden. Ndryshe krijohet anarki.

 

Të përfshish në gjuhën standarde shqipe të miratuar më 1972 disa kategori gjuhësore që nuk pajtohen me gjuhën standarde, do të thotë të krijosh disa gjuhë standarde. Të krijosh qoftë edhe dy trajta gramatikore në gjuhën standarde, ajo nuk mund të jetë më gjuhë standarde. Një vend me dy gjuhë standarde nënkupton fillimin e një procesi që çon në formimin e dy kombeve të veçanta, siç ndodhi për shembull me serbët dhe kroatët, të cilët flasin të njëjtën gjuhë, por me disa kategori gramatikore të ndryshme. Në asnjë mënyrë nuk kam menduar se përkrahësit e miratimit të dy standardeve të gjuhës shqipe synojnë në ndarjen e shqiptarëve në dy a më tepër kombe. Por këmbëngulja e tyre për miratimin e dy standardeve, duan apo nuk duan ata, këtu të çon. Prirjen e tyre, hë për hë unë e quaj të dëmshme.

 

Si e ka ruajtur Akademia e Francës standardin

Kam vënë re se disa gjuhëtarë e trajtojnë gjuhën standarde si një produkt i cili duhet t’i nënshtrohet, ashtu si për shembull veshmbathja, fenomenit të modës. Gjuha nuk është kostum që blihet në treg, por është fizionomia apo identiteti i një kombi, me ndryshim se gjuha nuk plaket, por pasurohet. Fjalori dhe shprehjet pasurohen, por gjithmonë i qëndrojnë besnik strukturës gramatikore të gjuhës. Me sa di unë, tek të gjithë popujt gjuhëtarët e të gjitha niveleve kërkojnë t’i qëndrojnë besnik, jo vetëm gjuhës standarde, por edhe alfabetit të saj. Herë pas here dalin gjuhëtarë, për shembull, në Greqi, të cilët kërkojnë ta thjeshtëzojnë drejtshkrimin, i cili krijon mjaft vështirësi tek nxënësit e shkollave. Por Akademia e Athinës as nuk e vë në diskutim drejtshkrimin e greqishtes, mbasi ashtu siç është përdorur gjatë shekujve e konsideron trashëgimi kulturore të paprekshme. Po ashtu drejtshkrimi frëngjisht ka disa anomali. Për shembull “ch” herë lexohet si “k” (echo), herë lexohet si “sh” (chomage), ose t-ja midis dy i-ve lexohet herë si “s” (initiative), herë lexohet si “t” (itineraire).

 

Megjithatë, asnjëherë Akademia e Francës nuk ka pranuar ta prekë këtë standard. Në rast se do të korrigjojë drejtshkrimin e vendosur në shek. XVI, mendojnë gjuhëtarët akademikë të Francës, atëherë do të hapin shtegun për ta ndryshuar drejtshkrimin e frëngjishtes sa herë që ndonjëri do të zbulojë ndonjë anomali në radhët e saj. Ç’do të ndodhë atëherë? Do të ndodhë që frëngjishtja nuk do të ketë drejtshkrim standard dhe do të jetë vazhdimisht në kërkim të një drejtshkrimi standard. Edhe alfabeti i shqipes që është miratuar në vitin 1908 nuk është pa anomali. Ndonëse ai është ndërtuar mbi parimin fonetik, ka fjalë, sidomos emra, që nuk mund të shkruhen ashtu siç shqiptohen. I pari që e konstatoi këtë anomali ishte vetë kryetari i Kongresit të Manastirit, Mitat Frashëri. Ai vuri re se emri i tij Mid’hat po të shkruhej me alfabetin latin të Kongresit, do të lexohej Midhat. Megjithatë e pranoi vendimin e Kongresit dhe për të mënjanuar anomalinë, më vonë e shkurtoi emrin e tij në Midat.

Nëse francezët janë këmbëngulës të rreptë për drejtshkrimin e gjuhës së tyre, për se ne duhet të jemi kaq dorëlëshuar për gjuhën standarde?

 

Problemet me të cilat përballet shqipja sot

Për të gjitha këto arsye, unë e quaj të gabuar debatin që bëhet në rang akademik për të prekur standardin e gjuhës shqipe të vendosur nga Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972. Jam i bindur se puna që akademikët e sotëm kanë marrë përsipër pas 30 e ca vjetësh të prekin vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, nuk çon në çimentimin e gjuhës standarde. Le të më falin kolegët akademikë, unë kam përshtypjen se ata nuk janë të ndërgjegjshëm se me prirjen e tyre ata duket sikur kanë marrë kazmën në dorë për të shkallmuar gjuhën standarde.

 

Unë mendoj se problemet kryesore me të cilat përballet sot gjuha shqipe janë të tjera. Mbaj mend se me propozimin e E. Çabejt në një mbledhje të asamblesë së Akademisë më 1979, u krijua një komision shtetëror për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, që u drejtua nga kryetari i Akademisë, Aleks Buda, derisa ai u sëmur. Ky komision vuri në lëvizje gjithë institucionet arsimore, shkencore e kulturore të vendit dhe pati rezultate të mira. Propozimi im është që punët t’i zëmë e t’i vazhdojmë atje ku kanë mbetur, jo t’i nisim nga e para, nga themelet.

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400