Kryeministrat e Greqisë me origjinë shqiptare

12:00 / E premte, 19 Maj 2017

 

Nga Arlinda Canaj

Gjatë historisë arvanitasit kanë dhënë kontribut në të gjithë fushat e jetës politike dhe kulturore të Greqisë. Ata shënojnë majën më të lartë, piramidën politike greke dhe ishte kontributi i tyre që i dha lavdi Greqisë së Re. Me ndihmën e historianit Arben Llalla dhe të Arkivës së Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë do të udhëtojmë në biografinë e emrave më të njohur shqiptarë që udhëhoqën institucionet qeveritare greke ndër vite. Shumica e kryeministrave janë me origjinë nga ishujt që historikisht njihen të banuar dhe banohen edhe sot me shumicë nga popullata arvanitase si Hidra, Speca, Poros, Salamina etj. Ata u njohën si reformatorë të guximshëm të shtetit grek. Arvanitasi Andoni Kryeziu, në 1850 shpalli Kishën Autoqefale Greke, duke e shkëputur përgjithmonë nga vartësia e Fanarit të Stambollit. Arvanitasi tjetër Dhimitër Vulgari pasi u zgjodh kryeministër i Greqisë, bëri të mundur bashkimin e Shtatë ishujve me Greqinë. Kryeministri Dhimitër Vulgari mbështeti fuqishëm kryengritjen e ishullit të Kretës për t’u bashkuar me Greqinë.

Po ashtu Kryeministër të Greqisë kanë qene edhe arvanitasit Teodoros Pangallos i cili më tej u zgjodh dhe Kryetar i shtetit grek. Kryeministër i Greqisë ka qenë edhe anëtari i Akademisë së Athinës, Aleksandër Diomidhis, i cili u zgjodh Kryeministër i Greqisë më 30.6.1949 deri më 6.1.1950.

Pra historikisht,  sipas historianit Llalla, arvanitasit kanë dhënë një kontribut të madh në të gjitha fushat e jetës politike dhe kulturore të Greqisë. Shumë prej tyre përfshihen në listën e emrave më të shndritshëm, që i dhanë lavdi Greqisë së Re. Por sot pozicioni i gjuhës, kulturës dhe i traditave të tyre nuk e meritojnë vendin që u ka lënë shtetin grek. Ku çdo gjë që ka lidhje me arvanitasit fshihet, izolohet dhe konservohet nëpër bodrumet e harresës për të mos dalë më në dritë e vërteta e atyre që janë zotër të Greqisë.

 

1- Gjergj KUNDURIOTI (1782-1858) lindi në ishullin e Hidrës. I takon familjes së Kunduriotëve që ia dhanë shumë kryengritjes së 1821. Tok me vëllanë Llazarin, dhanë shumën prej 1.948.158 franga ari (4/5 të pasurisë së tyre) për mbështetjen të Kryengritjes të 1821. Ishte Kryetar i Greqisë në periudhën 11.10.1824-6.2.1825. Kryetar dhe anëtar i Komisionit Drejtues më 1832. U zgjodh kryetar i mbledhjes së Pleqërisë së parë(1844-1845), të mbledhjes së Pleqërisë së dytë(1845-1846), dhe të mbledhjes së tretë(1846-1847). Në janar të 1844 u bë kryeministër dhe ministër i Marinës.

 

U bë kryeministër përsëri në vitin 1848, dhe dha dorëheqjen për shkak të mospajtimit me mbretin Otton. Në vazhdim ishte deputet dhe kryetar i Kuvendit të mbretërisë së Greqisë më 1856. Vdiq më 1858 në ishullin e Hidrës.

 

2- Andon KRYEZIU (1796-1865) lindi në ishullin e Hidrës më 1796. Familja e tij kishte ardhur në ishull në shekullin XVII. Rrënjët e fisit të Kryezinjve gjenden në fshatin arvanitas Krieza të Eubesë jugore. Qysh në fillim të luftës së 1821 luftoi gjithnjë në vijën e parë dhe si dorë e djathtë e admiral Andrea Miauli. Më 1836 bëhet ministër i Marinës detare greke, më vonë bëhet krye kujdestar i oborrit të mbretit Otton dhe zgjidhet kryeministër në 1842-1844, dhe në vitin1849-1854. Gjatë periudhës që ishte kryeministër zgjidhi problemin e madh kishtar të asaj kohe me shpalljen e Kishës Autoqefale Greke më 1850 duke e shkëputur përgjithmonë nga qendra e fesë ortodokse në Stamboll. Ishte i pari njeri që u bë nënadmiral i Marinës greke dhe u caktua adjutant i mbretit Gjeorgjit të parë të Greqisë. Vdiq më 1865 në Athinë dhe u varros me nderime të veçanta të mëdha.

 

3– Dhimitër VULGARI (1801-1877) lindi më 1801 në ishullin e Hidrës. Ishte bir i beut të Hidrës, Gjeorgjio Vulgarit. Në moshën 17 vjeç u bë anëtar i Këshillit të Hidrës dhe më 1822, u zgjodh kryetar i përfaqësisë së Hidrës, u bë dhe drejtues i anijes luftarake në ishull. Më 1826 ishte prokuror i Hidrës dhe më 1848 u bë ministër i Ekonomisë.

 

Ishte kryeministër nga viti 1855-1857, 1862-1863, 1863-1864, 1868-1869, 1871-1872, dhe nga 1874-1875. Gjatë periudhës që ishte kryeministër u bë bashkimi i Shtat Ishujve me Greqinë, dhe mbështeti fuqishëm kryengritjen e ishullit të Kretës.

 

Vdiq më 1877 në Athinë.

 

4-Athanas MIAULI (1815-1867) lindi në ishullin e Hidrës më 1815 dhe ishte djali i të lavdishmit Andrea Miaulit. U rrit pranë babait në det dhe mësoi në anije Fregatë shkrim e këndim në gjuhën greke nga Filip Joanu. Ai mbaroi Fakultetin Ushtarak të Mynihut në Gjermani dhe shërbeu si oficer i marinës greke. U bë adjutant i mbretit Otton dhe ministër i Marinës në vitin 1855. Kryeministër i Greqisë u zgjodh nga viti 1857-1862.

 

Vdiq në Paris të Francës në vitin 1867.

 

5- Pavlo KUNDURIOTI (1855-1935) lindi në ishullin e Hidrës më 1855. Pavloja ishte nipi i Gjeorgjio Kunduriotit dhe bëri karrierë si oficer i Marinës, me një veprimtari të gjerë. Në vitin 1905 u bë adjutant i mbretit Gjeorgjio i Parë, në prag të luftës së 1912 u bë komandant i flotës së Egjeut dhe në vazhdim u bë nënadmiral.

 

Pushtoi ishujt Limons, Tenedos, Tasos, Samothraqit, Psara dhe Mitilini. Mundi flotën turke në dhjetor të vitit 1912 dhe në janar 1913.

 

Më 1915 u zgjodh ministër i Marinës dhe më 1916 anëtar i Treshes arvanitase Venizellos, Dangëlliu, Kundurioti që drejtonte lëvizjen më 1917, dhe u bë ministër i Marinës. Më 1920 u bë mëkëmbësi i mbretit të Greqisë dhe më 1923 u bë Kryetar i parë i Republikës Greqisë deri më1926. Në vitin 1926 u zgjodh Kryetar i Republikës Greke arvanitasi tjetër Teodoros Pangallos. Në vitin 1929 u rizgjodh përsëri Kryetar i Republikës së Greqisë dhe dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore në dhjetor të vitit 1929. Vdiq më 1935 në Faliro të Greqisë.

 

6- Petro VULGARI (1884-1957) lindi në ishullin e Hidrës më 1884. Ishte oficer i Marinës në Luftërat Ballkanike dhe mik i ngushtë i Pavlo Kunduriotit. U bë në periudhën 1926-1935, komandant i përgjithshëm i aviacionit të marinës, komandant i bazës së nëndetëseve dhe më vonë atashe ushtarak në Ankara të Turqisë. U bë ministër i Aviacionit në Qeverinë e Lindjes së Mesme, dhe nga 8-4-1945 e deri më 17-10-1945 u bë kryeministër i Greqisë. Nuk pranoi kurrë shpërblimet për detyrën si kryeministër. Ai vdiq në Athinë më 1957.

 

7- Diomidh QIRIAKO (1811-1869) lindi në ishullin e Specas në vitin 1811. Familja Qiriako i dha shumë Kryengritjes të 1821. Vëllai i tij, Jani Qiriako ishte nënadmiral i flotës së ishullit të Specas dhe u vra në luftën e Mesollogjis.

 

Diomidhi studioi për drejtësi në Universitetin e Pizës dhe të Parisit. Më 1835 u bë prokuror i Gjyqit të Shkallës së Parë. Në vitin 1840 u zgjodh i plot fuqishëm i ishullit të Specas. Ishte redaktori kryesor i Kushtetutës të vitit 1843 dhe qysh nga viti 1851 ishte profesor i së Drejtës Kushtetuese.

 

Ishte ministër i Fesë dhe Arsimit Publik, dhe më 18-3-1863 deri 29-4-1863 ishte kryeministër i Greqisë. Vdiq në Itali në vitin 1869.

 

8- Emanuil REPILI (1863-1924) lindi më 1863 në Kranidhi. Studioi për drejtësi dhe u mor dhe me gazetari. Ishte kryeredaktor i gazetës “Akropol” dhe ishte artikullshkruesi special për më se një dekadë. U bë ministër i Jashtëm më 1910 dhe më 1913, në krah të kryeministrit Elefterios Venizellos. Ai mori administrimin e përgjithshëm dhe organizimin e Greqisë së Veriut. Në vitin 1925 u zgjodh ministër i Ekonomisë dhe më 1916 ministër i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i qeverisë. Si ministër i Jashtëm përpunoi dhe arriti të votohet ligji për Bashkitë dhe Komunat që tregonte sistemin e drejtimit të bashkive dhe komunave. U zgjodh kryeministër më 21-8-1917 deri 28-8-1917, dhe nga 19-10-1917deri 3-1-1918. Vdiq në Kranidhi më 1924.

 

9- Aleksandër KORIZI (1885-1941) lindi më 1885 në ishullin e Poros. Studioi për Drejtësi dhe në vitin 1903 u emërua nëpunës në Bankën Kombëtare Greke. U bë drejtor i kësaj banke më 1921 dhe nëndrejtor i saj më 1928. Në vitin 1929 krijoi Bankën Bujqësore dhe ishte i pari drejtor i saj. Më 1936 u bë ministër i Komunikacionit dhe më 1939 u bë përsëri drejtor i Bankës Kombëtare Greke. Me vdekjen e kryeministrit Metaksait në janar të vitit 1941, kur askush nuk ndërmerrte qeverisjen e Greqisë, mori detyrën e kryeministrit më 19-1-1941, dhe më 18 prill 1941, pas një mbledhje të vështirë të Këshillit të Ministrave, kur u kthye në shtëpi, vrau veten.

 

10- Kiço XhAVELl (1801-1855), në s’është më i rëndësishmi i fisit të madh Suljot të Xhavellave, është gjithsesi, më i rëndësishmi i Xhavellave që morën pjesë në Revolucionin e 1821. Xhavella më i rëndësishëm cilësohet Fotoja, për të cilin Kollokotroni thoshte: “Marko Boçari nuk kapej, por Fotoja ishte përsosmëria. Kiço Xhavella u rrit në Korfuz, ku ishin shpërngulur suljotët pas pushtimit të Sulit nga Ali Pasha. Më 1820 rikthehet në Sul pas marrëveshjes të suljotëve me Aliun dhe shpallet kapedan në moshën 19 vjeç. Shkonte në Itali me detyrë të siguronte municione, por kur u kthye, Ali Pasha ishte vrarë dhe suljotët, u shkulën përse dyti nga Suli prej turqve të Sulltanit. Xhavella shkon në Etolakanani dhe merr pjesë në të gjitha betejat e rrethinës, qoftë nën komandën e Marko Boçarit qoftë dhe vetëm. Kur Gjeorgji Karaiskaqi u bë kryegjeneral i Rumelisë, Kiço Xhavella me suljotët e ndoqën pas, pavarësisht nga kundërshtimet fillestare. Më 1835 mbreti Othon e bëri nëngjeneral dhe Mbikqyrës i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe adjutant të vet. Kiço Xhavella shërbeu si prokuror, kryegjeneral pas vdekjes së Karaiskaqit, ministër i mbrojtjes më 1844. Më 1847-1848 ishte kryeministër. Vdiq më 1855 në Mesologgji.

 

Sot pjesëtarët e fisit të Xhavellave i kemi në Shqipëri, Greqi, ShBA dhe Australi. Ata që jetojnë në Shqipëri e kanë ndryshuar mbiemrin nga Xhavella në Tasho. Trashëgimtarët e fisit të Xhavellave çdo 6 gusht mblidhen në Melesin në kishën e Shën Sotirit ku festojnë së bashku dhe kujtuar të parët e tyre. Xhavellasit kanë qenë pjesëtarë edhe të gardës së Skënderbeut.

 

11.Jonani Teodor KOLOKOTRONI (1804-1868) lindi më 1804 në Zakintho. Që në moshë të re 17 vjeçare mori pjesë në kryengritjen kundra turqve. Mori pjesë në disa beteja të mëdha për çlirimin e Greqisë si në Tripoli, Navplio, dhe luftoi përkrah arvanitasit Gjeorgjio Karaiskaqit deri në vrasjen e tij. Pas kësaj Joani u kthye në Peloponezi për të luftuar edhe aty kundra turqve. Ishte mik i arvanitasit tjetër Joani Kapodistrisë dhe u burgos më vonë nga kundërshtarët politik që kundërshtoni ardhjen e mbretit Otton. Në vitin 1836, kur Greqinë e udhëhiqte mbreti Otton ishte gjeneralmajor i ushtrisë së tij.

 

U zgjodh Kryeministër i Greqisë në vitin 1862 dhe luftoi për të mbrojtur mbretin Otton të cilët kundërshtarët politik donin ta rrëzonin nga pushteti. Me largimin e mbretit Otton nga fronti mbretëror u largua për në Itali. U rikthye në Greqi pas ardhjes të mbretit Gjeorgjit të Parë. Vdiq më 20 maj 1868.

Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: [email protected], Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400