Masakrat serbe në Lumë

14:06 / E enjte, 18 Maj 2017

 

Muajt e fundit të vitit 1912 dhe viti 1913, shënojnë një nga kulmet e gjenocidit serb në trupin e kombit shqiptar. Sukseset e kryengritësve shqiptarë, ndonëse e tronditën rëndë Nikolla Pashiqin dhe kabinetin e tij qeveritar, në fund të shtatorit e fillim të tetorit 1913, me ndihmën e Rusisë dhe Francës, bëri përgatitje të shpejta për shuarjen e kryengritjes, dhe me këtë rast përgjatë tërë vijës frontale të luftimeve, aktivizoi rreth 70 mijë trupa ushtarake. Një amnisti u shpall në Beograd nga qeveria në tetor 1913, por masakrat kundër popullit shqiptar vazhduan. Për krimet e ushtrisë serbo-malazeze gjatë pushtimit të tokave shqiptare më 1912 e 1913 kanë raportuar shtypi evropian, amerikan dhe shtypi opozitar serb. Për hulumtimin e krimeve Shoqata për paqe në botë Karnegie më 1913 kishte formuar një komision të posaçëm dhe e kishte dërguar në Ballkan.

Pas vështrimit të gjendjes në trevat shqiptare, anëtarët e komisionit kishin konstatuar; Shtëpitë dhe fshatra të tëra ishin shndërrua në hi, popullata e pafajshme dhe e paarmatosur është masakruar masovikisht, akte të pabesueshme të dhunës, plaçkitje dhe krime të çdo lloji ishin mjete të cilat i kishte përdorur dhe ende i përdor ushtria serbo-malazeze, me qëllim të asgjësimit të plotë etnik të trevave të banuara tërësisht me shqiptarë. Veçanërisht në javën e tretë të tetorit 1913, xhelatët u lëshuan si asnjëherë nëpër fshatrat e Lumës. Vrasjet, varjet, mbytjet në tortura ishin në rendin e çdo dite. Oficerët serbë, sipas burimeve të kohës, ishin urdhëruar “të digjnin të gjitha lokalitetet në Lumë dhe Opojë, e popullatën e këtyre vendeve t’a shfarosnin”.

Ngjarjet dhe varret tregohen kudo në këto katunde. Për masakrat në Topojan kanë shkruar, Shaban Braha, Vangjel Kasapi, Kapllan Ahmetaj, Jonuz Kola, Mahmut Karanxha, etj. Në këtë qasje të shkurtër të konsultuar me arkivat për ngjarjet në fjalë, sjellim në kujtesë të vërtetat e gjenocidit serb në Nimçë dhe Lojme. Në fshatin Lojme u pushkatuan 36 veta, ndër ata ishin 3 gra. Dhe si i grupuan? Vunë në veprim mashtrimin dhe pabesinë. Komanda serbe kishte përcaktuar vendin e grupimit të të rriturve tek “Kepi i Stërvicës”, ndërmjet prrojeve të Çelës. Njoftimi u bë nëpërmjet kryepleqëve apo pleqësive. Ftesa për në kohën dhe vendin e caktuar motivohej; Paraqituni për të bërë regjistrimin, përndryshe ai që nuk do të paraqitet, nuk do t’a ketë të drejtën e pasaportës për të shkuar në kurbet, e as në treg në ditët e pazarit. Ky njoftim u shkoi dy fshatrave Nimçës dhe Lojmes. Është intrigues fakti, sesa të painformuar ishin njerëzit e kësaj ane, në lidhje me organizimin dhe funksionin e shtetit, kur e mendon që ata, ishin nënshtetasit e Shqipërisë së Pavarur thuajse një vit më parë, ç’ka do të thotë se ata, nuk kishte pse të ishin aq naivë, sa të besonin se pasaporta e Serbisë ishte pikërisht dokumenti që u duhej.

Vlerësuar në kontekst të asaj kohe, më i besueshëm ishte arsyetimi i të pasurit të një dokumenti, me të drejtën për të shkuar në treg, mbasi tregu për ata banorë kryhej në Prizren dhe Dragash, dy qendra që ishin projektuar të mbeteshin jashtë kufirit të Shqipërisë londineze. Në vendin e caktuar ishin vendosur në mënyrë të maskuar rojet ushtarake serbe. Nga të dy fshatrat tek “Kepi i Stërvicës”, arritën rreth 100 veta, të gjithë të moshës së letërnjoftimeve. I fundit që po vinte disi i vonuar ishte Vebi Aga i Lojmes, i cili vonesën e kishte të justifikuar sepse ishte i çalë (topall). Ndërsa Vebiu rrekej shpatinës të luginës, komandanti i repartit serb dha sinjalin e gatishmërisë. Menjëherë u duk më këmbë e me gisht në këmbëz rrethimi i dyfishtë. Shkurt, të gjithë të rriturit e dy fshatrave shkuan “si cjapi tek kasapi”. Ndërsa duke e ditur, çfarë kishin vuajtur nga dominimi i forcës serbe dhe pabesitë e çetnikëve dhe funksionarëve të kralit serb, kurrsesi nimçianët dhe lojmëjanët nuk duhej të viktimizoheshin kaq thjeshtë. Sot mund të hipotetizojmë, pse nuk pati asnjë iniciativë, apo përpjekje të zgjuar për të mos u bërë pre e vullnetshme.

Mbase shqiptarët e asaj kohe nuk kanë qenë aq të zgjuar sa janë sot. Presioni nisi me të vetmen pyetje; Kush tregon për personat që kanë kthyer pushkët kundër ushtrisë së kralit, kush e do jetën e vet, le të hap gojën. E meqë askush nuk foli, oficeri xhelat me gjakftohtësi çnjerëzore, urdhëroi që burrat e lidhur me çifte, t’i nisin për në drejtim të Prizrenit. Pas një ore, aty tek “Shpella e Ibrës”, buzë ujit, bajonetat e xhelatëve të Beogradit nisën të nguleshin në mishin e shqiptarëve, për të vetmin “faj” pse ishin bimë e këtij trualli të lashtë. Pasoi një përfytje e tmerrshme midis xhelatëve të huaj dhe vendasve. Aty u vranë 36 lojmëjanë dhe 54 nimçianë. Aty një grupim njerëzish u kthye në një grupim varrezash dhe vendi i mbjellë me eshtra, nisi të emërtohet me plot kuptim: “Shtegu i shehitëve”.

Pati edhe ndonjë nga ata që, përmes kacafytjes dhe zjarrit mundën t’i përvidhen vdekjes, duke u kthyer në dëshmitarët e kësaj skene tragjike, siç ishin Tosun Hoda, Karaman Koboçi, e Selam Rexhep Toshi. Me plagë të rënda mundi të jetojë Bislim Halili, aty nën trupat e përgjakur të Destan Vehapit, Ahmet Halilit, e Xhafer Vehapit. Bislimi edhe pse arriti të ngjitet nga kjo humnerë, pas dy ditësh në “Shpellën e Madhe”, afër mullirit të Nimçës, vdiq nga plagët e rënda që kishte marrë. Një ditë më pas vrasjes masive të 90 lumjanëve në Nimçë dhe Lojme, xhelati i vdekjes u tregua po aq i ashpër në fshatrat e tjerë si Topojan, Brekijë, Novosej, etj. Ndërsa ironikisht edhe pse këto fshatra ishin aq afër lajmi i vdekjes mbërrinte me vonesë, teksa çuditërisht nuk u shënua asnjë përpjekje e zgjuar për rezistencë dhe vetëmbrojtje.

Të fundit
Foto Lajm

Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren për qëllime komerciale, pa miratimin e grupit medial. Çdo kopjim dhe publikim i paautorizuar paraqet shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale dhe si i tillë sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.

E-Mail: info@gazetainfopress.com, Tel: +386 49 102 742, +377 44 587 400